Klevi Pojana: Rinia kërkon të dëgjohet. Së bashku për të mbrojtur të drejtat tona!

696
Siç ishte paralajmëruar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, sot mijëra të rinj do të pushtojnë Pallatin e Kongreseve për të kërkuar të drejtat e tyre. Për një arsim më cilësor, për kushte më të mira në ambientet brenda shkollave, për praktika punësimi për të rinjtë, për një jetë të shëndetshme, për një rini që jeton dhe zhvillohet në Shqipëri pa dashur të trokasë dyerve të botës, këto dhe shumë të tjera do të bëjnë bashkë të rinjtë në Pallatin e Kongreseve në orën 17:00. Një organizim që vjen pak ditë para protestës së madhe më 27 janar 2017. Klevi Pojana, anëtar i Kryesisë së Lëvizjes Socialiste për integrim dhe Nënkryetar për Lëvizjen Rinore për Integrim, ka bërë thirrje përmes një postimi që të gjithë të rinjtë të bashkohen për t’u dëgjuar fjala e tyre. “E ardhmja e Shqipërisë, e nesërmja e kombit tonë, shpresa më e madhe për të ardhmen rinia studentore kërkon të dëgjohet! Në datë 23 Janar tek Pallati i Kongreseve në orën 17:00 do të jemi të gjithë bashkë për të thënë njëzëri, se studentët munden të sjellin ndryshimin!”

Do të jemi bashkë, është shprehur Pojana, për të treguar se pavarësisht çdo vështirësie dhe problemi, ne do të zgjedhim ta ndërtojmë jetën tonë këtu! “Do të jemi bashkë për të kërkuar më shumë kushte bashkëkohore në universitetet tona! Do jemi bashkë për të treguar se të rinjtë duan më shumë praktika pune, përgatitje më të mirë teorike e praktike dhe ,çfarë është më e rëndësishmja, më shumë mundësi punësimi. Do të jemi bashkë për të treguar sot më shumë se kurrë, se ne besojmë tek forca jonë dhe nuk do të qëndrojmë në pritje, por do të jemi ne ata që do ta ndryshojnë këtë gjendje!”, është shprehur Pojana, duke ftuar të rinjtë të bashkohen njëzëri për të drejtat e tyre. 
Sigal