Lufta ndaj krimit, sfida e qeverisë në 300 ditë

498
Sigal

Flasin Fatos Klosi, Dashamir Shrhi dhe Petro Koçi: Ja rruga që duhet ndjekur

Qeveria e ardhshem, që po bën gati emrat e ministrave do të marrë pushtetin në një gjendje të degraduar, përsa i përket, situatës alarmante të rendit publik. Krimet e rrugës, larjet e hesapeve, krimi brenda familjes dhe mafia e organizuar duket se ka gjetur ditët më të përshtatshme, të uljes së intensitetit të luftës kundër saj. Dhe për këtë arsye, të gjitha organizmat e inkriminuara kanë filluar fushatën e vrasjeve, grabitjeve, kërcënimeve, rrëmbimeve, apo ndjekjeve në autostrada për të realizuar synimet e tyre të inkriminuara. Dhe sikur të mos mjaftonte kjo gjë, përsëri brenda disa familjeve është krijuar një situatë alarmante, ku stresi, varfëria dhe xhelozia kanë shtuar numrin e viktimave, ku pjesa më e madhe është nga gjinia femërore. Duket sikur strukturat policore të administratës së vjetër nuk kanë më asnjë autoritet për të trembur organizatorët e vrasjeve. Pavarësisht, se kreu i Policisë, Burgaj, deklaroi, se “askush nga uniformat blu nuk do të marrë lejen e zakonahme, përsëri, që nga dita e deklaratës së tij, kriminaliteti është shtuar ndjeshëm. Kjo tregon se prej segmenteve të policisë së pushtetit në ikje, nuk pritet gjë tjetër, veçse largimi i tyre.

Sfida e socialistëve

Por sfida e qeverisjes socialiste, megjithëse është shpallur pjesërisht, në programin paraprak, për 300 ditët e ardhshme, përsëri duket e do të ketë shumë vështirësi për të realizuar stabilitetin. Kjo ndodh se në radhë të parë strukturat e larta të policisë shqiptare, janë të lidhura mes segmente të veçanta të krimit dhe nuk mund të shkëputen dot, prej tyre. Nga ana tjetër, zëvendësimi i drejtuesve politikë, duhet bërë me shpejtësi të madhe, ndërsa qëmtimi i policëve të thjeshtë duhet bërë në bazë të biografive të tyre profesionale dhe jo përkatësive politike. Deri tani në postin e ministrit të Brendshëm është publikuar emri i Saimir Tahirit, i cili ndërkaq, ka mbledhur stafin e ngushtë të ekipit të ardhshëm, me të cilët do të drejtojë këtë ministri. 300 ditët e para të qeverisjes nuk janë pak, por gati një vit punë. Dhe gjatë këtij viti, çmontimi i segmenteve të inkriminuara brenda uniformave blu dhe rivendosja e rendit publik, kërkon energji dhe vullnet të hekurt politik dhe profesional. Për të thithur mendimin e specialistëve të kësaj fushe, si edhe të ish -drejtuesve të lartë shtetëror, ne kemi intervistuar dje, tre figura të njohura që janë, Fatos Klosi, Dashanmir Shehi dhe Petro Koçi. Opinionet e tyre, po i paraqesim më poshtë, në ligjëratë të drejtë.

Fatos Klosi: E vështirë, por jo e pamundur

Stabilizimi i rendit publik në Shqipëri, aktualisht, është një mision i vështirë, por jo i pamundur. Deri tani situata është krejtësisht, e çthurrur dhe duket mungesa e drejtimit të strukturave policore. Gjendja duket e degraduar dhe pa zgjidhje. Ndërkaq, këtu duhet të shtojmë edhe faktin, se shumë individë nga drejtuesit, apo nga uniformat blu, janë inkriminuar dhe janë fuitur nën strehën e krimit. Kështu që nga ata, nuk ke çfarë pret më. Por nga ana tjetër, gjendja nuk duhet parë me pesimizëm, sepse, një vullnet i mirë i qeveritarëve që vijnë në shtator, është faktori kryesor për stabilitetin e rendit. Dhe të gjithë shqiptarët sot, janë plotësisht të bindur se qeveria socialiste ka ardhur me një mision të madh dhe me një vullnet të hekurt për të shkatërruar bandat kriminale dhe për t’u kthyer qetësinë shqiptarëve. Përveç vullnetit të qeveritarëve, problemi tjetër ka të bëjë me zgjedhjen e njerëzve që do të merren në ekipin që do të marrë përsipër stabilitetitin. Duke larguar ata që duhet, gjithmonë sipas ligjit, policia do të lehtësohet nga urdhrat politikë dhe nga detyrimet e tjera. Gjithashtu, që punët të shkojnë mbarë kërkohen edhe disa modifikime ligjore, për të mos penguar më, punën e policisë.

Dashamir Shehi: Duhet plan afatgjatë

Problemi stabilizimit të rendit publik, është një problem madhor për Shqipërinë e sotme. Dhe mendoj, se kjo nuk bëhet as për një ditë, as për një javë, dhe as për tre muaj. Këtu kërkohen të kombinohen shumë gjëra. Nuk është vetëm problemi se u ndërruan dhjetë drejtorë, apo shefa policie, me dhjetë të tjerë dhe të mendohet se gjendja ndryshoi. Sepse këtu ndërthuret nevoja për ndryshimet ligjore, nga riorganizimi i ri i uniformave blu, nga vullneti total i personave, që kanë të bëjnë me luftën kundër krimit. Por në radhë të parë kërkohet një program serioz dhe afatgjatë. Në mënyrë që të garantojë rezultat pozitiv, në luftën kundër krimit. Kjo punë mendoj unë nuk kërkon një përgjigje kaq të shkurtër, sa ç’e kërkoni ju. Kjo kërkon një platformë të tërë, afatgjatë. Këtu ndërthuren problemet që kanë të bëjnë me policinë, me prokurorinë, me gjykatat, etj. Dhe ky program duhet të shkojë deri në rrënjët e kriminalitetit, shkaqet e rritjes, pasojat dhe pritshmëritë. Prandaj, kjo punë për mendimin tim, nuk duhet marrë me lehtësi duke bërë deklarata të pamenduara për afate kohore.

Petro Koçi: Gjendja duhet të ndryshojë

Mendoj se ndryshimi i gjendjes mund të bëhet pas ndryshimit të vullnetit politik dhe pas zëvendësimit të zyrtarëve të lartë të Policisë, në bazë të ligjit. Gjëja e dytë është zgjedhja e stafit profesional dhe e një ekipi të përgatitur, të cilët sot Partia Socialiste i disponon në radhët e saj. Ne duhet të kemi parasysh se pasojat e situatës tronditëse që po përjetojmë kanë të bëjnë me prishjen e strukturave që luftojnë kundër krimit. Këtu zotërinj, nuk e bën ligjin policia, por ligjin e bën krimi, duke korruptuar përfaqësues të policisë. Dhe këto lidhje duhen prerë menjëherë. Pastaj, duhet të nis aplikimi dhe konkretizimi i programit të koalicionit fitues i cili është gati.