LSI: Dorëheqje për ministren Gjonaj dhe kryeprokuroren

574
Zv/kryetari Luan Rama shprehet se ekstradimi i Nezar Seitajt është skandal dhe papërgjegjshmëri shtetërore
Lëvizja Socialiste për Integrim kërkoi dorëheqjen e ministres së Drejtësisë, Etilda Gjonaj dhe prokurores së Përgjithshme, Arta Marku, pas ekstradimit në Itali të pjesëtarit të grupit “Habilaj”, Nezar Seiti. “Jemi përballë një situate skandaloze. Jemi përpara një fakti shumë të rëndë, të papërgjegjshmërisë shtetërore, dhe më keq akoma, jemi përballë një situate ku shteti i kundërvihet drejtësisë, ku shteti mban anën e krimit dhe ku shteti përmes autoriteteve të veta të nivelit të lartë të përfaqësimit politik shtetëror, bëhet palë me narkotrafikantët, duke hequr nga dora e drejtësisë shqiptare të vetmin dëshmitar të akuzuar, apo pjesëtar të trafikut të lëndëve narkotike”, u shpreh zv/kryetari i LSI, Luan Rama, pas një mbledhje të grupit parlamentar. Ai shtoi se në kundërshtim me ligjin procedurial penal të Republikës së Shqipërisë, pra në kundërshtim me Kodin e Procedurës Penale, më konkretisht me nenet 490 e në vazhdim, është ekstraduar për në Itali ky shtetas, ndërkohë që ndaj tij kishte një hetim të nisur nga Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe kishte një masë arresti me burg nga gjykatat e të gjitha niveleve. “Në këtë mënyrë, përmes urdhërimit të ekstradimit të tij, është hequr nga duart e drejtësisë shqiptare ky personazh i botës së krimit”, tha Rama. Sipas tij, në kushte të tjera, në kushte normale, të një vendi normal, të një qeverisje normale, edhe Prokurori i Përgjithshëm, edhe Ministri i Drejtësisë, më e pakta do të kishin dhënë dorëheqjen. “Ministri i Drejtësisë është autoriteti që ka përgjegjësinë të kryejë verifikim të detajuar të të gjithë gjendjes ligjore, gjyqësore, të personit nën akuzë dhe vetëm pasi të konsultohej me të gjitha institucionet e tjera që kanë atribute për të dhënë vlerësime dhe rekomandime për këtë çështje, do të duhej të vendoste”, tha Rama. Ndërkohë, Grupi Parlamentar i Lëvizjes Socialiste për Integrim do të shfrytëzojë të gjitha instrumentet ligjore parlamentare për ndëshkimin ligjor të të gjithë personave përgjegjës, përmes seancës së pyetjeve dhe përgjigjeve në Kuvend, të interpelancës në Kuvend, përmes thirrjes në Kuvend edhe të Prokurores së Përgjithshme për të informuar dhe deri tek një Komision i posaçëm hetimor parlamentar.

Prokurori i Krimeve të Rënda: Nuk duhej të ekstradohej
Kreu i Prokurorisë së Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj, tha se ekstradimi i Nezar Seitit nuk duhet të ndodhte. Në një prononcim për “Panoramën”, ai ka qenë i rezervuar në lidhje me rastin, i cili është subjekt i një hetimi disiplinor dhe penal, siç njoftoi edhe Prokuroria e Përgjithshme. Megjithatë, Hajdarmataj tha se Prokuroria e Krimeve të Rënda ka njoftuar Prokurorinë e Përgjithshme në lidhje me mungesën e informacionin për procedurat e ekstradimit të Nezar Seitit, që kishin nisur nga Ministria e Drejtësisë dhe Prokuroria e Përgjithshme. Ai, madje, tregon se nga verifikimet që ka bërë Prokuroria e Krimeve të Rënda ditët e fundit, rezulton se vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe të Apelit të saj, kanë qenë të depozituara në sekretarinë e burgut, ku qëndronte Nezar Seiti. “Jemi në një fazë analize të rastit, si nga Krimet e Rënda, ashtu edhe nga Prokuroria e Përgjithshme dhe më vonë do të kemi një qëndrim lidhur me këtë çështje. Nga verifikimet që kemi bërë ne si Prokurori e Krimeve të Rënda, rezulton se të dyja vendimet e Gjykatës së Krimeve të Rënda kanë qenë të depozituara në burgun ku gjendej personi në fjalë. Sigurisht, që ai nuk mund të ekstradohej, por për këtë çështje do të kemi një qëndrim të mëvonshëm, pasi të përfundojë analiza”, tha Hajdarmataj.
Sigal