Loja PS-PD me mandatet Manjani: PD po bën “dashuri” me PS-në. Rama: “Partitë e vogla duan të bëhen të mëdha nën hijen tonë”

488
Sigal

Ndarja e mandateve të deputetëve,  është ngërç politik, apo marrëveshje partiake midis Berishës dhe Ramës?

Ndarja e mandateve të deputetëve, në dukjen e parë, duke u nisur nga konfliktualiteti politik edhe në KQZ, të lë përshtypjen se dy forcat e mëdha politike shkojnë drejt një konformimi politik të drejtpërdrejtë, të papajtueshëm, në të gjitha hallkat e zhvillimit të proceseve të ngjarjeve, qoftë në institucionet e politikës, qoftë edhe në institucionet kushtetuese të pavarura, duke i kthyer të gjitha, këto institucione, shërbesë të interesave partiake, pa u bërë merak për fare për ligjshmërinë. Vetë Kryeministri Berisha demonstroi para ca ditësh, epërsinë pushtetore mbi opozitën, teksa deklaroi se “ligjvënësi ka parashikuar rrugë të tjera për të zhbllokuar qëndrimet bllokuese të opozitës”. Kryeministri nuk argumentoi veprimin e ligjvënësit dhe as vërtetoi “bllokimin opozitar”, veçse mbështeti apriori vendimin e Kolegjit Zgjedhor për ndarjen e ZAZ-ve dhe i tregoi opozitës se Kuvendi, me shumicën e thjeshtë të votës, do të bëjë ndarjen e mandateve të deputetëve, pavarësisht nga ligji dhe Kodi Zgjedhor. Mirëpo, a mundet që përtej këtyre konfliktualiteteve me bubullima, të fshihet një tjetër realitet politik? Dhe sidomos kur kemi të bëjmë me aktorë politikë, sikurse Berisha dhe Rama, të cilët jo pak herë, në prapaskenën politike kanë bërë të tjera marrëveshje politike, duke patur si fasadë konfliktualitetin sipërfaqësor. Kurorëzimi i marrëveshjeve prapaskenike midis Berishës dhe Ramës, ishte ndryshimi i Kushtetutës në 2008-n, dimensionet e të cilave u plotësuan në  tërë hapësirën e veprimeve, me emërimet e Presidentit, Kryeprokurorit. (  Derisa nuk kemi konsensus, nuk mund të themi se kemi zgjedhje, por zgjidhje të njëanshme). Dhe ndarja e mandateve të deputetëve, pavarësisht, se duket sikur po kthehet në konfliktualitet politik, mund të jetë një marrëveshje e prapaskenave politike midis Berishës dhe Ramës. Nuk mund të pranohet, që ligj-hartuesit socialistë, gjatë bisedimeve për hartimin e (përbashkët) të reformës zgjedhore, e të Kodit të ri Zgjedhor të mos kishin përcaktuar klauzolat ligjore, që kanë të bëjnë me kompetencat kushtetuese se cili është institucioni kushtetues që ka të drejtën e ndarjes së mandateve të deputetëve. Ndërsa PD-PS po luajnë  sot lojën kungulleshave, se cili institucion kushtetues duhet të ndajë mandatet e deputetëve, në Kodin Zgjedhor, nuk ka përcaktim të qartë juridik për këtë çështje, duke lënë shteg për interpretime sipas interesave. Edhe ky boshllëk ligjor, është pjesë e marrëveshjeve në prapaskenë, midis Berishës dhe Ramës. Sepse kështu u intereson të dyve. Secili, përpiqet që të ngrejë kurthe në hartimin e ligjit, që nesër, të kenë mundësinë që të përfitojnë pjesën më të madhe, në dëm të tjetrit, pa u merakosur për ligjin. Kush mund të bindet sot, për oponencën që i bën Edi Rama Berishës, për zgjedhjen e njëanshme, pa konsensus të Presidentit, për emërimet e njëanshme në KLD, në KLSH, në SHISH, në Prokurorinë e Përgjithshme dhe sot në ILDKP? Derisa Edi Rama ishte iniciatori i ndryshimeve kushtetuese që do të çonin në këtë zgjidhje të vetme? Cilën të pranojmë? Që kryetari i PS-së, nuk kishte konceptin e pasojave që do të sillnin këto ndryshime kushtetuese? Që kryetari i PS-së, nuk kishte konceptin e dëmit demokratik të këtyre ndryshimeve kushtetuese? Apo, kryetari i PS-së jo vetëm që ishte i bindshëm, për gjithë pasojat, dëmet, por, përkundrazi, i synonte  që të ishte ai vetë zotëruesi i produkteve të ndryshimeve kushtetuese? Edhe tani, në ndarjen e mandateve, Edi Rama mbase është tejet i kënaqur edhe me këtë ndarje- pavarësisht se PS-ja humbet 3 mandate në tavolinë. Edi Rama, ndoshta më shumë i intereson të ruajë statukuonë e gjendjes, sesa të pranojë një risk të ri, derisa më tepër i intereson e ardhmja personale në PS, se sa perspektiva e PS-në në qeverisje.  Konfliktualitetin e sotëm, edhe në ndarjen e mandateve, Edi Rama e përdor si një alibi për humbjen e radhës. Oponenca, që sot bën Edi Rama,  nuk bëhet ndaj pasojave, derisa në hartimin e ligjeve. Me vetëdije, u përpoq më shumë që të linte boshllëqe  ligjore, për  interpretime  të mëvonshme, në shërbim të interesave të veta. Ndoshta, ka njëfarë të drejte Ylli Manjani, kur deklaroi se PD-ja dhe PS-ja kanë një marrëveshje edhe për ndarjen e mandateve.

Edi Rama

“Çdo parti e vogël përpiqet të bëhet e madhe, duke akuzuar partitë e mëdha. Ky është qëndrimi që kanë mbajtur përfaqësuesit tanë në KQZ dhe është qëndrimi që do të mbajë grupi ynë parlamentar. Kuvendi nuk mund të marrë atributet e KQZ”.

Ylli Manjani
“Nëse do kishte parti më shumë të interesuar se gjithkush tjetër për të ndryshuar zonat zgjedhore, kjo duhet të ishte PS, sepse normalisht ajo i ka humbur zgjedhjet me ndarjen e vjetër dhe do kërkonte një ndarje të re. Çuditërisht PD-ja nuk e luajti këtë lojë dhe ka hyrë në një marrëdhënie dashurie me PS-në”.