“Licenca t’i hiqet qeverisë dhe ERE-s!”

449
Sigal

INTERVISTA/Arben Ahmetaj, deputet i PS-së: “PS, kërkon dështimin te qeveria dhe ERE e jo te CEZ-it”

PS-ja është për heqjen e licencës CEZ-it?

– Ç’punë ka PS-ja me CEZ-in? Ne kemi punë me qeverinë që ka dështuar në privatizim, ka dështuar në monitorimin e sistemit, ka dështuar në menaxhimin e sistemit, kemi punë me ERE-n që nuk ka zbatuar ligjet. Ç’punë kemi ne me kompanitë private?

– CEZ-i, derisa ka bërë gjithë këto vjedhje e abuzime në dëm të shqiptarëve, juve, si opozitë nuk e gjykoni se ka ardhur koha t’i hiqet licenca? PS-ja, akoma nuk ka mbajtur qëndrim për këtë.

– Jo, nuk e dini ju, por PS-ja ka mbajtur, sigurisht,  qëndrim. Mban qëndrim të përgjithshëm, për gjithë ato që u kanë ndodhur shqiptarëve dhe qeveria është përgjegjëse, bashkë me ERE-n. Patjetër, që edhe CEZ-i është fajtore. Le të zbatohet legjislacioni. Po të thotë legjislacioni, që CEZ-it t’i hiqet licenca, patjetër, që duhet t’i hiqet. Por, në fund të fundit, duhet t’i hiqet licenca kësaj qeverie dhe ERE-s nga pozicionet që mban padrejtësisht sot dhe nuk bën detyrën.

– Kryetari i ZMK-së, Altin Goxhaj, në një intervistë për “Telegraf”, pohoi se, Ilir Beqja, tërhoqi akuzën penale që premtoi publikisht ndaj CEZ-it, mbasi drejtori i CEZ-it vizitoi Kryetarin e PS-së. Ju, e përgënjeshtroni këtë detaj?

– Ne flasim për seriozitet politik dhe jo për thashetheme të disave. Asgjë, nga këto që ju thoni, jo vetëm që unë nuk di asgjë, por, ju siguroj, që nuk ka sesi të jenë të vërteta. Gjithsesi, nuk mund të jenë të vërteta me PS-në, këto që thonë të tjerët.