Letër Ministres Harito, të larguartit nga puna: Qeveria po bën një masakër me administratën publike

537
Sigal

Shoqata për Mbrojtjen e të Larguarve nga Administrata Publike i drejtohet ministres Harito për manipulimet me ligjin e ri të nëpunësit civil

Shoqata për Mbrojtjen e të Larguarve nga Administrata Publike, duke u nisur nga situata aktuale e rinovimit të administratës publike dhe miratimit të aktit normativ për “nëpunësin civil” i është drejtuar për zgjidhje imediate Ministres së Shtetit për Inovacionin dhe Administratën Publike, znj. Milena Harito. Më poshtë po japim për ‘të gjithë letrën e plotë.

Shoqata për mbrojtjen e të larguarve nga Administrata Publike është shumë e shqetësuar pasi ditët e fundit Ju dhe institucioni që ju drejtoni keni filluar të deklaroni me të madhe në media përgatitjen e akteve nënligjore për nëpunësin civil, duke argumentuar me të madhe se tani për  nëpunësin civil qenka zgjidhur gjithçka dhe sistemi i karrierës në administratën civile do të jetë i rregulluar me ligj dhe se tani janë nëpunësit ata që aplikojnë për vendin e punës që dëshirojnë. Znj. Ministre përpara se të merrni hapa të tillë filloni zbatimin e Vendimit të Gjykatës Kushtetuese që u botua në Fletoren Zyrtare me 26 shkurt 2014.

-Riktheni në punë të gjithë të larguarit nga administrata, të larguar padrejtësisht!

-Riktheni në punë të gjithë të larguarit nga institucionet shtetërore që janë larguar padrejtësisht!

Znj. Harito pasi spastruat administratën publike me Aktin Normativ për zbatimin e ligjit të vjetër për “Nëpunësin Civil”, pasi nxorët me qindra e mijëra të papunë dhe në listë pritjeje në vijim të masakrës tuaj me administratën publike, pas rrëzimit të Aktit Normativ nga Gjykata Kushtetuese, po përpiqeni që me akte nënligjore (VKM) të, përligjni të gjitha largimet që keni bërë nga administrata me procedurat e ligjit të vjetër të “nëpunësit civil”.

Arbitrariteti dhe arroganca ndaj ligjit, Kushtetutës dhe qëllimi i aktit antikushtetues të 30 shtatorit, por dhe këmbëngulja e juaj e vazhdueshme për manipulim me ligjin dhe aktet nënligjore, bën konkretisht:

1) Me aktet nënligjore për ligjin e ri nr. 152/2013, Ju po kërkoni të spastroni të gjithë nëpunësit civil aktual.

2) Ju kërkoni të ligjëroni të gjitha shkarkimet dhe nxjerrjet në listë pritje, të kryera në kundërshtim me ligjin.

3) Ju  kërkoni të ligjëroni të gjitha emërimet e paligjshme që janë realizuar në administratën publike nga data 1 Tetor 2013 – deri më sot.

4) Me këto akte nënligjore për administratën publike po synoni të ktheni në sistem paligjshmërinë! Shqipëria shndërrohet nga një shtet që udhëhiqet nga e drejta, në një shtet ku arbitraritetit dhe paligjshmërisë i jepet “vlerë” me ligj e akte nënligjore.

5) Ju po kërkoni të kontrolloni procesin e përzgjedhjes së trupës së nëpunësve civilë të nivelit të lartë drejtues dhe të gjithë administratës publike.

6) Të gjithë personat që do të largohen nga administrata ju po i largoni duke i diskriminuar me aktet tuaja nënligjore shumë më tepër se sa procedurat për largim që janë të materializuara në Kodin e Punës, pra duke mos respektuar afat njoftimin, procedurat e largimit dhe të dëmshpërblimit, duke vendosur një masë dëmshpërblimi të fiksuar deri në 3 muaj sipas vjetërsisë në punë. Me Kod Pune procedurat e largimit shkojnë mbi 5 muaj duke shtuar këtu dhe shpërblimin për vjetërsi dhe dëmshpërblimin për largim të padrejtë që shkon deri në një vit. Pasi nuk arritët të manipulonit me Aktin Normativ, me ndryshimet në ligj, të shtyrjes se botimit të VGJK në fletoren zyrtare, pas botimit të saj me 26 Shkurt 2014, po mundoheni të manipuloni me të gjitha format në përgatitjen e akteve normative. Por përpara se të manipuloni ato, znj. ministre, jepuni përgjigje të gjithë shqiptarëve:

-Çfarë do të Beni më të larguarit nga puna me ligjin e vjetër, të cilin VGJK jua hodhi poshtë dhe të gjitha veprimet tuaja janë të paligjshme?

-Pse nuk i ktheni në punë punonjësit që kanë fituar gjyqet në Gjykatën Administrative?

-Çfarë do të bëhet me ata që janë në listë pritje, si keni menduar te zgjidhni listën e pritjes, kur me ligjin e ri nuk ka listë pritje?

-Çfarë do të bëni me ato që keni marrë në punë në administratë pa procedura ligjore, pse nuk i largoni?

– Pse manipuloni dhe keni manipuluar me procedura antiligjore për pranimet e reja ne administratë?

-Jepni përgjigje çfarë do të bëhet me qindra familje që keni larguar të dy bashkëshortet nga puna dhe keni lënë familje të tëra pa asnjë të ardhur në mes të katër rrugëve?

-Zonja ministre jepni përgjigje për të gjithë invalidët dhe të persekutuarit politikë të regjimit që i keni hedhur në rrugë.

-Prandaj znj. ministre përpara se të filloni e manipuloni me aktet nënligjore normative, riktheni të gjithë të larguarit në punë! Ne si shoqatë në mbrojtje të të larguarve nga administrata do të vazhdojmë të protestojmë për të drejtat tona përpara institucioneve në Tirane, përpara përfaqësuesve të ambasadave të vendeve të BE-së në Tiranë, përpara të gjithë organizmave të BE-së në Tiranë dhe të Këshillit të Europës derisa të kthehen të gjithë të larguarit padrejtësisht në punë dhe të ndalet dora në largimet nga administrata publike! Jemi në pritje të përgjigjes tuaj me veprime konkrete!