Drejtorja Lindita Kondi: Ofrojmë asistencë për fermerët dhe bashkëpunim për gjetje tregjesh

420
Sigal

Investimet, në 2014-n synohet dyfishimi i prodhimeve në bujqësi e frutikulturë

Saranda si qytet ka marrë statusin e metropolit të turizmit shqiptar dhe synimet janë ta kalojë kufirin gjeografik shtetëror të tij, por gradualisht po merr edhe statusin e kryeqytetit të bujqësisë shqiptare. Synimi është dyfishimi i prodhimit bujqësor e blegtoral. Kjo nisur nga ritmet e zhvillimit të viteve të fundit në këtë rreth. Vite të ndryshimeve të mëdha shoqërore, vitet e tranzicionit, ndryshuan dhe vazhdojnë të ndryshojnë edhe idetë e specialistëve të bujqësisë në Sarandë. Por edhe fermerët gjykojnë ndryshe nga ç’ farë kanë gjykuar më parë. Në degën e bujqësisë së Sarandës i gjetëm rreth tryezës së drejtoreshës Lindita Kondi të gjithë specialistët duke diskutuar, debatuar dhe informuar mbi situatën e gjendje, atë në proces dhe fazave të punëve të ditës në bujqësi. Drejtorja Lindita Kondi na tha se në Sarandë transformimet dhe zhvillimet bujqësore janë të dukshme, të prekshme, me një përvojë që nuk ka munguar dhe vjen duke u perfeksionuar. Aktualisht në Sarandë janë rreth 18 mijë ha tokë bujqësore, nga të cilat rreth 13 mijë tokë arë dhe pjesa tjetër pemëtari. Aktualisht ka përfunduar procesi i përgatitjes së tokës për mbjellje, sidomos për kulturën e misrit, e cila dominon në rendimentet e drithërave dhe preferencat e fermerëve për ta kultivuar, duke arritur rreth 25 ha mbjellje (kjo duke parë me syrin e një procesi të sa po nisur). Kryesisht, këtë fuqi mbjellëse e mban komuna Aliko dhe bashkia Sarandë, pa injoruar komunat e tjera, por me sipërfaqe më të vogla mbjellëse. Pra,-nënvizon zonja Kondi,-aktualisht rreth 70% e sipërfaqes së disponueshme të tokës për mbjelljet pranverore është gati, ndërkohë që interesimi dhe vëmendja është edhe tek fidanishtet, si perimore, ashtu edhe pemëtaria. Këtu duhet nënvizuar se projektet e të drejtave të seleksionerit janë zgjeruar shumë dhe synohet të përkrahen seleksionerët për krijimin dhe mbrojtjen e të gjitha varieteteve të të gjitha specieve bimore. Përveç kulturës së misrit, e cila ka filluar të mbillet në fusha, gati janë edhe perimoret, sidomos bostani i mbjellë me kubik, ku vetëm fermeri Osman Xhaferri ka gati për mbjellje me kulturat bostanore rreth 6 ha. Por mjaft shpresëdhënëse vjen këtë vit edhe pemëtaria, kjo si në pritshmëritë e prodhimit, ashtu edhe në mbjelljet e reja. Parashikohet që vetëm në komunën e Xarrës (komunë që mban peshën e zhvillimeve bujqësore në pemëtari, agrume–ulli), të mbillen rreth 30 mijë rrënjë të reja, ndërkohë që në këtë komunë janë përfunduar proceset shërbyese të bimëve si plehërim, krasitje, spërkatje etj.. Pra kemi të bëjmë me një hap para cilësor në krijimin e blloqeve të reja të pemëtarisë, dhe këtu duhet shënuar se në Komunën Markat ka filluar të kultivohet edhe arra me rreth 120 rrënjët e para si dhe vreshtaria në hapësira të konsiderueshme e të lakmueshme. Por krahas zhvillimeve të bujqësisë, Saranda është e dëgjuar edhe në zhvillimin e blegtorisë ku numërohen rreth 12 mijë krerë të imta dhe 8 mijë gjedhe, bletë, derra e pula. Dhe matrikullimi i bagëtive të imta e të trasha ka përfunduar 100%. Specialistët veterinari shënojnë edhe ritmet e zhvillimeve, por edhe problematikën shoqëruese. Kthimi nga emigracioni ka shtuar numrin e fermerëve blegtor duke krijuar problem me kapacitetet kullosore, ndaj bëhen përpjekje për mbarështim stallor. Fermerët kanë ngritur edhe problemin e çmimit të tregut të qumështit, të cilën e quajnë abuzim nga përpunuesit e këtij produkti, nisur nga fakti se krahasim me vitin e kaluar, një litër qumësht ka pësuar rënie me 20%. Ndërkohë që komunat e tjera të rrethit punojnë në ritmin e kohës, komuna e Lukovës mund të jap vetëm rezultate blegtorale, sa për bujqësore nuk bëhet fjalë përveçse pemëtarisë së trashëguar nga sistemi komunist, këtu ka edhe ngërçin e ndarjes së tokës. Përfundimisht mund të themi se bilanci bujqësor i Sarandës është pozitiv dhe meriton të quhet kryeqyteti i bujqësisë shqiptare edhe nga shumëllojshmëria e prodhimeve dhe kulturave të kultivuara. Specialistët e bujqësisë janë në pritje të fondit dhe udhëzimeve të subvencionit bujqësor për vitin 2014 nga qeveria shqiptare dhe ministria e sajë e bujqësisë, dhe kjo do të shkojë tek fermerët nëpërmjet politikave dhe veprimtarive promovuese në mbështetje të prodhimit bujqësor e blegtoral.