Lehtësohen 60 procedura tatimore për biznesin; opozita, dakord me qeverinë

444
Sigal

 

Plot 60
procedura tatimore do të lehtësohen për biznesin. Komisioni i ekonomisë miratoi
në parim ndryshimet ligjore të qeverisë, ndërkohë që opozita nuk pati
kundërshtime. Drafti i jep përparësi biznesit duke i dhënë mundësi të vet korrigjojë
deklarimet deri në 3 vjet. Kontrollet tatimore nuk mund të bëhen pa njoftim së
paku 30-ditor, ndërkohë që po kaq ditë duhen për të çregjistruar një biznes,
një problem ky që krijonte një zinxhir detyrimesh që nuk merrnin zgjidhje.
Apeli i biznesit ndaj vendimeve të fiskut shkon si strukturë nga Tatimet tek Ministria
e Financave. Të gjitha vendimet e pro-biznesit të kësaj strukture nuk do të
apelohen nga administrata në gjykatë. Tjetër pikë e rëndësishme është mundësia
e shlyerjes së detyrimeve nga bizneset me këste, në bazë të një marrëveshjeje
që ato do të lidhin me Tatimet. Procedurat e reja tatimore parashikojnë
gjithashtu ulje të gjobave. “Procedurat rishikojnë uljen e dënimit për pajisjet
fiskale dhe kuponin tatimor, apo punonjësin i padeklaruar. Rishikojnë uljen me
qëllim zbatimin e parimit të proporcionalitetit të dënimit për moslëshimin e
faturës”, deklaroi Ahmetaj. Ministri i Financave u shpreh i hapur për ndryshime
në diskutimin nen për nen. Madje, ai pranoi se është i gatshëm për futjen e
kontrollit fiskal të kompanive që kanë marrëveshje hidrokarbure me qeverinë.
Aktualisht ky funksion kryhet nga Agjencia Kombëtare e Burimeve Natyrore.