Kuvendi miraton shkarkimin e Zana Xhukës mes debatesh të ashpra

458
Sigal

Rama: Në mesin tuaj keni karikaturën e gjallë të Enverit. Berisha: Firmat për varje të babait të lidhin me ‘të

Nën drejtimin e Kryetarit të Kuvendit z. Ilir Meta, Kuvendi u mblodh dje në seancë plenare, ku u miratuan disa projektligje të rëndësishme. Mbledhja e Parlamentit u shoqërua me tensione të forta mes maxhorancës dhe opozitës për shkak të futjes në seancë plenare të kërkesës se miratuar tre ditë më parë në Komisionin e Ligjeve, që synonte shkarkimin e kryetares së Inspektoratit të Lartë të Deklarimit të Pasurive, Zana Xhuka. Me 77 vota pro Kuvendi votoi dje shkarkimin e znj. Xhuka dhe miratimin e Shkëlqim Ganaj në vend të saj me 75 vota pro. Opozita nuk mori pjesë në këtë pjesë të seancës parlamentare sepse ndodhej në protestë. Opozita akuzoi se kreu i Parlamentit ka shkelur çdo rregull duke mos mbledhur Konferencën e Kryetarëve mbi këtë çështje, kurse shkarkimi në vetvete u etiketua si rrezik potencial për marrjen e statusit. Pas replikave, kryeparlamentari Meta ka ndërprerë seancën për të mbledhur Konferencën e Kryetarëve ashtu siç kërkonte opozita, por edhe ajo përfundoi pa gjetur konsensusin e duhur për rastin ‘Xhuka’, duke ia lënë sërish radhën debateve në Kuvend. Ndërkohë, debati më i ashpër është cilësuar ai midis kryeministrit aktual të vendit, Edi Rama dhe ish-Kryeministrit Berisha.

 Rama: PD-në nuk e beson më kush, keni në mes tuaj karikaturën e gjallë të Enverit

 Kryeministri Edi Rama reagoi dje në mbi protestën e opozitës. Kreu i qeverisë i deklaroi opozitës se, përgjigjen e saktë e ka marrë më 23 Qershor. Sipas Ramës, askush nuk beson në idealet e një partie që drejtohet nga karikatura e gjallë e Enver Hoxhës. “Nuk keni rënë nga qielli thjesht keni rënë nga pushteti. Nuk keni rënë para disa vjetësh, por para pak muajsh. Po fyeni inteligjencën e këtij populli duke i thënë, çohu se erdhi ora të bësh atë që bëre 20 e ca vite më parë o popull, kur u ngrite për të shembur një regjim. Ju dini të gjykoni, syrgjynosni me shpifje si në kohë të Partisë së Punës. E morët këtë shembull nga Parti e Punës dhe e morët këtë nga shërbëtorët e Enverit. Fizikisht ka këtu një vullnetar të Enverit . Mes jush keni karikaturën e gjallë të Enverit, e keni mes jush. Nuk është Enveri joo, është karikatura e tij. Kjo histori ka vazhduar shumë gjatë dhe histori e dhimbshme në Partinë e marrë nën kontroll nga më i keqi i komunistëve, komunist mbi komunist”,- tha Rama.

 Berisha: Firmat për varje të babait të lidhin me Enver Hoxhën

 Pas fjalës së Kryeministrit Rama, i menjëhershëm ishte edhe reagimi i ish-Kryeministrit Berisha. Ky i fundit lëshoi një mal me akuza ndaj Ramës, duke e akuzuar se me emrin e Enver Hoxhës e lidhin firmat për ekzekutime të babait. “Je shndërruar në një personazh të ngratë. Eksperienca jote për t’u afruar me familjen e Hoxhës është nga më qesharakët në botë. Ty s’të lidhin vetëm karafilat dhe trëndafilat, por edhe firmat për varje dhe ekzekutim të njerëzve të pafajshëm nga babai yt. I ke të pazgjidhshme, i ke fatale”, -tha Berisha. Berisha e akuzoi Ramën për urrejtje ndaj kundërshtarëve, si organizator të 21 janarit dhe si njeriun më antikombëtar. “Ti je vetëm energji negative, je vetëm urrejtje, shkove prishe pallatin e kundërshtarit vetëm nga urrejtja, minove pallate poshtë e përpjetë vetëm për qëllime politike, i ke shembur të gjitha me tapi. Në Shqipëri nuk ka më antikombëtar se sa Rama- thonë në Bruksel”, vijoi ai. Ndër të tjera Berisha e akuzoi edhe për lidhje me krimin. “Ty të ka dalë emri për lidhje me serial kille, që i fitove zgjedhjet me banda, të ka dalë nga prokuroria e Torinos për lidhje me Bandën e Lushnjes”, tha ai ndër të tjera. Pas fjalës së Berishës, Rama citoi gruan e diktatorit, sipas së cilës: Kur vdiq Enveri s’dija ç’të bëja më parë, të qaja burrin, apo të ngushëlloja Saliun se qante ai më shumë se të gjithë. Pas debatit me Ramën, ish-Kryeministri i është drejtuar Kryetarit të Kuvendit z. Meta, duke e quajtur shkarkimin e znj. Xhuka një akt të shëmtuar. Ai theksoi se, Meta nuk mund të sillet sikur Parlamenti të jetë kopshti i tij dhe i Ramës, duke e quajtur z. “Çintegrim”. “Unë nuk kam votuar për Xhukën meqë më bëre akuza”,-ka reaguar Ilir Meta.