Të zhgënjyer nga qeveria, mijëra protestues mbushën sheshet e kryeqytetit

448
Sigal

Lulzim Basha, kjo protestë popullore do të pasohet nga të tjera më të fuqishme, deri sa Kryeministri të marrë përgjegjësitë që i takojnë

Mesdita e djeshme e ka gjetur Partinë Demokratike dhe mbështetësit e saj në sheshin “Skënderbej”, aty ku 23 vite më parë u rrëzua busti i Enver Hoxhës. Të zhgënjyer nga qeveria, mijëra qytetarë nga mbarë vendi, zbarkuan në kryeqytet duke iu bashkuar protestës së drejtuar nga kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha. Kjo protestë u konceptua si një marshim mbarëpopullor dhe zgjati afërsisht 45 minuta. Mbështetësit e kësaj proteste me pankarta në duar, e nisën marshimin nga sheshi “Skënderbej”, për të vijuar më pas drejt bulevardit dhe për të ndaluar para godinës së Këshillit të Ministrave. Disa nga pankartat ishin: “Konsensus jo tritol”, “Respektoni Gjykatën Kushtetuese të rikthehemi në punë”, “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”, “Rilindja doli rrenë”, “Rama mashtruesi” etj. Pas ndalimit para Kryeministrisë, fjalimin e hapën dy të rinj dhe më pas fjalën e morën qytetarë  të larguar nga puna, të zhgënjyer për taksat, për legalizimet, etj.. Pas tyre podiumit iu drejtuar kreu i demokratëve, Lulzim Basha, i cili lëshoi akuza të ashpra ndaj qeverisjes Rama-Meta se po nëpërkëmbin Kushtetutën dhe qytetarët shqiptarë. Ai e ka cilësuar si emergjente, situatën në të cilën sipas tij kjo maxhorancë e ka katandisur vendin. Basha u shpreh se, mijëra qytetar të tjerë u penguan të jenë pjesë e kësaj proteste. Ai kujtoj gjithashtu dhe momente nga 20 shkurti i vitit 1991. “Ju drejtohem ju dhe atyre mijëra e mijërave që u nisën, por u penguan të bëhen pjesë e këtij marshimi ju falënderoj dhe shpreh mirënjohjen time. Ne vijmë sot për të përkujtuar një ditë të shënuar me germa të arta, kur 23 vjet më parë të rinjtë dhe të rejat, burrat dhe gratë e këtij vendi rrëzuan bustin e Enver Hoxhës që mbajti peng për 45 vite me radhë këtë vend. Nderim dhe mirënjohje të thellë për ta. Sot, 23 vite më pas vendi ndodhet në një udhëkryq të rrezikshëm, ditë pas dite shohim sesi po shkelen me këmbë nga qeveria Rama-Meta vlera të mëdha, vlera pa të cilat s’mund të jetohet, siç janë liria, të drejtat, shteti ligjor, zhvillimi, aspirata e integrimit. Kanë ngritur dorë kundër ligjit dhe nuk po ndalen, me këta horizonti i shpresës për Shqipërinë vetëm mbyllet. Jemi mbledhur me një urgjencë të madhe sot para se e keqja të prekë fundin, para se ekonomia të shkojë drejt rrënimit, para se të humbim statusin, barrikadë vendimtare kundër oligarkisë, pushtimit të pushtetit nga mafia, kundër kthimit prapa të demokracisë.  Jemi të gjithë bashkë për të treguar bashkë me gisht qeverinë, për mashtrimet dhe dështimet e saj të padëgjuara, për ta paralajmëruar që të kthehet me urgjencë në binarët  e ligjit para se të jetë vonë” tha ai. Ndërsa i ka bërë thirrje Kryeministrit të kthehet në binarët e ligjshmërisë, Basha ka paralajmëruar protesta të tjera derisa kjo qeveri të marrë përgjegjësitë ndaj qytetarëve. “Po si zgjidhet ky konflikt, ka vetëm një zgjidhje. Hap sytë, shikoje, sheshi, marshimi, protesta popullore si kjo e sotmja që do pasohet nga  protesta të tjera të fuqishme deri sa Kryeministri që ka grisur kontratën me votuesit e tij të marrë përgjegjësitë që i takojnë. Deri sa të vendoset si normë se kush mashtron për vota nuk do mund ti gëzohet pushtetit. Ju po shikoni tullumbacet ku janë shënuar premtimet mashtrime të Edi Ramës për legalizime falas, shëndetësi, vende pune. Mungon njëra, tullumbacja më e madhe e kohës, Edi Rama me qeverinë e tij. Sot jemi shumë, por nesër do jemi edhe më shumë”, përfundoi Basha.

Fundi i fjalimit të demokratëve ka shënuar dhe mbylljen e marshimit të opozitës, ku më pas qetësisht u bë dhe shpërndarja e protestuesve. I gjithë tubimi u përcoll nga masa të rrepta sigurie. Ndonëse në parlament maxhoranca vijonte me punimet e seancës dhe rendin e ditës, kjo se ka penguar Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri të përcjellë nga afër, pikërisht nga tarraca e Kryeministrisë të gjithë marshimin e qytetarëve. Përpara Kryeministrisë oficeret femra formuan kordonin, duke ruajtur godinën gjatë gjithë kohës së marshimit. Të distancuar nga dy kordonët e sigurisë së Kryeministrisë  ishin dhe forca të ndërhyrjes së shpejtë në gatishmëri. Gjithashtu, në gatishmëri ishte edhe efektivi i policisë rrugore në Tiranë.

Djali i Rexhep Mejdanit në protestë kundër Ramës

 Në protestën e qytetarëve, të cilët demonstruan pakënaqësitë për qeverinë, ishte dhe djali i një prej figurave historike në të majtën shqiptare, ish-presidentit Rexhep Mejdani. Denion Mejdanit iu bashkua radhës së protestës dhe sipas tij arsyeja e kësaj pjesëmarrje ishte shprehje e solidaritetit në përkujtimin e rrëzimit të komunizmit, por në të njëjtën kohë dhe protestë për veprimet tendencioze, arrogante e anti -ligjore të segmenteve të caktuara të kësaj qeverisje, të cilat sipas tij po pengojnë integrimin e vendit. Denion Mejdani, ka mbajtur post drejtues në Administratën Shtetërore, gjatë qeverisjes Berisha, por përplasjet me Drejtoreshën e Doganave kanë sjellë dhe shkarkimin e tij nga puna.

 Astrit Patozi: 21 shkurti, apel për të shkundur qeverinë që s’mban premtimet!

 TIRANË- Astrit Patozi, ish-kreu i grupit Parlamentar të PD-së në Parlamentin e kaluar, ka reaguar dje lidhur me protestën e së djathtës kundër qeverisë Rama duke kërkuar “ shkundjen e qeverisë së mosmbajtjes së premtimeve’. “23 vjet më parë Shqipëria e asaj kohe ishte një vend i dëshpëruar, ku e vetmja shpresë në horizont ishte rrëzimi i diktaturës dhe përqafimi i idealeve të lirisë. Greva e studentëve dhe shembja shtatores së Hoxhës shërbeu si mesazh i qartë për një ndarje të pakthyeshme me të shkuarën. Por çfarë po ndodh sot? Megjithëse, nuk është diktaturë, Shqipëria po kthehet dita ditës në një vend po aq të dëshpëruar, ku e vetmja shpresë është shkundja e sistemit, çlirimi nga arbitrariteti, arroganca dhe paligjshmëria, nxjerrja nga kthetrat e korrupsionit, i cili po kap gati çdo qelizë të administratës dhe të institucioneve tona. Në këto kushte, e vetmja shpresë është tek reagimi i fuqishëm qytetar, i cili nuk mund të fillojë dhe as të mbarojë në një ditë. Shenjat janë të mira, por edhe eksperienca e re ka dëshmuar se kjo qeveri nuk kupton gjuhë tjetër, përveçse asaj të imponimit të shoqërisë. Nxjerrja e Shqipërisë nga depresioni u takon të gjithëve, ashtu si 23 vjet më parë, kur më shumë se dy të tretat e këtij populli donin të shkëputeshin nga komunizmi”. Më tej ai u ndal në nevojën e marrjes pjesë në këtë protestë jo vetëm të PD-së e aleatëve, por të gjithë shqiptarëve masivisht, pasi pasojat e qeverisjes së keqe të së majtës po i vuan gjithë populli. “Ndaj 20 shkurti si protestë nuk mund të jetë vetëm i Partisë Demokratike, por sigurisht, që i takon asaj, si forca kryesore dhe udhëheqëse e opozitës të marrë përsipër dhe të organizojë çdo aksion të rëndësishëm politik të vendit. Kam bindjen e plotë se shqiptarët në shumicë dërrmuese kanë sot shumë më tepër arsye, sesa nevojat politike të opozitës për të protestuar. Kjo është sipas meje, analogjia më realiste e 20 shkurtit të sotëm me atë të 23 vjetëve më parë. Ndaj edhe ftesa jonë është e sinqertë. Dilni në shesh dhe qëndroni për kauzën tuaj!”,- përfundoi Astrit Patozi.