Kuvend, opozita ikën nga salla dhe rivjen për marrëveshjen me FMN

195

TIRANË – Marrëveshja e huasë mes qeverisë shqiptare dhe FMN-së, për marrjen e 331 milionë euro, ka rikthyer opozitën në Kuvend. Debati ka degjeneruar në përballje mes deputetëve për rregulloren e Kuvendit. Të mënjehershme kanë qenë edhe debatet mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

I pari që mori fjalën ishte deputeti socialist, Anastas Angjeli i cili sqaroi se huaja e marrë nga FMN është shoqëruar me dokumentacionin përkatës “për të rritur transparencën për grupet e interesit dhe për publikun.” “Vendimi për huamarrja erdhi si pasojë e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të FMN-së”, tha Angjeli.Ndërkaq deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka akuzuar qeverinë se, e ka mbajtur të fshehur marrëveshjen me FMN-në. Sipas tij, qeveria ka vënë taskë edhe për lëvizjen në kufi, ndërsa është marrë angazhimi për rritjen e çmimit të energjisë.

SEANCA PARLAMENTARE MINUTE PAS MINUTE

ORA 13:00 DEBATE TOPALLI-DULE PËR DREJTIMIN E KUVENDIT
Ish-kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli e nisi reagimin në seancën duke i dhënë ‘mësime’ kryesuesit të Kuvendit, Vangjel Dule. Topalli tentoi të marrë disa herë fjalën, duke arsyetuar se në bazë të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare deputetët kanë të drejtë të marrin fjalën më shumë se zakonisht. “Unë e marrë fjalën në zbatim të rregullores duke u bazuar në një eksperience 20-vjeçare. Kur bëhet fjalë për marrëveshje ndërkombëtare, në bazë të rregullores së Kuvendit dhe Kushtetutës, kemi të drejtë të flasim më shumë. Kryesuesi i Kuvendi duhet t’i respektoj ata që janë zgjedhur nga populli. E vetmja gjë që e keni për detyrë të bëni zoti kryesues i Kuvendit është ta lexoni rregulloren dhe Kushtetutën”, tha Topalli drejtuar Vangjal Dules, kryesuesi i seancës së sotme plenare.

ORA 12:30 SHEHU: QEVERIA E FSHEHU MARRËVESHJEN, DO RRISË TAKSAT
Deputeti i PD-së, Sherefedin Shehu ka akuzuar qeverinë se, e ka mbajtur të fshehur marrëveshjen me FMN-në. Sipas tij, qeveria ka vënë taskë edhe për kalimin e kufirit, ndërsa është marrë angazhimi për rritjen e çmimit të energjisë.“Me presionin e opozitës dhe të grupeve të interesit, qeveria e solli këtë marrëveshje për diskutime. Kjo është një marrëveshje e përgatitur në errësirë. Kjo është një marrëveshje e negociuar që në dhjetor 2013 dhe e firmosur në mars 2014 pa u konsultuar me asnjë person, institucion, etj”, tha Shehu. Sipas tij, “qytetarët duhet të dinë që ky nuk është një borxh institucional. Qeveria ka keqpërdorur emrin e FMN, duke mbuluar paaftësinë e saj, duke thënë se ne na pranon dhe po na jep borxh FMN”. “Ajo që shihet shumë qartë, janë taksat e rritura. Mes këtyre taksave është edhe ajo e kalimit të kufirit. Qeveria angazhohet në këtë marrëveshje për rritjen e çmimit të energjisë për qytetarët dhe uljen e çmimit të blerjeve nga koncesionarët”, tha gjatë fjalës së tij, deputeti demokrat, Sherefedin Shehu.

ORA 12:15 ANGJELI: HUAJA ËSHTË SHOQËRUAR ME DOKUMENTACION, RRIT TRANSPARENCËN
Deputeti socialist, Anastas Angjeli sqaroi se huaja e marrë nga FMN është shoqëruar me dokumentacionin përkatës “për të rritur transparencën për grupet e interesit dhe për publikun.”Sipas tij, vendimi për huamarrja erdhi si pasojë e bisedimeve mes qeverisë shqiptare dhe përfaqësuesve të FMN-së që vlerësuan se ekonomia kishte nevojë për një shtysë në mënyrë që të ketë rritje. Në vijim ai tha se janë dy elementet që e dallojnë këtë hua nga huat e mëparshme të marra nga FMN-ja dhe organe të tjera financiare, interesi i ulët dhe afati i maturimit.”

HALIMI: NE NË SEANCË QË QEVERIA TË MOS LIVADHISË ME FINANCAT
“Ne do të jemi prezentë në seancë për të mos e lënë qeverinë të livadhisë lirshëm mbi financat e qytetarëve dhe të rrisë borxhin, duke e rritur zgjedhën në qafën e tyre. Ne do të bëjmë debat mbi këtë marrëveshje dhe do të japim kontributin tonë”, tha deputeti i PD-së. Por, shtoi ai, opozita nuk do të bëhet pjesë e pikave të tjera rendit të ditës. Me të mbaruar fjalën e tij, Halimi ka deklaruar se opozita do të largohet nga salla e Kuvendit dhe do të rikthehet në të kur të vijë koha për të diskutuar në lidhje me marrëveshjen e huasë mes qeverisë dhe FMN-së.

KUVEND, DISKUTOHET PER HUANE PREJ 331 MLN EURO TE FMN
Kuvendi i Shqipërisë do të diskutojë sot marrëveshjen me FMN për marrjen e një huaje prej 331 milionë eurosh nga ana e qeverisë së Shqipërisë. Kjo marrëveshje pritet që të sjellë debate të ashpra gjatë seancës së sotme parlamentare, pasi opozita ka paralajmëruar se do e kundërshtojë ashpër.Në mbledhjen e grupit parlamentar të PD-së, kreu Lulzim Basha hodhi akuza ndaj qeverisë se nuk është treguar transparente për këtë marrëveshje.

Në rend dite në seancën parlamentare janë edhe disa projekt-ligjet të tjera:
Projektligji “Për miratimin e huamarrjes prej 295 420 000 SDR-SH, që Fondi Monetar Ndërkombëtar i akordon Shqipërisë për programin 36-mujor të ndihmës (EFF).

Projektligji “Për kujdesin shëndetësor të veçantë të punonjësve të strukturave speciale operacionale të Policisë së Shtetit”.

Projektligji “Për një shtesë në ligjin nr. 8438, datë 28.12.1998 “Për tatimin mbi të ardhurat” të ndryshuar”.

Projektligji “Për disa shtesa në ligjin nr. 7895, datë 27.01.1995 “Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë” të ndryshuar””.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Mbretërisë së Belgjikës, për mbrojtjen shoqërore”.

Projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së huasë, ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Ndërkombëtare për Rindërtim dhe Zhvillim (IBRD) për financimin e projektit të investimit në sektorin e ujit.