Kthimi i ”Antishpifjes” në Kuvend, KSHM: Presidenti mbrojti Kushtetutën, vijojmë betejën

515

Këshilli Shqiptar i Mediat ka reaguar sot pas vendimit të presidentit Ilir Meta për të kthyer në Kuvend paketën anti-shpifje. Në një deklaratë për mediat ka bërë me dije përshëndet vendimin e Presidentit dhe e quan një vendim në mbrotje të Kushtetutës dhe vlerave Europiane.

Më tej në deklaratë shtohet se qëndrimi i Presidentit të Republikës në këtë rast, përputhet me qendrimin e Këshillit të Medias, komunitetit të gazetarëve shqiptarë, shoqatave ndërkombëtare e lokale të gazetarëve, shoqatave kombëtare e ndërkombëtare të shoqërisë civile. “Nëse Partia Socialiste dëshiron të vazhdojë me këtë projekt për mbylljen e gojës së mediave online, ne do të konsumojmë të tëra hapat juridikë në vend e jashtë tij”, shtohet më tej.

REAGIMI I PLOTË

Këshilli Shqiptar i Medias gjykon se kthimi nga Presidenti i Republikës i ligjit të AMA-s, i cili gabimisht ose qëllimisht për të keqinformuar quhet referohet si “Anti-shpifje”, është një vendim në mbrojtje të Kushtetutës dhe vlerave Europiane. Praktikisht, me përjashtim të Partisë Socialiste dhe institucioneve që ajo zotëron, drejton apo ka shumicën absolute, si Qeveria Shqiptare, Kreu i OSBE-së dhe Kuvendi i Shqipërisë, të gjitha institucionet dhe organizatat kombëtare e ndërkombëtare janë kundër këtij ligji i cili censurën edhe atë pak liri që ka mbetur në mediat shqiptare.

Qëndrimi i Presidentit të Republikës në këtë rast, përputhet me qendrimin e Këshillit të Medias, komunitetit të gazetarëve shqiptarë, shoqatave ndërkombëtare e lokale të gazetarëve, shoqatave kombëtare e ndërkombëtare të shoqërisë civile; ai madje përputhet edhe me qendrimin e vetë AMA-s dhe është në një vijë me qendrimin e Këshillit të Europës dhe të BE-së, me atë të Komisionierit të Kombeve të Bashkuara madje edhe qendrimin e zyrës së OSBE-së në Vjenë, e cila përmes z. Desir, (pas miratimit të ligjit) doli me deklaratën që nuk janë të lumtur me këtë produkt. KSHM dhe organizatat e tjera të medias, në përfaqësim të interesave të medias së re, në bashkëpunim me partnerët ndërkombëtarë do të vazhdojnë ta luftojnë këtë ligj censure me dy mënyra.

Së pari ne do të prezantojmë së shpejti një platformë vetërregullimi e cila do të synojë përmirësimin e etikës në mediat online. Së dyti, nëse Partia Socialiste dëshiron të vazhdojë me këtë projekt për mbylljen e gojës së mediave online, ne do të konsumojmë të tëra hapat juridikë në vend e jashtë tij. Ky ligj është një tentativë për të kontrolluar median online kritike me qeverinë, dhe faktet kanë treguar që në Europën e sotme këto ligje nuk mund të jenë jetëgjata. Ne jemi shumë afër Europës dhe shanset për të imponuar sistemin kinez apo rus të kontrollit të medias nuk mund, nuk duhet e nuk do të tolerohen.

Maxhoranca në 19 dhjetor të vitit të kaluar kaloi në Kuvend paketën e njohur si anti-shpifja dhe pse kundër saj kishte reaguar opozita, komuniteti i gazetarëve në vend dhe Evropë, por dhe institucione të ndryshme si BE apo KiE. Paketa u kundërshtua dhe nga OSBE, por një ditë para miratimit ky institucion ndyshoi qëndrim dhe u shpreh se do ndiqte hap pas hapi dhe mënyrën e zbatimit. Kundër paketës pati dhe protestë nga komuniteti i gazetarëve, të cilët kanë ngritur zërin për më shumë se një vit dhe para ditën e miratimit nga Kuvendit kundërshtuar këtë ligj dhe u shprehën se po instalohet censura. Por qeveria dhe Edi Rama u shprehën se paketa është e nevojshme dhe duhet të futet në zbatim shumë shpejt pasi duhet të dënohen shpifësit. Ligjet e ‘anti-shpifjes’ kundërshtohet pasi AMA (Autoriteti i Mediave Audiovizive) dhe AKEP (Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare) marrin kompetencat e gjykatës dhe gjobat e majme që vendosen prej tyre duhet të ekzekutohen pa u shprehur një trup gjykuese. Këto institucione kanë mundësi dhe të mbyllin një media, pasi denoncimeve nga qytetarët.