Bardhi: Rama e diskriminoi Jugun gjatë qeverisjes së Rilindjes. Opozita i fiton zgjedhjet

276
Sigal

Gazment Bardhi është i sigurt për fitoren e opozitës së bashkuar në zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm. Sekretari i përgjithshëm i PD-së ishte sot në Gjirokastër, ku ndoqi nga afër procesin e votimit për kandidatët për deputetë, faza e dytë.

Në një prononcim për mediat, Bardhi tha se pritshmëritë e PD-së dhe opozitës së bashkuar janë për fitore të thellë jo vetëm në qarkun e Gjirokastrës, por në të gjithë vendin, pasi sipas tij, qeveria e ka diskriminuar Jugun.

“Interesi i anëtarëve të partisë është i madh, që tregon se është një proces që dëgjon zërin e qytetarëve për t’u shprehur mbi cilësinë e kandidatëve, që Gjirokastra të përfaqësohet me njerëz me integritet.

Uroj që procesi të shkojë pa probleme dhe në fund të zgjidhen me të mirët, që të paraqitemi me njerëzit me të mirë. Kjo nuk është lista finale, por e kandidatëve, por e sigurt është që përfaqësuesit e PD-së në listën finale do të jenë më të mirët të Gjirokastrës.

Gjatë 7 viteve që qeverisemi nga Rama, jo vetëm Gjirokastra, por gjithë Jugu ka qenë i diskriminuar, ka munguar vëmendja ndaj halleve të qytetarëve dhe biznesit. Braktisje totale nga qeveria. Prishtimëria e PD-së jo vetëm për Gjirokastrën por gjithë Shqipërinë është fitore e thellë. Në Gjirokastër opozita e bashkuar do të jetë fituese” tha ai.