Kryetari i Kuvendit, z.Ilir Meta, u prit sot ne Baku nga Kryeministri i Azerbajxhanit, z. Artur Rasizade

441
Sigal

Gjatë vizitës së tij zyrtare në Azerbajxhan, Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, z. Ilir Meta,  u prit nga Kryeministri i vendit, z. Artur Rasizade, me të cilin vlerësuan ndjenjat e ngrohta të miqësisë mes dy popujve dhe nevojën e intensifikimit të marrëdhënieve dypalëshe.

 Duke biseduar mbi nivelin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve, Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe Kryeministri Rasizade ndanë bindjen se marrëdhëniet ekonomike në të ardhmen duhet të reflektojnë të njëjtin nivel të shkëlqyer si ato politike.

 Në këtë drejtim, z. Meta vuri në dukje se me fillimin e punimeve të Gazsjellësit TAP, hapen mundësi të shumta bashkëpunimi dhe investimi, jo vetëm për sa i përket ndërtimit të gazsjellësit, por edhe në funksion të Masterplanit për gazifikimin e Shqipërisë, ku eksperienca azere është e zgjeruar dhe e provuar.

 Duke vënë theksin në kualifikimin e specialistëve shqiptarë në fushën e industrisë së naftës dhe të gazit, z. Meta dhe z. Rasizade diskutuan gjithashtu për rritjen e bashkëpunimit në fushën e arsimit, mes universiteteve dhe shkollave profesionale, por edhe në funksion të trajnimit të specialistëve shqiptarë në shkollat e specializuara të Azerbajxhanit.

 Në përfundim, Kryetari i Kuvendit z. Meta dhe Kryeministri i Azerbajxhanit z. Rasizade ranë dakord për thellimin e kuadrit ligjor ku përshpejtimi i marrëveshjeve bilaterale në proces ka një rëndësi të veçantë, veçanërisht në drejtim të eliminimit të taksimit të dyfishtë dhe të heqjes së vizave për qytetarët shqiptarë.