Kryeministri bullgar telefonon Ramën: Të mbrohen të drejtat e minoritetit tonë në Shqipëri

83
Boyko Borissov, kryeministër i Bullgarisë, ka zhvilluar një bisedë telefonike me homologun e tij shqiptar, Edi Rama, raporton agjensia bullgare e lajmeve.
Mësohet se kryeministri Borissov ka kërkuar respektimin e të drejtave të minoritetit kombëtar bullgar në Shqipëri, sipas standardeve ligjore ndërkombëtare.
“Biseda mori shtysë nga një ligj që synon mbrojtjen e të drejtave të pakicave që u hartua nga qeveria shqiptare. Borissov tha se ai priste që legjislacioni të përfshinte parashikimin për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit bullgar”, raporton agjencia shtetërore bullgare.
“Edi Rama siguroi kryeministrin bullgar se ligji është ende duke u përgatitur dhe u zotua se vendi i tij nuk do të shkelte interesat e minoritetit bullgar. Ai deklaroi se komunikimi me Bullgarinë do të vazhdonte dhe se interesat bullgare në Shqipëri do të mbroheshin”, vijon më tej njoftimi.
Ndërkohë në draftin e propozuar dhe që u paraqit në Komisionin përkatës Parlamentar nga ministri i Jashtëm Ditmir Bushati nuk njihet ndonjë minoritet kombëtar bullgar në Shqipëri. Çështja duket se nuk është kaq e thjeshtë.
Agjencia njofton se ka lëvizje aktorësh politikë në Bullgari që kërkojnë të drejtat për bullgarët e Shqipërisë.
Deputeti Anton Donchev ka kërkuar në një seancë parlamentare që çështja e bullgarëve të Shqipërisë të bëhet çështje kryesore shtetërore dhe prioritet i presidencës bullgare të BE-së gjatë fillimit të vitit 2018. Sipas këtij deputeti, numri i bullgarëve në Shqipëri arrin nga 50 000- 100 000.