Kryemadhi: Të dëmtuarit nga tërmeti, qeveria e papërgjegjshme dhe anti-humane, LSI do marrë përgjegjësi

565
Sigal

Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi, në takimin e mbajtur sot me strukturat e LSI në Elbasan, deklaroi se mungesa e përgjegjësisë dhe e respektit ndaj qytetarëve nga ana e qeverisë është nga arsyet që qytetarët, të cilët kanë mbetur pa shtëpi vazhdojnë jo vetëm në çadra, por dhe ata që kanë qenë të strehuar në hotele, sot kanë dalë nga hotelet dhe detyrohen të dalin duke u tallu me bonusin qesharak të shtëpive.

“Prandaj LSI është partia që nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive, por përkundrazi i ka përballuar ato dhe ne angazhohemi për të çuar deri në fund të gjitha reformat, të cilat kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian”, deklaroi Kryetarja e LSI-së ndër të tjera.

Hap pas hapi. Të ndjekim dokumentarët me metrazh të shkurtër dhe me metrazh të gjatë të kryeministrit tonë sesi përmallohej dhe puthte duart dhe në ballë viktimash dhe sot më datë 12 janar qytetarët, të cilët kanë mbetur pa shtëpi vazhdojnë jo vetëm në çadra, por dhe ata që kanë qenë të strehuar në hotele, sot kanë dalë nga hotelet dhe detyrohen të dalin duke u tallu me bonusin qesharak të shtëpive.
Do të shikojmë sesi papërgjegjshmëria e një qeverie, e cila vazhdon të jetë akoma në qëndrimet e saj, jo vetëm të papërgjegjshme, por anti-humane ndaj qytetarëve të saj. Mungesa e përgjegjësisë dhe e respektit ndaj qytetarëve çdo ditë e më shumë shtohet dhe kjo vjen si rezultat i arrogancës, vjen si rezultat i asaj që i ka munguar qeverisje, dashura për qytetarët, dashura për njerëzit e vendit të saj.

Në fakt korrupsioni është ajo që e mban gjallë këtë arrogancë dhe që e ushqen pafundësisht këtë qeveri sepse nëpërmjet korrupsionit blihen mediat, nëpërmjet korrupsionit blihet heshtja e qytetarëve, nëpërmjet korrupsionit blihet dhe mbyllet goja e zërit të lirë, nëpërmjet korrupsionit bllokohen procedura dhe reforma, të cilat janë shumë të rëndësishme dhe të domosdoshme për zhvillimin e vendit.

Ne si Lëvizjes Socialiste për Integrim angazhohemi çdo ditë e më shumë sepse deri më sot ne kemi qenë në kuadrin e denoncimit, por që këtej e tutje pozicionimi ynë është duke marrë përsipër përgjegjësitë tona si një parti politike, si një nga tre partitë politike më të mëdha në vend, por nuk është kjo rëndësia dhe vlera që ka LSI-ja sepse nuk është rëndësia tek numri i votave dhe nuk është rëndësia tek pjesëmarrja jote në Parlament apo jo, por është rëndësia tek përgjegjësia dhe angazhimi që merr ndaj qytetarëve dhe ndaj vendit tonë.

Prandaj LSI është partia që nuk i është shmangur asnjëherë përgjegjësive, por përkundrazi i ka përballuar ato dhe ne angazhohemi për të çuar deri në fund të gjitha reformat, të cilat kanë të bëjnë me integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke filluar me Reformën Zgjedhore, Reformën në Drejtësi, Reformën për Administratën Publike dhe reforma të tjera, të cilat janë të domosdoshme për funksionimin dhe hapjen e negociatave me BE-në sepse hapja e negociatave të Shqipërisë me BE-në është një nga prioritetet kryesore jo vetëm të Lëvizjes Socialiste për Integrim, por dhe e 99% te shqiptarëve sepse vetëm në këtë mënyrë shqiptarët mund të kenë një të ardhme të sigurt për veten e tyre, familjen e tyre dhe fëmijët e tyre.