Kryemadhi: Mazhoranca bllokon vetingun

649
Kryetarja e LSI, Monika Kryemadhi, gjatë takimit me Komisionerin për Zgjerimin, Johannes Hahn, falënderoi Bashkimin Evropian për mbështetjen e Shqipërisë në ecurinë e procesit të integrimit evropian si dhe për asistencën financiare ndër vite për reformat integruese. Në mënyrë të veçantë, kryetarja e LSI-së ka vlerësuar investimin e partnerëve ndërkombëtarë, BE dhe SHBA për Reformën në Drejtësi, por ka denoncuar bllokimin nga ana e mazhorancës aktuale të ngritjes së strukturave të vetingut, të cilat janë shtylla kryesore të reformës. Kryemadhi i parashtroi Komisionerit faktet për situatën e rënduar politike, ekonomike dhe sociale, ku theksi është vendosur te influenca direkt e krimit të organizuar në zgjedhjet e 25 qershorit, si dhe aktualisht në instancat shtetërore apo në qeverisje. Kryetarja e LSI kërkoi nga Bashkimi Evropian hapjen sa më të shpejtë të negociatave, si garanci për të luftuar bashkërisht krimin, drogën dhe korrupsionin qeveritar, për të rikthyer stabilitetin, ringritjen e shtetit të së drejtës dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Ajo ndër të tjera theksoi nevojën për një rol më aktiv, denoncues dhe paralajmërues ndaj qeverisë nga Bashkimi Evropian, ku në këtë situatë ku është Shqipëria është vendimtare, jo për fatin politik të opozitës, por për fatin e vendit dhe shqiptarëve.
Sigal