Kryeauditues në KLSH, Niko Nako: Edhe njëherë për problemet e shqetësimet e Ujësjellësve sh.a

1057
Ujësjellësit sh.a (Shoqëri anonime) që vazhdojnë të “hanë veten ” i domosdoshëm ndryshimi i formës së organizimit. Nga auditimet e KLSH ka rezultuar se kuadri ligjor dhe nënligjor për rregullimin veprimtarisë tyre nuk është i plotë, në mjaft Ujësjellës kanë rezultuar shkelje
Niko Nako
Kryeauditues në KLSH
Nëse pa energji elektrike mund të rrish edhe 1 javë, pa ujë nuk mund të rish as 1 ditë, kur çmimi dhe fatura e ujit nuk shkon më tepër se 1 kafe në ditë dhe kur UJI është jetik për njerëzit, atëherë pse nuk paguhet? I pengon mentaliteti i Shqiptarit se pritet falja e radhës, pamundësia për të paguar apo mungesa e organizimit dhe mos zbatimi i ligjit, duket se më tepër qëndron kjo e fundit.
Probleme për zgjidhje në Ujësjellës sh.a., ka shumë. Ne armatën prej mbi 5400 punonjësve që numërojnë aktualisht Ujësjellësit sh.a., ka specialiste, inxhiniere Hidro te talentuar dhe mjeshtër punonjës Ujësjellësi sh.a. me mjaft përvojë, por ata ose nuk i pyet kush ose pajtohen me gjendjen e këtyre Shoqërive. Nuk duhen shkurtuar punonjësit por duhet të administrohet dhe paguhet gjithë uji i konsumuar. Nga mos kontrolli dhe kërkesa e llogarisë e Degëve teknike dhe veçanërisht të Drejtuesve të këtyre Shoqërive, duke përfituar edhe nga fakti që matësit e ujit janë vendosur në shkallët e pallateve nuk janë të sigurte nga ndërhyrjet apo çplumbosja e tyre duke bërë ndërhyrje në matësit e ujit, madje ka raste që faturohen sasi uji njësoj si një fabrikë e cila shpenzon me mijëra m3 në ditë me një qytetar të thjesht që ka vetëm 1 çezmë dhe i faturohet 1m3 ne ditë, pa harruar lavazhet, lidhjet dytësore etj. Në 56 Shoqëritë e Ujësjellësve sh.a., në shkallë vendi janë punësuar rreth 5,400 punonjës duke shpenzuar vetëm për pagesën e Këshillave Mbikëqyrëse mesatarisht rreth 45- 50 milion lekë /vit. Nga numri prej 5400 punonjës rreth 40% e zënë 5 Ujësjellësit sh.a., respektivisht: Tirana 1170 punonjës, Durrësi 605 punonjës, Feri 302, Berati 249, Shkodër 226 punonjës etj.
Nga auditimet e ushtruara nga KLSH ka rezultuar se kuadri ligjor dhe nënligjor për rregullimin veprimtarisë tyre nuk është i plotë, në mjaft Shoqëri anonime të Ujësjellësve kanë rezultuar mjaft shkelje ku mund të përmendim:
Së pari:
Kuadri ligjor në fuqi për Ujësjellësit sh.a.:
Para transferimit të ish-ndërmarrjeve të Ujësjellës-Kanalizime në pushtetin vendor, veprimtaria e Këshillave Mbikëqyrëse rregullohej bazuar në VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për funksionimin e Këshillave Mbikëqyrës”, ndryshuar me VKM nr.677, datë 3.10.2007 dhe VKM nr. 215, datë 28.3.2012. Pas daljes së VKM nr. 660, datë 12.09.2007 “Për transferimin e aksioneve të Shoqërive të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve Njësive të Qeverisjes Vendore” dhe një sërë vendimesh të tjera të mëvonshme u bë transferimi i aksioneve dhe pronave nga Ministria e Ekonomisë në pushtetin vendor duke ndryshuar edhe statusit juridik nga ish-ndërmarrje shtetërore në shoqëri anonime shtetërore shkurt sh.a.. Duke bërë edhe regjistrimin në QKR.
Pra në asnjë nga 3 VKM e mësipërme nuk përcaktohet qartë:
a. Ku klasifikohen Ujësjellësit sh.a. në Shoqëri strategjike, jo strategjike, apo jostrategjike vendore.
b. Si do të bëhet shpërblimi (pagesa) e Këshillave Mbikëqyrës, mbi bazën e përqindjes së pagës Sekretarit të Përgjithshëm Ministrisë Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë Turizmit dhe Sipërmarrjes apo meqenëse aksionet janë transferuar në pushtetin vendor të paguhen në përqindje mbi pagën e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës.
c. Si do të bëhet pagesa dhe sa e sekretarit të këshillit mbikëqyrës.
A. Për gjendjen e krijuar me Vendimin e Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 137, datë 30.09.2015 përcjellë me shkresën nr. 527/217 date 10.10.2015, KLSH bazuar në nenin 18-Revokimi dhe ndryshimi i akteve, të ligjit nr.154/2014, datë 22.11.2014 “Për Kontrollin e Lartë të Shtetit”, dhe nenin 26, të ligjit nr. 9000, datë 30.01.2003 ”Për organizimin dhe funksionimin e Këshillit të Ministrave, u ka rekomanduar 3 Ministrive, respektivisht: Ministrisë Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes në bashkëpunim me Ministrisë e Transportit dhe e Infrastrukturës. Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe Ministrinë e Financave, rekomandime konkrete.
Nga Ministria e Ekonomisë Tregtisë Turizmit dhe Sipërmarrjes të ndërmerret iniciativa për :
a) Ndryshimin e Ligjit nr. 10 264, datë 8.4.2010 “Për një ndryshim dhe shtesë në ligjin nr. 7926, datë 20.4.1995 “Për transformimin e ndërmarrjeve shtetërore në shoqëri tregtare”, të ndryshuar në nenin 8, duke kërkuar shfuqizimin e pikës nr. 1.a. të nenit 8, në të cilën përcaktohet që “1/3 e anëtarëve propozohet nga Ministri i Financave” dhe neni 8 të riformulohet:
“Anëtarët e Këshillave Mbikëqyrëse të shoqërive aksionare shtetërore i propozohen Ministrit të Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (sot MZHETTS) si më poshtë:
b) 1/3 e anëtarëve caktohet nga Ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës;
c) 2/3 e numrit të anëtarëve propozohet nga ministria e linjës administrative apo nga organi i qeverisjes vendore, që përfaqëson shtetin për shoqërinë shtetërore përkatëse.
b) rishikimin dhe ripunimin thelbesor të kuadrit rregullator me synim hartimin një Vendimi të ri të Këshillit të Ministrave dhe Udhëzimi të ri duke reflektuar të gjitha problematikat e këtyrë 15 viteve pasi si VKM nr 642 datë 11.10.2005 i ndryshuar me VKM nr 677 datë 03.10.2007 “Për Këshillat Mbikëqyrës të Shoqërive Anonime Shtetërore dhe ne Udhëzimin e Ministrit nr 318 datë 08.04.2009 “Për emërimin, funksionimin dhe shpërblimin e Këshillit Mbikëqyrës në shoqëritë anonime shtetërore” datojnë që para daljes së Ligjit nr. 10264, datë 08.04.2010.
c)Në funksion të unifikimit të mënyrës së pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a., nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik,Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes, në bashkëpunim me Ministrinë e Transportit dhe Infrastrukturës, Ministrin e Shtetit për Çështjet Vendore dhe Ministrinë e Financave, që të ndërmarrin nismën ligjore dhe të paraqesin në Këshillin e Ministrave, projekt-vendim mbi mënyrën dhe masën e pagesës së anëtarëve dhe sekretarëve të Këshillit Mbikëqyrës të Ujësjellës-Kanalizime sh.a., kryesisht në rregullimin e problemeve të mëposhtme:
-Shoqëritë e Ujësjellësve sh.a., aksionet e të cilëve janë transferuar në pushtetin vendor të mos klasifikohen si Shoqëri Strategjike, por si Shoqëri jo strategjike vendore, pasi nuk mund të konsiderohet shoqëri strategjike një Ujësjellës me 10 punonjës.
-Pagesa e Këshillave Mbikëqyrës të mos kushtëzohet nga paga e Sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës, por nga tregues të tjerë, si numri i punonjësve, xhiroja apo volumi i shitjeve të ujit, etj.
-Pagesa e sekretarit të Këshillit Mbikëqyrës të vendoset për pjesëmarrjen në çdo mbledhje të zhvilluar dhe jo pagë fikse mujore, njëkohësisht të jetë punonjës i Shoqërisë.
-Në këtë kuadër të bëhet edhe rregullimi i sistemit të pagave të Shoqërive të Ujësjellës Kanalizimeve sh.a., duke vendosur kufij maksimalë për pagat e punonjësve dhe veçanërisht unifikimin e pagave të administratës dhe drejtorit të shoqërisë në vendosjen raporteve të drejta me pagat e punonjësve. Kjo pasi u konstatuan raste të caktimit të pagës së drejtorit të shoqërisë nga ana e Këshillit Mbikëqyrës në nivele mjaft të larta; përmendim rastin e Ujësjellësit sh.a. Puke-Fshat ku paga e Drejtorit ishte caktuar 90 000 lekë/muaj, ndërkohë që shoqëria kishte gjithsej 10 punonjës.
– Të rishikohet numri i anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, me synim reduktimin e numrit të anëtarëve të Këshillit Mbikëqyrës, pasi si shoqëritë me 10 punonjës dhe ato me mbi 600 punonjës kanë të njëjtin numër prej 6 anëtarësh.
Nga auditimet e kryera nga KLSH për pagesën e bordeve dhe Këshillave Mbikëqyrëse ka rezultuar se në 14 Ujësjellës sh.a. janë kryer pagesa të tepërta duke shkaktuar një dëm ekonomik në vlerën 5,183,375 lekë, ku përmendim; Ujësjellësi sh.a. Fier në vlerën 1.440.278 lekë, Durrës në vlerën 421,589 lekë, Fushë-Krujë në vlerën 246 713 lekë, Elbasan-Qytet, në vlerën 741,895 lekë, Patos në vlerën 486,698 lekë, Mirditë në vlerën 1,044,402 lekë, Ura Vajgurore në vlerën 251,100 lekë, etj.
– Nga 56 Ujësjellës sh.a., në shkallë vendi 44 Ujësjellës sh.a. i kanë paguar sekretarët e Këshillit më tepër se përcaktimi në udhëzim e Ministrisë Ekonomisë, duke shkaktuar buxheteve të Ujësjellësve sh.a një dëm ekonomik në vlerën 1,552,070 lekë.
Së dyti:
Gjatë auditimit është konstatuar se disa anëtarë të këshillave Mbikëqyrëse të 8 Ujësjellësve sh.a., përfaqësues të Bashkive ndodhen në kushtet e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private dhe konkretisht:
Në Këshillat Mbikëqyrëse të 8 Ujësjellësve rreth 14 ish-Kryetarë Bashkie dhe Komune duke qenë në pozicionet e kryetarit të Bashkisë apo Komunës, njëherazi nga Asambletë e Aksionarëve apo Këshillat Bashkiake (kur ka qenë vetëm 1 aksionar), KLSH dyshon se këto raste janë në gjendjen e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari. Kjo në kuptim të ligjit nr. 9367, datë 7.4.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” i ndryshuar, neni 29 -Kufizimet për kryetarin e bashkisë, të komunës dhe të Këshillit të qarkut,shkronja a) ku përcaktohet se: Kryetarët e Bashkive dhe Komunave nuk mund të jenë Drejtues ose anëtarë të organeve Drejtuese të organizatave fitimprurëse, që ushtrojnë veprimtarinë brenda territorit të juridiksionit të tij.
Për rastet e gjendjes në kushtet e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private, KLSH bazuar marrëveshjen e nënshkruar më datën 02.03.2012 ndërmjet Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit dhe Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive përfaqësuar nga Kryeinspektori dhe ligjin nr. 9367, datë 07.04.2005 “Për parandalimin e konfliktit të interesave në ushtrimin e funksioneve publike” neni 8- Identifikimi i interesave private të zyrtarit nga persona të tretë, KLSH me shkresën nr. 527/176 datë 31.07.2015 i ka ofruar Inspektoratit të Lartë për Deklarimin dhe Kontrollin e Pasurive, informacionin për dyshime se janë në gjendjen e konfliktit ndërmjet detyrës publike dhe interesave private të një zyrtari për 15 persona.
Do vendoset faksimile pjesë e skanuar e Vendimit të Kryetarit të Kontrollit të Lartë të Shtetit nr. 137, datë 30.09.2015 dhe shkresës KLSH nr. 527/217 date 10.10.2015 dërguar 3 Ministrive respektivisht: Ministrisë Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë, Turizmit dhe Sipërmarrjes në bashkëpunim me Ministrisë e Transportit dhe e Infrastrukturës. Ministrinë e Çështjeve Sociale dhe Ministrinë e Financave
– Mbi auditimet e ushtruara nga KLSH në shoqëritë e Ujësjellës Kanalizime sh.a..
Për vitet 2016-2017, nga Departamenti i Auditimit të Shoqërive Publike, janë audituar mjaft shoqëri Ujësjellës Kanalizime sh.a.. Nga auditimet e kryera kanë rezultuar dëme ekonomike të konsiderueshme në vlerën 180,597 mijë lekë dhe shpenzime dhe/ose të ardhura jo në përputhje me parimet e ekonomicitetit, eficiencës dhe efektivitetit në vlerën 18,399 milion lekë.
Për shpërdorime me dëm ekonomik të konstatuara nga auditimet e KLSH, përmendim: Ujësjellës Kanalizime sh.a. Durrës për vitin 2016 me një dëm ekonomik në vlerën 15,001 mijë lekë, Ujësjellës Kanalizime sh.a. Pogradec për vitin 2016 me një dëm ekonomik në vlerën 3,757 mijë lekë, Ujësjellës Kanalizime sh.a. Tiranë për vitin 2017 me një dëm ekonomik në vlerën 95,931 mijë lekë, Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë për vitin 2017 me një dëm ekonomik në vlerën 47,619 mijë lekë, Ujësjellës Kanalizime sh.a. Shkodër për vitin 2016 me një dëm ekonomik në vlerën 1,930 mijë lekë etj.
Nga ana e KLSH për rastet e abuzimeve në Ujësjellës sh.a. gjatë kësaj periudhe përveç se është rekomanduar dëmshpërblimi i dëmit në masën 100%, në disa raste janë dërguar në organet e Prokurorisë duke kërkuar Kallëzime Penale për nivele të larta drejtuesish e konkretisht: për Drejtorin e Ujësjellësi sh.a. Korçë, Drejtorin e Ujësjellës Kanalizime sh.a. Durrës, Drejtorin e Ujësjellës Kanalizime sh.a. Lushnjë etj.
Por çfarë është bërë pas 2 vjetësh në zbatim të rekomandimeve të KLSH?
Si fillim u pranuan rekomandimet e KLSH dhe me Vendimin e Këshillit Ministrave nr. 63, datë 27.1.2016 ”Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, u shfuqizuan 3 VKM e mëparshme respektivisht VKM nr. 642, datë 11.10.2005 “Për funksionimin e Këshillave Mbikëqyrës”, ndryshuar me VKM nr .677, datë 3.10.2007 , VKM nr. 215, datë 28.3.2012. dhe VKM nr. 660, datë 12.09.2007 “Për transferimin e aksioneve të Shoqërive të Ujësjellësve dhe Kanalizimeve Njësive të Qeverisjes Vendore
Në Vendimin e Këshillit Ministrave nr. 63, datë 27.1.2016 ndër të tjera në statutet e këtyre Shoqërive, aksionet e tyre u janë transferuar përkohësisht Këshillave Bashkiake dhe nuk do ketë më Këshilla Mbikëqyrëse, por si struktura drejtimi përveç Drejtorisë do funksionojnë Këshillat e Administrimit me 3 persona.
Sipas nenit 5 të Statutit Tip të Ujësjellës sh.a., Organet e shoqërisë së ujësjellës-kanalizimeve sh.a., janë:
a) Asambleja e Përgjithshme;
b) Këshilli Administrimit përbëhet nga 3 (tre) anëtarë, 1 (një) prej të cilëve është administratori dhe 2 (dy) janë persona të cilët nuk janë të punësuar në shoqëri.
c) Administratori (Drejtori i shoqërisë) dhe nga ky i fundit zgjidhen 2 drejtorë njëri për anën teknike dhe tjetri për anën ekonomike
Neni 6, Asambleja e Përgjithshme (AP)
1. Asambleja e Përgjithshme përfaqësohet nga kryetari i bashkisë përkatëse, i cili merr vendime brenda kompetencave të parashikuara nga ligji për organizimin dhe funksionimin e qeverisjes vendore.
5. Bashkitë dhe shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve sh.a.., janë të detyruara të respektojnë marrëveshjet, detyrimet kontraktore, kontratat e shërbimit, si dhe çdo të drejtë /detyrim që rrjedh prej tyre, të nënshkruara ndërmjet Këshillit të Ministrave, ministrive dhe institucioneve qendrore, shoqërive të ujësjellës- kanalizimeve dhe ish-njësive të qeverisjes vendore me institucionet financiare ndërkombëtare dhe me shoqëritë kontraktuese.
Edhe pse kane kaluar 2 vjet që ka dale Vendimi i Këshillit Ministrave nr. 63, datë 27.1.2016, ”Për riorganizimin e operatorëve që ofrojnë shërbimin e furnizimit me ujë të pijshëm, grumbullimin, largimin dhe trajtimin e ujërave të ndotura”, gjendja e Ujësjellësve sh.a. është si më parë dhe në mos më keq. Ky vendim në pamje të parë duket sikur sjell një gjë të re duke lidhur kontrata ndërmjet administratorit të Shoqërie Ujësjellës sh.a. pra Drejtorit me Këshillin e Administrimit (kontratë e cila ka ekzistuar edhe më pare me Këshillin Mbikëqyrës) dhe një kontratë ndërmjet Bashkisë dhe Ministrisë së Linjës e cila është pa vlerë juridike, pasi Ujësjellësit sh.a. janë Shoqëri anonime dhe janë të pavarura në vendimmarrjen e tyre.
Ky vendim sipas rekomandimit të KLSH, nuk ka vendosur klasifikimin e Ujësjellësve sh.a., nuk ka vendosur kritere për përcaktimin e pagave të administratës dhe Drejtorit (administratorit shoqërisë), nuk është bërë një riklasifikim dhe nuk është vendosur një tabelë orientuese të pagave dhe aktualisht një punëtor i thjeshte në Ujësjellës sh.a., paguhet jo me tepër se 25,000 lekë muaj, kurse administrata mbi 50.000-70,000 leke muaj, drejtori i shoqërisë varion mbi 80,000 deri 120,0000 lekë muaj, si ne Pukë me 10 punonjës dhe ne Durrës me 650 punonjës.
B. Një problem social tejet i mprehtë është mos pagesa nga ana e mjaft Shoqërive të Ujësjellësve të kontributit të sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore për punonjësit e tyre, ku një pjesë e mirë e tyre janë ne prag pensioni, ngarkesa me kamat-vonesa, mbytja me borxhe nga OSHE për mos pagesën e energjisë elektrike, e cila në Ujësjellësit sh.a. me ngritje mekanike paguhet me çmim biznesi 14 lekë/kv.
Sipas të dhënave jo zyrtare më datën 31.12.2017 borxhet e energjisë elektrike shkojnë në mbi 8,713,106,468 lekë, nga të cilat 2,843,784,890 janë kamat vonesa. Kreditë afat gjata të mara për ndërtimet e mjaft Ujësjellësve të rinj nga Banka Gjermane (KFV) , mbytja e 5-6 prej tyre me borxhe dhe kredi afat gjata, për blerjen e të ashtuquajturve, Matësit e ujit (sahatet) me Warles, me “komandim ne distance”, si ne Ujësjellësit sh.a., Berat, Korçë, Pogradec, Lushnjë, Fier, dhe asnjë Këshill Bashkiak nuk është ulur dhe ka parë efektivitetin e marrjes se këtyre kredive, përveç defekteve dhe problematikave që ato kanë shfaqur. Për gjendjen e kredive nuk publikohen shumat e principialit dhe interesat bankare që paguajnë Ujësjellësit sh.a., apo Qeveria për këto Kredi afat gjate. Duhet në riskedulim të këtyre borxheve,por kështu edhe gjendja e lartë e faturave të papaguara.
Probleme ka edhe me mos pagesën e detyrimeve tatimore, ku në kushtet e llogaritjes nga sistemi elektronik kamat vonesat kanë shkuar në “stratosferë”. Ndërsa subvencionet për vitin 2017 nga 650,000,000 lekë të parashikuara janë dhënë vetëm gjysma e tyre ose në vlerën 287,242,385 mijë lekë, etj.
Nuk ka nevojë për reforma të mëdha dhe “ndëshkim” personash që bëjnë lidhje të paligjshme të ujit të pijshëm, apo nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm, por më parë duhet të japin llogari administratat dhe veçanërisht Drejtorët (Administratorët) e Shoqërive të Ujësjellësve sh.a., Këshillat e Administrimit, të cilët nuk e kanë kryer punën për të cilën paguhet dhe me veprimet apo mosveprimet e tyre (pasi kuadri ligjor ka ekzistuar por nuk zbatohet) kanë lejuar lidhjet e paligjshme duke ligjëruar “vjedhjen” e vlerës së ujit të pijshëm, pra zbatimi i ligjit duhet të fillojë nga këta të fundit, pastaj të kalojnë tek qytetarët. Mos merret si shembull energjia elektrike ku u ndëshkuan qytetarët dhe asnjë drejtues i OSHE apo Zyrave të Shpërndarjes Energjisë Elektrike në rrethe, nuk u vu para përgjegjësisë ligjore.
Kuadri ligjor dhe nënligjor për administrimin e ujit të pijshëm ekziston por ai nuk po gjen zbatim dhe me të po abuzohet pasi ndaj abonentëve të cilët nuk paguajnë faturat e ujit të pijshëm nuk u është kryer ndërprerja e ujit të pijshëm, siç parashikohet në VKM nr. 236, datë 10.05.1993 “Për administrimin dhe furnizimin me ujë tek përdoruesit familjarë dhe jo familjar” i ndryshuar me VKM nr. 96, datë 21.2.2007 dhe Udhëzimi i Ministrit të Rregullimit të Territorit dhe Turizmit nr. 03, datë 28.07.2004 “Për administrimin e ujit të pijshëm”, ku ndër të tjera përcaktohet se: Nëse pagesa nuk kryhet brenda 30 ditësh, ndërmarrja e ujësjellësit ndërpret furnizimin me ujë. Shpenzimet e kryera nga ndërmarrja e ujësjellësit, për rilidhjen e konsumatorit me rrjetin e furnizimit me ujë, të përballohen nga konsumatori.
Një shkrim të botuar në Gazetën Telegraf më datë 23 dhjetor 2014, pra para 3 vjetësh është trajtuar edhe gjendja e lartë e debitorëve në Ujësjellës sh.a., duke bërë thirrje publike Qeverisë që duke e përshëndetur ndërhyrjen e fuqishme për ndërprerjet e paligjshme dhe pagesat e faturave të prapambetura të energjisë elektrike të vazhdojë edhe për ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme dhe pagesat e faturave të papaguara për ujin e pijshëm pra debitorët e ujësjellësve sh.a.. Nga shoqëritë e Ujësjellësve duhet të përgatiten njoftimet me shkrim për secilin abonent, pasi një pjesë e tyre neglizhojnë, ose jetojnë jashtë vendit dhe nuk janë në gjendje të njihen me detyrimet për faturat e ujit të pijshëm.
Me rekomandimin dhe ndërhyrjen e audituesve të KLSH, gjatë periudhës së auditimit në Ujësjellës sh.a., Berat-Kuçovë u krijuan grupe pune, u bënë njoftimet në TV-Lokale dhe u bë e mundur që të dyfishohet arkëtimi i debitorëve të ujit të pijshëm nga 100,000-150,000 lekë në ditë u arkëtuan 300,000-500,000 lekë në ditë dhe në total u arkëtuan mbi 5,000,000 lekë. Ja pra që ende ka rezerva në këtë drejtim. Në këtë shkrim shtohej pyetja, Se mos mbas debitorëve të energjisë duhet të vazhdohet edhe me debitorët e ujit të pijshëm, sidomos bizneset.?
Ujësjellësit sh.a.(Shoqëri anonime) që vazhdojnë të “hanë veten ” i domosdoshëm ndryshimi i formës së organizimit.
Për gjendjen financiare të Ujësjellësve sh.a. të marrin më tepër përgjegjësi Bashkitë si pronare dhe zotërues të aksioneve, Enti Rregullator i Ujit në lidhje me përcaktimin e politikës çmimeve, Ministria e linjës, Drejtoria e Përgjithshme e Ujësjellës Kanalizimeve ku kjo e fundit të mos “ngopet me lugë bosh” dhe jep “dekorata” me shifrat e pyetësorët për treguesit e performancës që grumbullon çdo tremujor nga 59 shoqëritë e Ujësjellësve, por të analizojë në vazhdimësi performancën e tyre, gjendjen e lartë të debitorëve të ujit të pijshëm duke propozuar masa konkretë për përmirësimin e gjendjes, si ristrukturimi i borxheve për faturat e papaguara nga abonentët familjarë apo jo familjarë (Bizneset). Furnizimi me matësit e ujit të pijshëm në mënyrë të përqendruar dhe jo tu lihet në dorë vendosja e tyre punonjësve të Ujësjellësve, se në vendosjen e tyre po abuzohet dhe dikush po pasurohet.
Edhe pse jo analizimi i gjendjes së Ujësjellësve sh.a. në mbledhjet më të afërme të Këshillave Bashkiake duke dalë me një plan veprimi konkret. Ujin na e ka falur natyra, ne duhet ta administrojmë.
Sigal