KQZ: Partitë i nxitën numëruesit të vidhnin votat

498
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve shpjegon pse vendosi të kallëzojë penalisht 76 numërues të votave
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve vendosi dje të bëjë kallëzim penal për 76 anëtarë dhe numërues të parë të grupeve të numërimit. Sipas zëdhënëses Drilona Hoxhaj, në bazë të provave që KQZ-ja administron, 76 komisionerët zgjedhorë të nivelit të tretë kanë konsumuar elementë të veprës penale të parashikuar nga neni 326 i Kodi Penal, për falsifikimin e materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve. “Ky kallëzim penal bëhet pasi KQZ shqyrtoi dy ankimimet e paraqitura nga partitë politike, PDIU dhe PS, të cilat kundërshtuan rezultatin të votimit për zonën zonën zgjedhore, qarku Tiranë, duke kërkuar rinumërimin e rivlerësimin e votave për 64 qendra votimi në qarkun e Tiranës, me pretendimin se numri i votave reale nuk përputhej me rezultatin e hartuar nga Grupet e Numërimit në tabelat e qendrave të votimit”, tha zëdhënësja. KQZ gjatë shqyrtimit të kërkesave ankimore, administroi me cilësinë e provës dokumentacionin zgjedhor të përpunuar nga komisionet zgjedhore përkatëse dhe vendosi të rinumërojë dhe rivlerësojë votat e qendrave të votimit, ku në përfundim të këtij procesi rezultoi se për 24 qendra votimi në Qarkun Tiranë, rezultati i dalë nga rinumërimi ishte i ndryshëm me rezultatin e nxjerr nga grupet e numërimit në VNV. ”Anëtarët e grupeve të numërimit që kanë numëruar votat për këto qendra, kanë shënuar në tabelën e rezultatit numër më të vogël votash për disa subjekte dhe numër më të madh votash për disa subjekte të tjera, krahasuar me numrin real të votave qe u gjendën në kutinë e votimit. Në këtë mënyrë rezultati i qendrës së votimit nuk pasqyronte rezultatin real, të cilët zgjedhësit e këtyre qendrave kanë shprehur nëpërmjet votimit, duke favorizuar disa subjekte zgjedhore. Ndryshimet e konstatuara në tabelat e rezultatit janë në një masë të tillë që nuk sjellin pasoja në rezultat apo në pavlefshmërinë e zgjedhjeve në zonë zgjedhore, por anëtarët e Grupeve të Numërimit për 11 KZAZ-të e Qarkut të Tiranës, kanë konsumuar elementë të veprës penale “falsifikim të materialit zgjedhor dhe rezultatit të zgjedhjeve”, të parashikuar nga neni 326 i Kodit Penal”, vlerësoi KQZ-ja. Sipas Komisionit, rinumërimi i votave tregoi se veprimtaria e numëruesve inkurajohet nga subjektet zgjedhore, të cilat janë po aq fajtore sa numëruesit për sa kohë pranojnë rezultate fiktive. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i bëri thirrje prokurorisë që të hetojë dhe të çojë përpara drejtësisë shkelësit e ligjit. Gjithashtu, KQZ u bëri apel edhe të gjithë atyre personave të cilët kanë dyshime të arsyeshme apo prova për shkelje të ligjit zgjedhor, t’i dorëzojnë ato në prokurori. “Dërgimi para drejtësisë i personave që kryejnë vepra penale në lidhje me zgjedhjet, jo vetëm rrit përgjegjësinë e komisionerëve zgjedhore për zbatimin rigoroz të Kodit Zgjedhor dhe respektimin të vullnetit të qytetarëve, por gjithashtu rrit besimin në procesin zgjedhor”, vlerësoi KQZ-ja.
Sigal