Kosovë – Visar Ymeri: Qeveria po rrezikon Trepçën,duke lënë resurset industriale në stuhinë e tregut

448
Sigal

 

Gazeta Telegraf/ Kryetari dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Visar Ymeri, përmes një
konference për media, kritikoi Qeverinë për mungesë të planifikimit strategjik
në zhvillimin ekonomik. Si rrjedhojë, Ymeri tha se po rrezikohet Trepça, duke
lënë resurset tona dhe kapacitetet industriale në stuhinë e tregut.

 

Ymeri
tha se mungesa e guximit drejtues nga ana e ekzekutivit është shkak që Trepça
vazhdon të mbetet peng, ndërsa në njërën anë mbeti pa investime e rritje të
kapacitet prodhues, e në tjetrën është nën kërcënimin për tjetërsim e ndarje
nga Serbia por dhe likuidim e zhbërje nga AKP-ja.

Ai e
ka quajtur Trepçën motor të zhvillimit industrial.

 

“Trepçën
e cila me kapacitetin e saj mund të jetë motor i zhvillimit industrial e
ekonomik të vendit, dhe garantues i bashkimit e integrimit, sot është
shndërruar në të kundërtën e saj. Më 2 nëntor të këtij viti saktësisht një muaj
nga sot skadon afati i zgjatur me ligj në janar të vitit 2015 kur duhet të
fillon likuidimi i Trepçës. Përkundër premtimeve të qeverisë dhe zotimeve përballë
minatorëve as strategjia e as ligji nuk janë sjellë në Kuvend gjatë më shumë se
1 viti e gjysmë”, u shpreh Ymeri.

 

Tutje,
ai shtoi se Qeveria në janar të vitit 2015 premtonte se do ta sillte
strategjinë dhe ligjin e veçantë për Trepçën në gjysmën e parë të vitit, kurse
në gusht e sollën ‘Zajednicën’ dhe kufirin e ri me Malin e Zi.

 

“Në
fillim të vitit 2016 Komisioni për zhvillim ekonomik i Kuvendit kishte
shpërndarë 5 raste studimi të ndërmarrjeve të ngjashme sikur studimi i
mundësive se si duhet trajtuar Trepça. Të gjitha këto propozonin forma dhe
shpejtësi të ndryshme të privatizimit. Ligji për Trepçën nuk është dorëzuar
ende në Kuvend. Për më tepër qeveria nuk ka pasur guximin ta thotë asnjë fjalë
të vetme për përmbajtjen e ligjit përkundër pyetjes së deputetëve”, shtoi
Ymeri.

Ai
theksoi se nëse është e vërtetë që ligji do të vijë shpejtë në Kuvend, atëherë
ai do të duhej të ishte i shkruar deri tash. Dhe nëse është kështu, ai tha se
mbetet enigmatike se pse nuk flet qeveria për përmbajtjen e tij.

 

“Trepça,
Minierat, metalurgjitë, dhe industrinë kimike në bazë të gazrave metalurgjike
duhen organizuar në ndërmarrje të veçantë publike. Kështu shteti e merr
drejtpërdrejt edhe kompetencën dhe përgjegjësinë për ta zhvilluar atë. Nuk ka
investim më të mençur sot dhe më me ndikim në krijimin e një baze të
qëndrueshme prodhuese industriale për Kosovën se sa investimet në Trepçë dhe
energji”, deklaroi ndër të tjera, kryetari i Vetëvendosjes.

 

Ymeri
theksoi rëndësinë e aktivizimit të metalurgjisë dhe kapaciteteve përpunues të
metaleve, gjë që do të shtonte kapacitetin prodhues industrial industrisë
minerare nxjerrëse. Si dhe aktivizimin e industrisë kimike për prodhimin e
plehrave artificial dhe kimikateve të tjera për ta lidhur me nevojat e
zhvillimit të sektorit të bujqësisë.

 

“Buxheti
i Republikës së Kosovës, kreditë afatgjata financiare dhe në pajisje, donatorët
e mundshëm nga jashtë, janë burime financiare të cilat duhet eksploatuar për
investimet emergjente kapitale në revitalizimin dhe përmirësimin e kushteve e produktivitetit
të minierave, flotacionit, metalurgjive të Trepçës. Bashkimi i Trepçës veriore
me atë jugore është i domosdoshëm për rivitalizimin e ndërmarrjes por edhe për
potencialin e saj për të tërhequr investime direkte në segmentet e përpunimit
industrial si dhe për funksionimin e duhur të kapaciteteve eksploatuese në
miniera”, përfundoi Ymeri