Kosova: Fund epokës së katrahurës dhe zhdukjes së sipërfaqeve të gjelbërta

192
Kandidati i djathtë për Bashkinë e kryeqytetit paralajmëroi sot se nuk do të lejojë betonizim të mëtejshëm të Tiranës.
Gjatë një takimi me ndërtuesit në kryeqytet, Halim Kosova, deklaroi se marrëdhënia e tij me ta do të jetë korrekte dhe e bazuar në ligj.
Kosova: “Dua të ndalem me ju në tre çështje themelore. Së pari marrëdhnënia jonë do të jetë një marrëdhënie korrekte e bazuar në ligj dhe e rregulluar me ligj. Në ligj dhe interesin qytetar sepse asnjë interes tjetër nuk mundet kurrë dhe nuk do të kapërcejë interesin qytetar dhe të qytetit tonë.Epoka e katrahurës ka marrë fund, epoka e zhdukjes së sipërfaqeve të gjelbërta dhe të hapësirës publike ka marrë fund.Qytetit tashmë i duhet më shumë sipërfaqe publike dhe shërbime publike për të”.
Nëse gara e 21 qershorit e nxjerr fitues, Kosova deklaroi se brenda këtij viti Bashkia do të hartojë dokumentin strategjik të zhvillimit të territorin për Bashkinë e re.
Kosova: “Brenda 2015, unë dhe administrata ime do të hartojmë hapin e parë ligjor, dokumentin strategjik të zhvillimit të territorit të Bashkisë së re, duke i integruar zonat urbane me ato rurale në një plan të vetëm”.
Kosova përsëriti sërish se me të si Kryebashkiak,bllokimi dhe konfliktet politike do të marrin fund.
Kosova: “Koha e bllokimeve politike për mua ka mbaruar, pasi unë vij në këtë detyrë si menaxher. Ambicia dhe projekti im është vetëm Tirana dhe në asnjë mënyrë politika”.