Komisioni i Jashtëm mbështet Metën: Transparencë për paktin e detit

591
Deputetët e mazhorancës dhe opozitës bashkohen te ideja e një marrëveshjeje të qëndrueshme me Greqinë, ndërsa grupi negociator mund të shtohet
Presidenti i Republikës, zhvilloi dje një takim me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme për marrëveshjen e detit me Greqinë. Presidenti Meta nënvizoi rëndësinë e marrëdhënieve dhe të fqinjësisë së mirë me Greqinë dhe informoi deputetët me qëndrimin e tij ndaj kësaj çështjeje, duke nënvizuar se për arritjen e një marrëveshjeje të drejtë dhe të qëndrueshme, kërkohet bashkëpunim dhe seriozitet nga të gjitha institucionet. Kreu i Shtetit vlerësoi frymën bashkëpunuese dhe konstruktive, që karakterizoi bashkëbisedimin me deputetët e Komisionit parlamentar për Politikën e Jashtme. Në deklaratat e tyre pas takimit, deputetët e mazhorancës dhe opozitës mbështetën nevojën për transparencë dhe vlerësuan sqarimet e dhëna nga Presidenti i Republikës. “Ramë të gjithë dakord që qëndrimi i Presidentit është qëndrimi korrekt”, tha Edi Paloka, anëtar i komisionit të jashtëm, PD. “Ndamë të njëjtin opinion me Presidentin lidhur me nevojën dhe domosdoshmërinë absolute që kjo marrëveshje të mos dështojë”, u shpreh Mimi Kodheli, kryetare e Komisionit të Jashtëm dhe deputete e PS-së. “Pati dhe kërkesa për një verifikim shumë më të mirë të grupit negociator”, tha Paloka. Nga ana e saj, Kodheli vlerësoi se “grupit negociator mund t’i atashohen edhe profesorë të së drejtës ndërkombëtare, apo profesorë të fushës ligjore, mund të mos jenë pjesë e grupit negociator, por këshilltar të mirë”. Kryetarja socialiste e Komisionit të Jashtëm Mimi Kodheli bëri një pohim të qartë, kur tha se marrëveshja e kufirit detar Shqipëri-Greqi është më e rëndësishmja për hapjen e negociatave për anëtarësim me BE-në. “Moment historik që ndodhet Shqipëria sot e bën këtë marrëveshje mbase më të rëndësishme të qeverisë shqiptare me me qeverinë greke”, tha Kodheli. Nga ana e tyre përfaqësuesit e opozitës vazhduan të nxisin idenë që kufiri të përcaktohet nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë. “Zgjidhja racionale është çuarja e kësaj dosjeje në mirëkuptim nga pala greke në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë në Hagë”, tha Tritan Shehu, nënkryetar i komisionit të jashtëm dhe deputet i PD. Ndërsa, sipas Kodhelit, “për aq kohë sa ne kemi rënë dakord që do të hyjmë në marrëveshje me qeverinë greke nuk ka asnjë arsye pse çështja duhet të shkojë në Hagë”. “Të zbatojmë me përpikëri vendimin e Gjykatës Kushtetuese. Do ta bëjë të gjithë marrëveshjen me palën greke të pakontestueshme”, tha Klajda Gjosha, nënkryetare e komisionit të Jashtëm dhe deputete e LSI-së.

Presidenti i Republikës ka kërkuar nga Ministria e Jashtme informacione tjera të hollësishme që nisin me saktësimin e titullit, paraqitjen e një analize të brendshme tekniko-ligjore dhe plotësimin kuadrit legjislativ nëse ka mangësi. Po ashtu kërkohet që grupi të mos ulet në negociata pa hartat e duhura dhe dokumentacionin mbështetës.
Sigal