Zhilla: Operacioni ishte i nxituar, policia të priste

606
Studiuesi dhe eksperti i kriminalistikës, Fabian Zhilla, e sheh të nxituar operacionin e policisë shqiptare që çoi në kapjen e 613 kg kokainë në Durrës. “Policia, paçka se meriton përgëzime, do të duhej që në raste të tilla të pritej dhe të mos kryheshin kaq shpejt arrestimet. Nuk e di pse i kanë arrestuar kaq shpejt. Në raste të tilla duhet të pritej që të kapej deri ku shkonte dhe kush ishin organizatorët. Janë kapur shoferët dhe nuk janë kapur kokat”, tha Zhilla. Ai shtoi se linja e ndjekur për tranportin tregon se kemi të bëjmë me një kartel të kokainës në Shqipëri. Zhilla ndan bindjen se grupet shqiptare kanë parcelat e tyre në Amerikën Latine. “Kapja e kokainës mbase përbën lajm për një qytetar të thjeshtë, por jo për ne studiuesit që e kemi ngritur alarmin që Shqipëria po kthehet në një nga hambarët e kokainës dhe më pas shpërndahet në shtetet kryesore të Evropës si në rastin konkret, Gjermania pastaj Britania e Madhe. Grupet shqiptare kanë arritur të krijojnë parcelat e tyre në Amerikën Latine. Ajo që vërehet është mënyra e transportit, që vinte nga portet e Belgjikës dhe Holandës, kalon në një rrjet tjetër që nuk ishte shumë i familjarizuar siç është Malta tregon se kemi të bëjmë me kartel të kokainës në Shqipëri, jemi përballë formave më të sofistikuara të ngritura. Nuk dimë sa kartele shqiptare kanë plantacionet e tyre në Amerikën Latine. Është një kartel atje që furnizon grupet shqiptare këtej apo secili nga kartelet shqiptare ka parcelat e veta. Mendoj që kemi kartele të ndryshme shqiptare që operojnë në Itali dhe kartele të ndryshme shqiptare që operojnë në Gjermani dhe Britani të Madhe”, tha Zhilla. Eksperti i sigurisë nënvizon se organet ligjzbatuese duhet të kthejnë në vëmendje trafikun e kokainës. “Duhet rikthyer në formën më serioze kjo çështje tani që ka filluar dhe reforma në drejtësi, prokuroria dhe policia ka marrë hapa më seriozë. Fakti që ka ekzistuar edhe pas Xibrakës një pikë kaq e fortë në një nga domenet e hershme të kokainës siç është Shijaku dhe Maminasi tregon se këto kartele kanë ekzistuar, thjesht u ekspozuan tani që forca e ligjit u bë më e dukshme dhe forcoi dhëmbët. Kemi të bëjmë me një grup ndërkombëtar dhe mbase një grup që drejtohet nga shqiptarët. Nuk kemi thjesht një Balili por dhe një person tjetër që sapo është shfaqur. Destinacioni mendoj se Gjermania ka qenë kryesorja por dhe shtete të tjera evropiane. Por duke pasur parasysh rastet në rritje në Britaninë e Madhe, edhe Britania e Madhe është një nga stacionet kryesore që është preferuar nga shqiptarët kohët e fundit. Pothuajse të gjitha grupet shqiptare të kapura në Britani janë përfshirë në kokainën më të pastër të nivelit A”, nënvizoi Zhilla. I pyetur nëse do të ketë përplasje pas kapjes së kësaj sasie rekord kokaine, ai e pranoi një mundësi të tillë. “Mendoj se po dhe sasi të tilla kokainë nuk kalojnë pa mbështetje të forta shtetërore dhe jo vetëm në Shqipëri. Që nga vendi i origjinës dhe nga gjithë segmenti që kalon në Evropë deri në Shqipëri”, u shpreh studiuesi Fabian Zhilla.
Sigal