KLSH konkludon se AZHBR nuk ka arritur efektivitetin e synuar nga menaxhimi i fondeve buxhetore për skemat kombëtare në bujqësi

Menaxhimi i burimeve njerëzore ka shfaqur probleme në strukturimin organik, formimin bazë, rekrutimin, trajnimin dhe vlerësimin e performancës etj, kanë rezultuar me mangësi vetë procedurat e subvencionimit për skemat kombëtare të analizuara në dinamikë për kushtet dhe kriteret e përfitimit, si dhe zbatimit të tyre nga ana e AZHBR;

 

Ø  fondet e dhëna për informim kanë rezultuar jo efektive, pasi mjetet e komunikimit kanë qenë të kufizuara, informacioni i pamjaftueshëm dhe jo cilësor, nuk është menaxhuar siç duhet etj, financimet për mbrojtjen e ullirit nuk janë efektive, pasi nuk janë zbatuar siç duhet procedurat e prokurimit, nuk është vepruar në përputhje me kuadrin rregullator, verifikimet dhe monitorimet për këtë skemë nga AZHBR kanë qenë me mangësi, duke rritur premisat për abuzime nga ana e institucionit;

Ø  fondet e investimeve të përfituara nuk janë shfrytëzuar si duhet në aspektin ekonomik, për të gjeneruar më pas të ardhura të mjaftueshme për të mbështetur zhvillimin e zinxhirit të vlerës që të mund të zhvillojnë projekte të besueshme për financim; ka munguar sektori i monitorimit për një periudhë 4-vjeçare, e si pasojë edhe monitorimi i skemave kombëtare të vogla dhe investimeve, duke e ulur ndjeshëm efektivitetin e fondeve të dhëna për ato.

 

Kontrolli i Lartë i Shtetit, në zbatim të programit të auditimit nr. 639/1, datë 09.10.2017 ka përfunduar auditimin performancës “Efektiviteti i granteve në AZHBR”, për periudhën Janar 2013 - Shtator 2017 të aktivitetit të këtij institucioni.

Me Vendimin nr. 209, datë 29.12.2017 të Kryetarit të KLSH-së është miratuar Raporti Përfundimtar i Auditimit dhe për përmirësimin e gjendjes, duke i rekomanduar AZHBR me shkresën nr. 639/7 prot., datë 30.12.2017 dhe Ministrisë së Bujqësisë me shkresën nr. 639/8 prot., datë 30.12.2017 përkatësisht 38 dhe 11 masa organizative për përmirësimin e gjendjes, me afat zbatimi kryesisht deri në gjashtë-mujorin e parë 2018.

 

Nga ky auditim, u konstatuan një sërë shkeljesh dhe parregullsish të cilat kanë ulur efektivitetin  e përdorimit të fondeve buxhetore për bujqësinë nga ana e AZHBR:

 

1.      Mbi menaxhimin e stafit dhe specialistëve të AZHBR në funksion të zbatimit të procedurave të granteve:

§  Numri i inspektorëve të kontrollit në nivel qarku nuk ka qenë i mjaftueshëm për të kontrolluar dosjet e aplikuesve dhe përfituesve potencial brenda afatit të caktuar për vitet 2013-2014, duke krijuar në këtë mënyrë vonesa në përzgjedhjen e projekteve, ekzekutimin e pagesave ndaj përfituesve, për pasojë ndikim negativ në besimin e fermerëve ndaj granteve në skemat kombëtare të bujqësisë.

§  Rezulton një prirje negative e zvogëlimit të numrit të inspektorëve dhe specialistëve që angazhohen direkt me kontrollin dhe monitorimin e skemave kombëtare, dy nga aktivitetet e një rëndësie të veçantë për AZHBR, në raport me numrin e skemave kombëtare, numrin e përfituesve që duhet të kontrollojnë, shtrirjen e gjerë territoriale të investimeve që financohen, si dhe rritjes së përvitshme të vlerës së fondeve buxhetore, me pasoja në uljen e efektivitetit të granteve të dhëna.

§  Mungojnë studimet, analizat dhe planet e veprimit për përcaktimin e numrit të punonjësve në strukturën totale të AZHBR, por edhe të drejtorive në veçanti, si dhe të llojit të profesionit që duhet të mbizotërojë në strukturë, ka shkaktuar ulje të eficencës në kryerjen e detyrave dhe uljen e efektivitetit në realizimin me sukses të objektivave.

§  Për vitin 2015 AZHBR, si pasoj e mungesave në staf, kryesisht në drejtorinë e kontrollit, ka pasur performancë të ulët, duke ndikuar negativisht edhe në efektivitetin e granteve.

§  Kalimi i statusit të punonjësve nga shërbimi civil në kod pune në AZHBR, përbën një risk të konsiderueshëm në marrëdhëniet e punës së punonjësve me institucionin, sepse në këtë mënyrë titullari ka liri veprimi në rekrutimin, seleksionimin dhe largimin nga puna të punonjësve.

§  Mbizotërimi i profesioneve që nuk kanë lidhje të drejtpërdrejtë me aktivitetet kryesore të AZHBR, afërsisht 64 % e profesioneve, si dhe rekrutimi i një pjesë të konsiderueshme të punonjësve në sektorin e kontrollit përgjatë viteve 2013-2017 në kundërshtim me kriteret e përcaktuara nga vetë AZHBR për pozicionin e Inspektorit të Kontrollit, ka ndikuar negativisht në realizimin me sukses të objektivave të AZHBR, kryesisht atë të përzgjedhjes, kontrollit dhe monitorimit të projekteve, duke i bërë këto të fundit jo efektive.

§  Mungesa e një sektori në AZHBR, për informimin dhe këshillimin e fermerëve për procedurat që duhet të ndjekin dhe dokumentacionin standard që duhet të dorëzojnë në AZHBR, e cila ka ndikuar negativisht në numrin e aplikuesve, duke ulur numrin e tyre, të përfituesve nga skemat kombëtare, është përgjegjësi e drejtimit të institucionit.

§  Rritja e numrit të stafit sipas strukturës së re të miratuar në vitin 2015, kryesisht në sektorin e kontrollit të skemave kombëtare, përballë mungesës së infrastrukturës së nevojshme për të realizuar në mënyrë të plotë dhe brenda kohës së caktuar kontrollin e skemave kombëtare, ka ulur ndjeshëm eficencën dhe efektivitetin e këtij funksioni.

§  Trajnimet nuk kanë rezultuar eficente dhe efektive, për shkak se: nuk janë në përputhje me nevojat e çdo drejtorie të AZHBR, janë të përqendruara në një numër punonjësish, janë të pabarabarta referuar viteve të eksperiencës, nuk kanë lidhje logjike me vitet e punës në AZHBR dhe ditët e trajnimit, duke ndikuar negativisht në performancën e atyre punonjësve që përbëjnë vazhdimësinë e institucionit.

-          Janë larguar afërsisht 62% e specialistëve të Drejtorisë së Kontrollit, ku një pjesë e konsiderueshme (30 prej tyre) janë me 3-6 vite eksperiencë në AZHBR me formimin e duhur profesional, duke ndikuar negativisht në vazhdimësinë e ushtrimit të aktiviteteve të AZHBR, por kryesisht në aktivitetin e kontrollit, si dhe në buxhetin e shtetit

 

2.        Mbi performancën e AZHBR në zbatimin procedurës së dhënies së granteve:

  • Viti 2017, konsiderohet një vit i mos-realizimit të objektivave, për shkak se: Është ndikuar nga lëvizja e stafit në nivelet e larta drejtuese të AZHBR, ende nuk është përgatitur relacioni për planifikimin e fondeve sipas skemave kombëtare për këtë vit, për pasojë perfomancë e ulët të AZHBR dhe mungesën e orientimit të duhur të fondit për skemat kombëtare, duke ndikuar negativisht efektivitetin e tyre.

·        Procesi i aplikimit, kontrolli në terren, kontrolli administrativ kanë zgjatur tej mase, nga 2-3 muaj, mangësi e cila do të sjellë si pasojë  ekzekutimin me vonesë të pagesave, si dhe do të rrisë numrin e përfituesve të prapambetur në vitin 2018.

  • Keq planifikimi, keq administrimi si dhe rialokimet e shpeshta të fondeve për skemat kombëtare brenda vitit, si pasojë e mungesës së kritereve për planifikimin e tyre, mungesës së përcaktimit të afateve për verifikimin në terren, kontrollit administrativ të aplikantit/përfituesit, si dhe paaftësia e AZHBR për të përthithur të gjitha fondet e vëna në dispozicion nga buxheti i shtetit për skemat kombëtare, e ka shndërruar atë në një “debitore” të rregullt ndaj përfituesve të këtyre skemave.
  • Ulja e fondeve nga viti në vit për skemat e vogla dhe rritja e tyre për skemën e investimeve, ndërkohë që fondi total për bujqësinë ka ardhur në rritje, si dhe ndryshimet e shpeshta brenda vitit të buxheteve për këto skema, kanë ulur efektivitetin e AZHBR.
  • Udhëzimi i vitit 2017 ka penalizuar aplikantët me kriteret e vendosura, kryesisht ata të skemës së blegtorisë, lidhur me përfitimin financiar prej saj, ndryshime kanë rritur mundësitë për uljen e besimit ndaj skemave dhe uljen e efektivitetit të tyre, duke i bërë blegtorët të painteresuar ose në kërkimin e formave jo të rregullta për përfitimin e fondeve në këtë masë.
  • Studimet e MBZHRAU janë të vjetra në kohë dhe të pa përditësuara me ndryshimet e faktorëve (klimaterik, mjedisor), duke ndikuar negativisht në udhëzimet për përcaktimin e procedurave për skemat kombëtare si dhe në hartat e rajonizimit.
  • Mungesa e statistikave për arsyet e skualifikimit për periudhën 2013 - 2014, statistikave për ankesat që kanë fermerët ndaj AZHBR, si dhe mungesa e koordinimit, bashkëpunimit midis drejtorive të saj, tregon mungesë efektiviteti në veprimtarinë e këtij institucioni.
  • Në udhëzimet 2013-2016 nuk kanë qenë të formuluara saktësisht, kriteret e përfitimit nëpërmjet intervaleve me vlerat përkatëse, si dhe formula e saktë për llogaritjen e pikëve ndaj aplikantëve, duke rritur mundësinë për t’i penalizuar ata dhe ulur efektivitetin e skemave.
  • Nga shqyrtimi i procedurave të dhënies së granteve, si dhe nga pyetësorët zhvilluar me aplikantët dhe përfitues të skemave kombëtare, numri i dokumenteve për t’u plotësuar ka ardhur në rritje nga viti në vit, duke rritur kostot financiare dhe atyre kohore për fermerin, për më tepër, vështirësinë në fazën e aplikimit, me ndikim në efektivitetin e skemave kombëtare.
  • Mungesa e aksesit të AZHBR në regjistrin e blegtorisë RUDA, pasaktësitë e informacionit në të, kanë ndikuar negativisht në punën e inspektorëve të kontrollit, duke ulur eficencën dhe efektivitetin gjatë identifikimit dhe vlerësimit të numrit të kafshëve të gjalla për vitet 2013 - 2017.
  • Mungesa e informacionit për inspektorët e kontrollit në qark ndaj investimeve 50-60% ka ndikuar negativisht në performancën e punonjësve të AZHBR në qark.

-Vijon-