Klevi Pojana: Me LSI, të rinjtë kapin shansin për t’i dhënë vendit ritmin që i duhet drejt zhvillimit dhe integrimit

430
Nënkryetari i Lëvizjes Rinore për Integrim, Klevi Pojana, në një intervistë të dhënë për gazetën “Integrimi” ka deklaruar se të rinjtë shqiptarë i janë bashkuar LSI-së në të gjithë Shqipërinë. Sipas tij, duke u bërë pjesë e LSI-së, të rinjtë kapin shansin për t’i dhënë vendit ritmin që i duhet drejt zhvillimit dhe integrimit.

Klevi, LRI zhvilloi një aktivitet madhështor pak ditë më parë në ‘Asllan Rusi’, ku mijëra të rinj nga e gjithë Shqipëria ishin të pranishëm. Cila është përshtypja që të la ky takim?
Mijëra të rinj nga i gjithë vendi, iu bashkuan në një takim të jashtëzakonshëm Lëvizjes Rinore për Integrim më datën 9 prill në Pallatin e Sportit “Asllan Rusi” dhe për të thënë të drejtën, ishte një takim përtej çdo pritshmërie, duke filluar nga pjesëmarrja, energjia, mesazhi konstruktiv dhe fryma e grupit, që u vu re mes të rinjve të LRI. Nga takime të tilla kuptohet qartë se rinia shqiptare gjen te LSI shansin që i duhet për t’u bërë pjesë e vendimmarrjes dhe politikëbërjes. Rinia shqiptare shikon te LSI mundësinë për zhvillimin e vendit sipas prioriteteve që ata vlerësojnë më të rëndësishëm, si arsimi dhe punësimi.

LSI ka bërë publik programin e saj për arsimin “Edukim cilësor, familje e shëndetshme”. Cilat janë pikat kryesore të këtij programi dhe pse ishte pikërisht kjo fushë, të cilën LSI zgjodhi për ta përcaktuar këtë si prioritare?
LSI pas një faze të gjerë konsultimesh dhe reflektimi te kauzave dhe shqetësimeve të qytetarëve dhe sidomos të të rinjve, vlerësoi si një ndër prioritetet e saj zhvillimin e një sistemi më të mirë edukimi. Edukim cilësor do të thotë familje e shëndetshme. Përmirësimi i infrastrukturës, rigjallërimi i sistemit duke filluar nga çerdhet, kopshtet, shkollat dhe universitetet, përkujdesje për mësuesit dhe mësimdhënie më të mirë. Familja e shëndetshme nëpërmjet një edukimi cilësor është garancia për një të ardhme më të mirë dhe për më shumë vende pune dinjitoze dhe të mirëpaguara.

Duket që në LRI çdo ditë e më shumë dynden të rinjtë nga e gjithë Shqipëria. Pse ndodh kjo, sipas jush? Cili është ky mesazh që përcjell LRI dhe e bën kaq të dashur për të rinjtë shqiptarë?
Është e vërtetë që çdo ditë të rinj e të reja bashkohen me Lëvizjen Rinore për Integrim dhe kjo sepse LRI është sot një derë e hapur për çdo të ri, që do të angazhohet dhe të kontribuoj për vendin e tij dhe për një të nesërme më të mirë. Të rinjtë shohin te LRI modelin se si politika duhet të përfshijë rininë duke u mbështetur te profesionistët e rinj dhe duke i ofruar atyre mundësi reale për të qenë në instanca politikëbërëse. Shembulli i dy deputeteve në Parlamentin e Shqipërisë dhe 80 të rinjve këshilltarë në të gjitha bashkitë anekënd vendit tregojnë në mënyrë reale dhe të prekshme se LSI beson te rinia shqiptare. Mesazhi i LRI është i qartë, mbështetemi te dija për të ndërtuar një të ardhme më të mirë në një vend që ka resurse të pafundme që duhen shfrytëzuar në mënyrën më të mirë që t’iu shërbejnë vendit dhe qytetarëve.

Cili do të jetë roli i të rinjve në zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme. A do të jemi më shumë të rinj në Kuvendin e Shqipërisë, pas këtyre zgjedhjeve?
LSI dhe Ilir Meta besoj e kanë ezauruar këtë hap, duke e treguar në zgjedhjet e 2013 dhe 2015 se LSI jo thjesht propagandon, por e bën realitet vizionin për të përfshirë të rinjtë në politikë. Ky vit do të jetë viti i LRI është shprehur Ilir Meta dhe unë e besoj pasi kryetari i LSI është ndër të rrallët politikanë në Shqipëri që ka kuptuar dhe beson te potenciali i të rinjve. Rinisë i duhet të bëhet pjesë e politikës që t’i jap asaj energjinë, pasionin dhe vullnetin, duke e shkëputur kështu njëherë e mirë nga konfliktualiteti, dhuna dhe precedenti i lidhjeve të politikës me krimin, drogën dhe biznesin. Politikës nga ana tjetër i duhet që të jetë më paqësore, më bashkëpunuese dhe të ofrojë zgjidhje dhe jo zgjedhje në çdo rast që kemi ngërç politik dhe këtë gjë e arrin vetëm duke pasur më shumë të rinj pjesë të sajën, të cilët pa qenë të lidhur me fenomenet negative të sipërpërmendura, pa lidhje farefisnore me politikanë, deputetë e funksionarë të tjerë të larë vijnë në politikë me pastërtinë e tyre dhe i japin asaj tonalitetin real për të cilin është krijuar. Politika duhet t’iu shërbejë qytetarëve.

Cili është mesazhi tuaj për të gjithë rininë e Shqipërisë. Çfarë duhet të bëjë një i ri apo e re në këtë moment, kaq të rëndësishëm për vendin?
Rinia shqiptare duhet të bëhet pjesë e politikës, duhet të largohet nga parazitizmi i kafeneve dhe nga apatia e shkaktuar nga një sistem që nuk prodhon të ardhme. Rinia duhet të marrë në dorë fatet e vendit, duke u përfshirë dhe duke e bërë politikën më të mirë. Rinia duhet të besoj tek potenciali i saj dhe nëpërmjet dijes të prodhojë zhvillim. Rinia ka gjithçka i duhet për të qenë lokomotiva e një treni, që ecën më shpejt dhe i ofron një shans të gjithë shqiptarëve. Politika shqiptare ka nevojë për një shans dhe vetëm të rinjtë mund t’ia japin atë. Me LSI të rinjtë kapin shansin e tyre dhe i japin vendit ritmin që i duhet drejt zhvillimit dhe integrimit drejt të ardhmes së shkëlqyer evropiane që e pret.
Sigal