Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin

518
Këshilli shqyrton kërkesën e prokurorisë për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin, heqjen e lirisë në çfarëdo lloj forme, ushtrimin e kontrollit personal apo të banesës së një deputeti. Këshilli shqyrton të gjitha çështjet e vlefshmërisë së mandatit të deputetit që lidhen me fillimin dhe mbarimin e ushtrimit të mandatit, heqjen dorë nga mandati, kushtet e papajtueshmërisë, sipas nenit 70 të Kushtetutës, mungesën pa arsye për më shumë se 6 muaj rresht në Kuvend, dënimin me vendim gjyqësor të formës së prerë për kryerjen e një krimi. Pas përfundimit të shqyrtimit, Këshilli paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 2 javëve. Këshilli shqyrton rastet e pazgjedhshmërisë, sipas nenit 69 të Kushtetutës si dhe bën verifikimin e mandatit të deputetit, i cili zgjidhet gjatë legjislaturës kur krijohet vakancë mbi bazën e vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Pas përfundimit të shqyrtimit, Këshilli paraqet raportin përkatës në seancë plenare brenda 2 javëve.
Autorizimi për procedim
1 – Kërkesa për të autorizuar caktimin e masës së sigurimit të arrestit në burg ose në shtëpi, heqjes së lirisë në çfarëdo lloj forme, kontrollit personal ose të banesës, i paraqitet Kryetarit të Kuvendit nga Prokurori. Kërkesa përmban një relacion të arsyetuar dhe të shoqëruar me provat që mbështesin kërkesën.

2 – Kryetari i Kuvendit ia dërgon kërkesën dhe dokumentet shoqëruese menjëherë për shqyrtim Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, si dhe vë në dijeni Kuvendin dhe deputetin.

3 – Kryetari i Kuvendit, pas konsultimit me Këshillin, cakton dy relatorë për çështjen, respektivisht nga shumica dhe opozita parlamentare.

4 – Deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, i vihet në dispozicion kërkesa dhe dokumentet që e shoqërojnë atë, si dhe i bëhet e ditur koha kur Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin do të fillojë shqyrtimin e kërkesës.

5 – Në mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin merr fjalën prokurori, i cili paraqet arsyet e kërkesës drejtuar Kuvendit. Pas paraqitjes së kërkesës, çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje prokurorit.

6 – Pas përgjigjeve të pyetjeve, Kryetari i Kuvendit i jep fjalën deputetit ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim. Deputeti dhe ose përfaqësuesi i tij ligjor, ka të drejtë të paraqesë në Këshill, me shkrim ose me gojë, shpjegimet dhe vërejtjet e tij rreth çështjes. Çdo anëtar i Këshillit ka të drejtë t’i drejtojë pyetje deputetit.

7 – Shqyrtimi i çështjes në Këshill, kryhet nëpërmjet një procedurë që i garanton deputetit, ndaj të cilit kërkohet autorizimi për procedim, të drejtën për t’u informuar në kohë, për t’u pyetur, për t’u dëgjuar dhe për të bërë pyetje ndaj kërkuesve të autorizimit, si dhe për të paraqitur shpjegimet e tij. 

8 – Përpara diskutimit të çështjes, kryetari i Kuvendit fton dy relatorët të paraqesin vlerësimin e përgjithshëm mbi çështjen që shqyrtohet. Më pas vijohet me diskutimin në Këshill. Në përfundim të diskutimit, Këshilli, brenda një jave, harton raportin për në seancë plenare. Raporti rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim. Raporti i Këshillit u shpërndahet menjëherë deputetëve dhe bëhet publik.

9 – Si rregull, mbledhja e Këshillit, për pikat 6-8 të këtij neni, zhvillohet me dyer të hapura. Këshilli, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

10 – Shqyrtimi i kërkesës për dhënien e autorizimit për procedim parashikohet për shqyrtim në seancë plenare jo më parë se një javë, por jo më vonë se dy javë nga paraqitja e raportit të Këshillit.

11 – Në seancë plenare fjala i jepet në fillim deputetit, ndaj të cilit është paraqitur kërkesa, për të dhënë shpjegime ose për t’iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve. Koha e debatit, kur çmohet e nevojshme, përcaktohet nga Konferenca e Kryetarëve, në përputhje me nenin 48 të Rregullores. Në përfundim të debatit, pas fjalës së kryetarëve të grupeve parlamentare, ka të drejtë të flasë deputeti ndaj të cilit kërkohet dhënia e autorizimit për procedim për jo më shumë se 10 minuta.

12 – Kuvendi në seancë plenare, për arsye të mbrojtjes së të dhënave, mund të zhvillojë diskutimin me dyer të mbyllura.

13 – Kuvendi vendos me votim të hapur për miratimin ose rrëzimin e kërkesës për dhënie autorizimi për procedim.

14 – Në rastin kur Kuvendi nuk merr vendim për dhënien ose mosdhënien e autorizimit për procedim brenda 3 muajve nga data e paraqitjes së kërkesës përkatëse, atëherë kërkesa konsiderohet e rrëzuar nga Kuvendi.

15 – Përcaktimet e bëra në këtë nen zbatohen edhe në rastet e dhënies së autorizimit për procedim për anëtarin e Këshillit të Ministrave.
Procedura në rastin kur deputeti është ndaluar ose arrestuar
1 – Në rastin kur një deputet është ndaluar ose arrestuar, pa autorizim, në kryerje e sipër ose menjëherë pas kryerjes së një krimi të rëndë, zbatohen parashikimet e pikave 2-9 dhe 11-13 të nenit 118 të kësaj Rregulloreje.
2 – Këshilli, brenda 24 orëve nga njoftimi i Kryetarit të Kuvendit, shqyrton nëse ka vend për procedim ndaj deputetit të arrestuar ose të ndaluar dhe harton raportin.
3 – Kryetari i Kuvendit brenda 24 orëve nga paraqitja e raportit thërret seancën plenare.
Sigal