Panariti: Votimi i sotëm në Parlament, një puç kushtetues

265
Sigal

Pjesë nga intervista e ish-deputetit të LSI-së, Edmond Panariti

Çështja e ndryshimeve kushtetuese të bëra në këtë mënyrë, pra në mënyrë të njëanshme nga qeveria, si i cilësoni?

Ky është një gjest jashtëzakonisht i rëndë. Është konsumi de-facto i një puçi kushtetues, është prekja e Kushtetutës ashtu sikurse nuk ka ndodhur ndonjëherë në historinë e këtij vendi, dokumentin themeltar të shtetit, që është miratuar me Referendum. Opozita veproi në mënyrë burrërore për ndryshimet në Kodin Zgjedhor, ajo zgjodhi tryezën politike, u arrit marrëveshja e datës 5 qershor dhe natyrisht këto marrëveshje arrihen për tu zbatuar. Por pa u shuar akoma jehona e nënshkrimit të marrëveshjes së 5 qershorit, u zhbë. Kjo i ngjan pëlhurës së Penelopës që thuret natën dhe shturet ditën. PS hyri në Kushtetutë për të penguar ndërtimin e koalicioneve paraelektorale, një e drejtë kushtetuese e organizimit të partive politike. Pra, praktikisht dhunohet një e drejtë kushtetuese e forcave politike për tu organizuar në koalicione paraelektorale. Dhe kjo është një mënyrë e mazhorancës e kamufluar gjoja me pretekstin e listave të hapura, të cilat ia hodhi poshtë opozita e bashkuar, që kërkoi hapjen 100 për qind të listave. Por, ky nuk ishte interesi, ishte sebepi, sepse synimi i prekjes së Kushtetutës ishte cënimi i të drejtës së opozitës për tu organizuar në koalicione elektorale. Por, ajo që është më flagrante është fakti që preket dokumenti më themeltar i shtetit në mënyrë flagrante nga një Parlament ilegjitim .
Pse kjo këmbëngulje dhe nxitim i Kryeministrit Rama sipas jush për ta zhvilluar këtë seancë të sotme dhe për ti kaluar këto ndryshime sikundër ai vetë donte? Kujtojmë këtu edhe qëndrimin që ka mbajtur edhe ndaj qëndrimit të ambasadores amerikane…
Partia Socialiste besoj personalisht edhe kryeministri bënë sondazhe dhe qartazi opozita e bashkuar del fituese dhe me gjithë veprimet e tij, nuk mundet ta frenojë tashmë. Vendi është përfshirë nga një kolaps i paparë, një braktisje, një abandonim i mazhorancës dhe ai përpiqet që ta amortizojë këtë humbje pikërisht duke krijuar favore të pamerituara nëpërmjet ndryshimeve abuzive të Kushtetutës së vendit. Në këtë moment qëndrimi i opozitës është parimor, sepse sado të përpiqet ai me mekanizmat e tij shtrënguese apo frenuese, ne jemi të bindur që fundi i kësaj mazhoranca tashmë është i salduar, pasi është populli shqiptar që e ka vendosur këtë. Por, ajo që ne duam të pengojmë është se kurrsesi nuk duhet dhe nuk mundet të vendoset dorë mbi Kushtetutën e vendit pa arritur një konsensus gjithëpërfshirës të forcave politike.
Çfarë mesazhi përcolli Rama duke e bërë këtë gjë?
Rama me veprimin e tij solli vetëm arrogancë, pandjeshmëri dhe një konflikt i hapur tashmë edhe me faktorin ndërkombëtar. Dhe natyrisht kostot e këtij veprimi do të paguhen. Por ajo që është më e rëndësishme është që cenohet një proces shumë i rëndësishëm për Shqipërinë siç është ai i integrimit në Bashkimin Evropian. Dhe jam i sigurt që për gjithë këto akte janë mbajtur shënime në të gjitha kancelaritë e Brukselit dhe ne do të marrim një përgjigje të pamerituar.