Presidenti Meta kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar (DSIK)

Procesi i verifikimit të sigurisë për Gent Cakaj nuk garanton besueshmërinë e duhur të Certifikatave të Sigurisë

Jakup B. GJOÇA

Presidenti Meta kërkon ngritjen e Komisionit Hetimor parlamentar për hetimin e veprimtarisë së Drejtorisë së Sigurimit të Informacioneve të Klasifikuara, DSIK mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Kërkesa me nr. protokolli 16/2 dhe datë 11 janar 2019, i është drejtuar Kryetarit të Parlamentit dhe kryetarëve të grupeve parlamentare PS, PD, LSI.

Shkelja e procedurës nga DSIK në dhënien e Cerfitikatës të Sigurisë të Cakajt

Ky hetim nis pas zbulimit se Gent Cakaj, i cili ka mbajtur postin e zv/ ministrit pa pasur një Certifikatë sigurie për 7 muaj u pajis nga DISK me certifikatë sigurie brenda një dite. “Vetëm më datën 3 janar 2019, moment ky që përkon me bërjen publike të propozimit të kryeministrit për emërimin e tij në postin e MEPJ (si dhe tre ditë para firmosjes së propozimit për dekretim si ministër të MEPJ-së ai ka plotësuar aplikimin për certifikatë sigurie pranë kësaj ministrie dhe pse përmbushja e këtij detyrimi fillonte nga marrja e detyrës si zv/ ministër i MEPJ-së.” thuhet në letrën e presidentit Meta. Më 3 janar 2019, Ministria e Jashtme e ka përcjellë aplikimin e z. Gent Cakaj pranë Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe kjo e fundit, e ka pajisur atë me certifikatat përkatëse të sigurisë 1 (një) ditë më pas më datë 04.01.2019. Pra rezulton se procesi i verifikimit, i kryer në këtë rast nga (DSIK) si Autoriteti i Sigurimit Kombëtar në Shqipëri është realizuar brenda 1 (një dite).

Arsyetimi i Presidentit Meta për ngritjen e Komisionit Hetimor Parlamentar për DSIK

Shqipëria është vend anëtar i NATO-s. Përgjegjësitë tona janë jo vetëm kombëtare por dhe ndërkombëtare. Sjellja e institucioneve të Republikës së Shqipërisë duhet të jetë në përputhje me të gjitha detyrimet dhe angazhimet që burojnë nga ky anëtarësim jetik për Shqipërinë dhe të ardhmen e saj euroatlantike. Në këtë kontekst besueshmëria dhe serioziteti ndaj partnerëve tanë strategjikë dhe përkundrejt politikave të jashtme dhe të sigurisë të NATO-s dhe të Bashkimit Evropian janë jetike dhe çdo sjellje tjetër cenon rëndë besueshmërinë e Shqipërisë e lëkund themelet e partneritetit strategjik që mbështetet në konsolidimin e paqes, sigurisë dhe stabilitetit në rajon dhe më gjerë. Duke qenë se nga ky proces shqyrtues i Presidentit të Republikës, janë evidentuar shkelje të rënda në veprimtarinë e Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar, Presidenti i Republikës, vlerëson të domosdoshme kryerjen e një hetimi të plotë administrativ mbi veprimtarinë e këtij institucioni mbi këtë rast.

Nisur nga fakti që Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar është një institucion në varësi të drejtpërdrejtë të Kryeministrit, është e qartë se procesi i hetimit administrativ nuk mund të kryhet nga organe të tjera në varësi të Kryeministrit, pasi krijohet një situatë e pastër e konfliktit të interesit, gjë e cila mund të cenojë objektivitetin dhe cilësinë e hetimit të këtij rasti, Presidenti i Republikës, vlerëson se, për rastin konkret, Kuvendi i Shqipërisë mund të realizojë objektivisht këtë proces hetimor. Për sa më sipër, në zbatim të nenit 78, pika 2 dhe 3, si dhe nenit 92/h, të Kushtetutës, ligjit nr.8891, datë 2.5.2002 “Për organizimin dhe funksionimin e komisioneve hetimore të Kuvendit”, si dhe nenit 25 të Rregullores së Kuvendit të Shqipërisë, Presidenti i Republikës, i kërkon deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë, të vlerësojnë këto konstatime, me qëllim ngritjen sipas ligjit, të një Komisioni Hetimor Parlamentar në Kuvendin e Shqipërisë, për hetimin e veprimtarisë së institucionit të Drejtorisë së Informacionit të Klasifikuar mbi procesin e pajisjes me certifikatat e sigurisë për shtetasin Gent Cakaj, me detyrë zëvendësministër për Evropën dhe Punët e Jashtme. Shpreh besimin se Kuvendi i Shqipërisë do të përmbushë me përgjegjësinë dhe seriozitetin e një institucioni, vend anëtar i NATO-s, angazhimet e tij në shqyrtimin e kësaj çështjeje të rëndësishme për vendin tonë dhe përgjegjësitë e tij kombëtare dhe ndërkombëtare.