Suplementi Pena Shqiptare: Agim Hushi: Doktori i sëmurë

652
Sigal

Një ditë qyteti u zgjua nga lajmet e çuditshme të gazetave me shkronja të mëdha se një ish-i sëmurë kishte bërë zbulimet më të mëdha të botës në fushën e mjekësisë. Kishte zbuluar shërimin pa ilaçe për çdo sëmundje. Shëronte kancerin, diabetin, gjinjtë e sëmurë të grave, shterpësinë. Por mbi të gjitha ajo që çudiste më shumë ishte se sipas tij organi kryesor i trupit të njeriut nuk ishte më truri por zorra. Ishte e vështirë të kuptohej nga shpjegimi që mbante erë injorancë mjekësore nga ana e gazetarëve të artikujve bombastikë dhe nga toni i spikerëve që lexonin lajmet në studiot televizive se ç’nënkuptohej me zorrë sipas këtij zbulimi. Profesor Kriston, që kishte një jetë që jepte lëndën e anatomisë patologjike në Universitetin e mjekësisë nuk po e zinte vendi nga kjo gjëmë mjekësore që po përhapej me histeri si një legjendë urbane! Si mjek ai e ndjente dëmin që shkaktonin lajme të tilla sharlatanësh që s’kishin asnjë lidhje me mjekësinë si shkencë mijëra vjeçare që shpëtonte çdo ditë jetë njerëzish me gjithë dështimet e saj në betejën e vështirë me sëmundjet e reja që sillnin ndryshimet teknologjike dhe stili i ri i jetës. Por që të kishte një sulm të tillë kaq komiko-tragjik ndaj mjekësisë tradicionale, këtë doktori plak s’e kishte menduar kurrë! U vesh pasi piu kafen e mëngjesit me një mollë të qëruar dhe u nis për në klinikë. Në korridor po e prisnin disa pacientë. U përshëndet me ta dhe Edlira, infermierja i zgjati bluzën e bardhë.

-I dëgjove lajmet doktor, iu drejtua ajo si e zënë në faj, pa qenë e sigurt se si do reagonte ai.

-Po.- i tha shkurt. -Qesharake dhe e kriminale ndërhyrja e medias që kërkon të shesë dhe të bëhet interesante me çdo çmenduri. Nuk besoj se një sharlatanizëm i tillë mund të zërë aq vend në një media serioze. Aq më tepër kur nuk i lihet as një cep gazete një profesionisti të komentojë versionin shkencor të pretendimit. Ai zbulimi me zorrën e bënte qesharak si lajm, por dhe të rrezikshëm. Është vështirë të edukosh një popull, por shumë e lehtë ta çorientosh atë kur është i paditur…

Filloi vizitat si zakonisht. Ishte kohë pranvere dhe virozat stinore ishin shumë të përhapura.

-Më bëri përshtypje se shumë njerëz e cilësonin shkencëtar, doktor të madh, iu drejtua Edlira një çast.

-Ajo nuk më shqetëson fare, iu përgjigj me qetësi doktori. -Është në natyrën njerëzore që njerëzit t’i zërë hipnoza mediatike e kësaj përralle joshëse dhe ta thërrasin edhe Zot!, iu përgjigj Kristo ndihmësmjekes që vuri buzën lehtë në gaz

-Kur njerëzit kanë hall, besojnë në gjithçka përfshirë dhe sharlatanët dhe mrekullitë! Dhe unë personalisht besoj në forcën kuruese të natyrës, në mjekësinë alternative, por ama të provuar dhe në duar profesionistësh, ashtu siç besoj që industria farmaceutike shpesh ka rënë në duar biznesmenësh, vrasësish dhe jo shkencëtarësh të mirëfilltë. Është e drejta e gjithkujt të besojë dhe të ëndërrojë në mrekullitë, por ajo që më alarmon,-tha mjeku i vjetër -është thirrja antiligjore, që njerëzit të braktisin mjekët dhe ilaçet, të ndërpresin mjekimet profesionale… Kristo ishte i bindur se kjo ishte një formë tipike psikotike e një truri të traumatizuar nga tumori që “doktori” vetë e kishte kaluar, por që pretendonte ta kish shëruar veten.   -Doktor, -iu drejtua Edlira me sy të hapur nga një çudi e dukshme, me celular në vesh.-Është ai…! iu mek asaj goja.

-Cili?-iu përgjigj Doktori gjithashtu i çuditur dhe pa kuptuar asgjë.

-Shëruesi i gjithçkaje, iu përgjigj Edlira dhe desh të shtonte “armiku i mjekësisë”. Zotëria ka dëshirë të bëjë një bisedë me ju…për mjekësinë dhe disa zbulime të tij… -Por unë… gati iu mor goja Kristos nga kjo koincidencë e papritur. Unë nuk kam tagër zyrtar të aprovoj bindjet e tij. Mjekësia është një shkencë mijëravjeçare që, me gjithë fleksibilitetin shkencor i përmbahet ligjeve të zhvillimit të saj por dhe kushtetutës së shtetit!

-Zotëria dëshiron të pijë një kafe me ju dhe të ndajë disa ide me ju,-këmbënguli Edlira duke respektuar dëshirën e folësit në telefon…

-Ok.-iu përgjigj doktori i vjetër, më shumë për të mos ia prishur ndihmëses së tij. Le të vijë pas një ore.

Më së fundmi, ai sfiduesi i madh ishte para tij. I çuditshëm në shikim, paraqitje dhe në fjalë. Tamam siç edhe Kristo e kishte parashikuar.

-Gëzohem që ju takoj dhe faleminderit për këtë takim!-iu drejtua i porsaardhuri veshur me pantallona të verdha dhe këmishë të zezë firmato që, për çudi, e tregonin gati qesharak për moshën e tij mbi të gjashtëdhjetat. U ulën në barin e vogël përballë klinikës dhe porositën kafet. Ishte maj dhe hapësira e bukur plot lule dhe jeshillëk jashtë lokalit e bënte kafen edhe më të shijshme. Por këtë ndjenjë të këndshme sikur e thyen fjalët e para të mikut:

-E urrej mjekësinë tradicionale! Po vret njerëzimin!

Këto fjalë sikur e shkundën Kriston që e ndjeu veten të fyer dhe të baltosur nga një njeri me të cilin po takohej për herë të parë…

-Kam lexuar literaturë pafund dhe nuk i besoj asnjë mjeku, asnjë praktike tradicionale mjekësore, asnjë ilaçi,-vazhdoi bashkëbiseduesi si për të mos i lënë Kristos kohë as të merrte veten nga goditja e parë. Për çudi, profesorit plak ky njeri iu duk si një fëmijë i keq që ia kishin vrarë sedrën dikur apo i kishin dhënë një shpullë diku dhe ai po gjente një mënyrë të hakmerrej me ç’t’i dilte përpara, pa shkak, pa arsye…

-Ju kush jeni?- iu kthye me ton të përmbajtur Kristo. -Duket sikur urreni gjithë botën ndërkohë që flisni me zë të lartë se doni ta shpëtoni atë, e ndërmend i erdhi tumori në kokë i këtij njeriu dhe psikozat e mundshme.

-Jam njeri i plotësuar, s’kam nevojë për para, iu përgjigj tjetri me një ton që tregonte një vetëbesim po aq të frikshëm sa vetë teoria e tij kundër mjekësisë.-Jam bilioner! – tha më së fundmi sikur t’i kishte dhënë një lajm të madh.

Kristos i erdhi të vinte buzën në gaz dhe i pari mendim që i erdhi në mend ishte, se ky njeri, jo vetëm nuk mund të ishte milioner, por as milioner jo që jo. I yshtur nga gazetarët e varfër rrogëtarë dhe të papërgjegjshëm që për një bakshish sa një kafe mund t’ia bënin milionin një bilion; aq sa edhe zotëria vetë kishte filluar ta besonte. Siç kishte filluar të besonte se ishte doktor, profesor dhe shkencëtar i madh, tituj që i akseptonte me kënaqësi dhe një natyrshmëri të tillë, a thua se kishte lindur me to. Për një moment Kristos i erdhi keq që kishte pranuar të takohej me të. Ky njeri po ia prishte ditën me praninë e tij. Jam abonuar me literaturën me të fundit shkencore dhe të dhënat më të fundit të zbulimeve mjekësore…

-Ç’ju lidh me mjekësinë? e ndërpreu Kristo nga kjo ligjëratë e pakuptimtë e njeriut që sapo i kishte deklaruar që e urrente mjekësinë.

-Dua të shpëtoj botën! iu përgjigj me një krenari që Kriston e irritoi me boshllëkun e saj.

-Unë shëroj kancerin, kam shëruar persona që mjekësia u kishte dhënë vetëm dy muaj kohë për të jetuar…

Kristo u ngrit.

-Zotëri unë jam mjek profesionist! Ju nuk mund të më sfidoni me përralla urbane as me halucinacionet tuaja,-shtoi jo pa nervozizëm dhe zemërim.

-Ju duhet ta dini se unë kam zbuluar se organi kryesor nuk është truri por zorra…

Kristos iu përzje në stomak!

-Zotëri nuk ndajmë asgjë për të diskutuar, i tha me keqardhje dhe i dha dorën me një përvuajtshmëri sikur deshi t’i thoshte: “Më vjen keq, të shkuara!” Pagoi me këmbëngulje dhe u ndanë. Në klinikë ndjeu se e kish zënë një dhimbje koke. Piu një aspirinë dhe shkoi në shtëpi… U shtri në divan dhe nga mendja si shqitej ai takim aq pa vend dhe i kotë. “Kjo mund të ndodhë veç në Shqipërinë tonë!” mendoi me keqardhje. Ndezi televizorin dhe e shoqja po e ndiqte gati e trembur dhe me vëmendje çdo veprim të tij. S’kishte folur asnjë fjalë …

-Ç’ka ndodhur?-iu drejtua ajo… Dukesh tjetër njeri…

-Asgjë iu përgjigj ai, jemi shoqëri e sëmurë që prodhojmë edhe doktorë të sëmurë. Papritmas në një nga studiot televizive po transmetohej një debat i “doktorit të sëmurë” me një mjek të njohur që kishte ulur kokën dhe po dëgjonte me një fytyrë të trishtuar teoritë e bashkëbiseduesit!

– Tragjike!, thirri gati me zë të lartë Kristo.-Epidemi. Jetojmë në një kohë krize epidemiologjike. Është sëmurë shteti, kombi, shoqëria, vetë ekzistenca jonë! Presim vetëm të vdesim…!