“Keqqeverisja 7-vjeçare e Berishës ka rrënuar ekonominë e vendit”

462
Sigal

INTERVISTA/ Flet Pajtim Bello: “Ndryshimet ligjore  për përballimin e krizës kanë kaluar në kahun e veprimeve negative”

Kryetari i PS-së Edi Rama ditët e fundit i drejtoi një letër kryeministrit të Austrisë, për ta njohur me korrupsionin e qeverisë shqiptare në dhënien e Lotarisë Shqiptare një kompanie austriake. Gjithsesi, pak mund të presësh që qeveria austriake të hetojë kompaninë e saj, por pyetja ngrihet, në atë që deklaroi Edi Rama: A mundet një qeveri e PS-së, në qoftë se fiton në 2013-n, të anulojë këtë koncesion? Ekonomisti dhe politikani Pajtim Bello, në intervistën për “Telegraf” shpjegon se një qeveri e ardhshme mundet të anulojë koncesionin e qeverisë paraardhëse, në rastet kur kemi shkelje të interesave kombëtare dhe kushtetuese. Sepse qeveria Berisha në Lotarinë Kombëtare, sikurse argumenton zoti Bello, ka zbatuar procedurë përjashtuese në tenderin e Lotarisë Kombëtare, sikurse edhe në tendera të tjerë, duke favorizuar klientelën e vet politike. Zoti Bello, pohon që kriza ekonomike në Shqipëri është produkt i keqqeverisjes Berisha, sepse qeveria ka insistuar në politikat e saj joproduktive, dhe e fton Berishën që të shkojë e të shikojë defterët e borxheve të qytetarëve në marketet dhe dyqanet e bukës dhe të shpjegojë Kryeministri përse ka rënë indeksi i konsumit, përse bëhen ndryshime në ulje të buxheteve vjetore të shtetit nga dy herë brenda një viti?…

-Zoti Bello, tenderi  i  Lotarisë Kombëtare dhe dhënia e saj te një kompani austriake,  a është bërë sipas procedurës ligjore?

 – Është forma më tipike se si një qeveri shkel mbi interesat e vendit dhe të qytetarëve të vet. Janë një seri veprimesh, që kanë çuar në uljen e vlerave të kësaj pasurie, siç është Lotaria Kombëtare. Janë caktuar kritere përjashtuese për shumë kompani ndërkombëtare të specializuara në këtë lloj veprimtarie. Është përjashtuar kriteri i çmimit, nga kriteret vlerësuese të ofertës etj., veprime që flasin hapur për shkelje e dhunim të interesave të shqiptarëve. Por, kjo nuk ndodh për herë të parë, kur bëhet fjalë për kompani austriake!…

-Zoti Bello, ju aludoni për favorizim të kompanive austriake?!..

– Dëgjo, nuk është fjala për dyshime, por për fakte. Këto, që ne numëruam për Lotarinë Kombëtare, janë bërë publike nga media dhe nga disa kompani të tjera, të cilat kanë thënë edhe kush do të ishte fituesi i paracaktuar dhe kështu ndodhi. Por unë dua t’ju kujtoj shqiptarëve shkeljet, që qeveria shqiptare ka bërë kur dha me koncesion Kaskadën e lumit Devoll. Edhe në këtë rast, kemi një praktikë tipike, me shkelje ligjore, deri sa, në Parlament, është “ligjëruar” e drejta e ndryshimit të treguesve të projektit të shpallur fitues në tender!.. Edhe në këtë rast, janë zhvilluar procedura, që përjashtonin pjesëmarrjen e kompanive ndërkombëtare të specializuara në këtë fushë. Për çudi, përsëri një tjetër kompani austriake del fituese!… Një kompani austriake zotëron edhe koncesionin për Minierën e Kromit në Bulqizë, ku janë krijuar probleme të rënda nga moszbatimi i detyrimeve koncesionare!….

-A ka mundësi që PS-ja, po të fitojë në zgjedhjet e 2013-s, ta anulojë koncesionin e Lotarisë Kombëtare? PS-ja bën fjalë edhe për jotransparencë në zhvillimin e privatizimit të Albpetrol-it. Mundet, që edhe këto privatizime të rishikohen nga qeveria socialiste, pas 2013-s, në qoftë se fiton?

– Nuk ka asgjë të pamundshme, kur shkelen interesat e qytetarëve të një vendi, flasim këtu për interesa pasurore, që, në fund të fundit, mbrohen edhe me Kushtetutë. Ndërkohë, edhe kriteret përjashtuese të vendosura në/për pjesëmarrjen dhe vlerësimin e kompanive kanë të bëjnë me të drejta kushtetuese të qytetarëve dhe subjekteve ekonomike, që duan të marrin pjesë në tender. Kjo u provua edhe kur u hap tenderi. Qeveria nuk bëri asnjë mbrojtje profesionale ndaj akuzave e iu bënë prej disa kompanive prestigjioze dhe nga opozita, por lëshoi slogane në ajër. Kur arrin një qeveri të thotë, se “nëse ka ndonjë gjë që nuk shkon, fajin e kanë këshilltarë të huaj!.”, kuptohet qartë çfarë ka ndodhur! Më keq akoma, kur këshilltari na rezulton i lidhur me kompaninë fituese të tenderit të Lotarisë Kombëtare, atëherë çfarë mund të thonë shqiptarët për këtë katrahurë procedurale?!… Pra, opozita i ka mundësitë  ligjore, të anulojë tenderin dhe të verë fajtorët para përgjegjësisë.

– Në Shqipëri, kemi thjesht pasoja të krizës ekonomike globale, apo kriza është produkt i keqqeverisjes?

– Pasojat janë drejtpërdrejt produkt i keqqeverisjes, 7- vjeçare të Sali Berishës. Qeveria me kokëfortësi ka insistuar në politikat e veta joproduktive dhe ka rrënuar ekonominë e vendit. Nga viti në vit, në vend që të merrej me njohjen e realitetit, ka manifestuar një eufori të marrë dhe tashmë jemi në këtë gjendje të rënduar, ku vështirë se do të dilet pa pasoja të rënda për të gjithë shqiptarët. Kriza nuk ka prekur dhe nuk do të prekë qeveritarët dhe rrethin e ngushtë të bashkëpunëtorëve të tyre.

– Reagimi qeveritar, nëpërmjet miratimit të disa ligjeve, a është i mjaftueshëm për të përballuar krizën e pasojat e saj?

– Ndryshimet e ligjeve janë bërë kaq të shpeshta, saqë ngjajnë me arnime të një rrobe të vjetërsuar keq. Ndryshimet ligjore tashmë kanë kaluar në kahun e veprimeve negative, si nga ana psikologjike, edhe në produktin faktik të tyre. Bizneset ndjehen më të rënduara me taksa, më të rënduara me procedura dhe me perspektiva të zymta. Ndërkohë, në terren ligjin e bëjnë nëpunësit dhe jo pushteti!..

– Sipas jush, ekonomia shqiptare për çfarë ka më shumë nevojë sot?

– Së pari ka nevojë për një vlerësim real të gjendjes ku ajo ndodhet. Pastaj, lypset të ndërmerren veprime të tjera energjike e të frytshme dhe të hiqet dorë nga euforia politike e qeverisë. Bizneset duhet të shpëtojnë nga diktati i nëpunësve që iu janë vërsulur si karkalecat mbi të mbjellat, kanë nevojë të çlirohen nga monopolet e vendosura në disa degë të ekonomisë, të çlirohen nga veprimtaria korruptive që po u merr frymën dhe të krijohen kushtet për një konkurrencë të lirë e të ndershme, etj..

– Në mënyrë të përsëritur, Kryeministri politizoi edhe mënyrën e taksimit, duke e cilësuar “marksiste” taksën progresive. Së pari, cili është qëllimi politik që kërkon të arrijë Kryeministri me këtë propagandë?

– Si një marksist i thekur, Kryeministri nuk lë rast t’i shpëtojë “përgojimi i marksizmit”. Taksa progresive nuk është një shpikje shqiptare, por një sistem që përdoret gjerësisht në vendet me ekonomi shumë të zhvilluar. Kjo taksë nuk lidhet vetëm me ekonominë se sa me një vlerësim të drejtë dhe në mbrojtje te individëve apo bizneseve prej makutërisë së milionerëve!…

Rritja ekonomike dhe realiteti i jetesës të shqiptarëve, sipas Kryeministrit Berisha

Është refreni në gojën e Kryeministrit, është një togfjalësh i gdhendur në mendjen e Kryeministrit dhe ministrave të tij, që të flasin vetëm e vetëm për arritje ekonomike. Ndërkohë, shqiptarët po shijojnë frytet e hidhura të keqqeverisjes. Xhepat dhe buxhetet e familjarëve janë boshatisur dhe qindarkat, që kanë mbetur, shpenzohen me shumë kursim. Para se të flasë, Kryeministri të shkojë të shikojë defterët e borxheve, në marketet e qyteteve e fshatrave, ata defterë që i kishte shumë për zemër në fushatën elektorale të vitit 2005!.. Aty duket qartë, se kush është suksesi i qeverisjes… Ose, të shpjegojë, përse ka rënë indeksi i konsumit, përse bëhen ndryshime në ulje të buxheteve vjetore të shtetit nga dy herë brenda një viti?…

– Faleminderit!