Kandidimi i Shehut, Çupi del deputete e PD-së për Dibrën

462
Kandidimi i deputetit të PD-së, Sherefedin Shehu për postin e kryebashkiakut të Dibrës sjell dhe detyrimisht dhe një zëvendësim të deputetëve për listën e partisë më të madhe opozitare. Në bazë të ligjit për Kodin Zgjedhor, në rast të dorëzimit të mandatit të deputetit, zëvendësimi duhet të bëhet me personin e listës pasardhëse. Por Kodi ka parashikuar dhe një procedurë ekstra sa i përket plotësimit të barazisë gjinore. “Mandati i ndërprerë i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike
në zonën zgjedhore përkatëse. Në përjashtim nga ky rregull, kur vakanca i përket një mandati të fituar sipas pikës 6 të nenit 67, ajo plotësohet nga kandidati i parë në listë i gjinisë përkatëse, pavarësisht renditjes në listë. Emrat e tjerë të asaj gjinie ngjiten në listë duke marrë renditjen e kandidatit paraardhës të së njëjtës gjini. Ky rregull nuk aplikohet kur emrat e gjinisë përkatëse kanë shteruar”, thuhet në nenin 164, pika 2 të Kodit Zgjedhor. Ndërsa pika 6 e 7 të nenit 67 përcakton se “Për çdo zonë zgjedhore, të paktën tridhjetë për qind e listës shumëemërore dhe një në tre emrat e parë të listës shumemërore duhet t’i përkasë secilës gjini. Subjekti paraqitës i listës deklaron vendet, sipas kuotës gjinore, me qëllim zbatimin e përjashtimit, sipas pikës 2 të nenit 164 të këtij Kodi. Në rast mospërmbushjeje të njërit prej kushteve të parashikuara në këtë nen,
në lidhje me përbërjen e listës shumemërore, KQZ-ja zbaton sanksionet e parashikuara në nenin 175 të këtij Kodi”. Mbi bazën e këtij përcaktimi, në listën e PD-së për qarkun e Dibrës nuk është zbatuar kjo dispozitë. Kjo do të thotë se në këtë rast mandatin e lënë nga Shehu do ta marrë një grua. Sipas listës së PD-së të depozituar në KQZ, ekziston vetëm një femër, e ajo është Dhurata Çupi. Aktualisht ajo është anëtare e Këshillit Kombëtar të PD-së. Çupi figuron e renditura e gjashta, e fundit, në listën shumwemërore të PD-së. Por, nëse do të ishte bazuar ligji i barazisë gjinore, mandati i Shehut mund ti kalonte Ekrem Spahisë, ish-kryetarit të Partisë Lëvizja e Legalitetit, i renditur i katërti në listën e PD-së.
Sigal