Ju rrëfej, si e ngrita flamurin në Krujë!

975
Sigal

Nga Luçiano Hodo KËLCYRA

Derisa e ndryshuan historinë “shërbëtoret e popullit”, disa herë, pse të mos e trilloj edhe unë, njëherë. Çfarë ndodh në ëndërr mbetet në ëndërr. Ndalohet leximi për moshat mbi 30 vjeç!

-Sapo ra muzgu si një hije e natës u afrova avash, avash, tek muri rrethues i shtëpisë të vashëzës time, Margaritës! Hodha tre guriçka në dritaren e saj. Ajo doli si hyjni, me leshrat e gjata plot dredhëza! Më tundi dorën e gëzuar
– Eja , brenda, më tha! U bëra si kaçaku i zemrave dhe rrëshqita mes trëndafilave e kurorave me jargavanë. Më priste me krahë hapur vajza që unë doja! Në mes të odës ajo më hapi flamurin kuq e zi.
– Edhe pak bozhure duhen, dhe mbaron krejt, -më tha me zërin e ëmbël vasha ime.
– Shpejtoji duart xhan, se po vijnë delegatët. Ata të “qoftëlargut” kanë gjetur një flamur, thonë e ka lënë djali i Skandërbegut!
– Eh mor trim…ka vite që na morën frymën këta mashtrues të korruptuar – foli Margarita e pikëlluar. Kur mbarova “kupën” e tretë të rakisë Tërmet-Përmet, u çova e ika nëpër terr. Atë natë nuk më zinte gjumi. Burrat e gjithë trevave do mbidheshin në Krujë… ishte “Nëntori i parë” pas 500 vjetësh Atje do bënim një besëlidhje dhe më pas do ngrinim flamurin e do shpallnim, Shqipërinë të pavarur nga murtaja turke! Mendjen e kisha tek ajo që po bënte “i sëmuri i Bosforit” …Sulejmani i madhërishëm kishte marrë rrugën për në botën tjetër por në atdheun tonë donte të dërgonte “besnikët” e tij. Të qeverisnin dhe drejtonin ata Shqipërinë, sipas udhëzimeve të fshehta nga Stambolli. (Thonë që këto shënime të Sulltanit do t’i lexonte vite më vonë Ramizi, ashkaliu i Shkodrës me origjinë nga Kosova dhe para se të ikte nga pushteti do nxirrte të njëjtë “besnikët ” e tij për të drejtuar demokracinë. Historia përsëritet…Herë heroike, herë tragjedi, herë komedi) Ashtu i sëmurë me verem, Sulltani thërriti pranë shtratit të vdekjes besnikët e tij. Me zor i nxirrte fjalët, por ja u la amanetet:
– Ju kam thirrur juve, sepse jini me origjinë arnaute! Dua t’ju nis në Shqipëri …Ta merni drejtimin e vendit dhe ta qeverisni. Ngrini në Vlorë një flamur të madh e jepuni nga një flamur të vogël të gjithëve. Më pas vërini të punojnë! Merr fjalën një plak me mjekër të bardhë por të rruajur hollë nga berberi i Stambollit, që ngjante si arab:
– Sulltan i madhërishëm, unë nuk dua të shkoj në Arnautistan! Jam mirë në oborrin tënd. Rroga marshallah, qejfi, qejf! Hashashin e pi me shisha, sherbetin me kanë… Deputet jam. Tenderin e unazës të Bodrumit e kam fituar unë!
-Dëgjo këtu mor qafir!- i tha Sulltani
-Nuk po të dërgoj për asqer por do të bëj kryeministër!
-Nxirrni nga burgu ca burra të urtë po të dëgjueshëm dhe bëjini kryetarë mexhlisi, emërtojini “të përndjekur” duhet ajo parashtesa “për” është e rëndësishme, e kështu caktoni me rradhë gjithë kabinetin e vendit. U kujdesa për rrugën që do ndiqte për në Krujë karvani me delegatë. Atë do ta shoqëronte orkestra e përmetarëve, në gërnetë stërgjyshi i Laver Bariut. Disa trima ruanin krahët. Erdhi data 12 Nëndoruer 1912! Kishim mbërritur pa zbardhur dita, në hyrje të Krujës. Ishim shumë para karvanit me besnikët e Sulltanit që vinte nga Stambolli. Në Kosovë na na bëri nder të madh i zoti i hanit “Myshteria” Një natë më parë kishin bujtur atje delegatët e Sulltanit. Hanxhiu u ngrit natën dhe iu lëshoi kuajt nëpër pyje. Kurse atë trimin që do shoqëronte eskortën stambollite, e bëri tapë me raki …kështu që u vonuan. Kur zbardhi dita, pashë rreth e rrotull. Kishin mbirë si kërpudha qindra çadra. Kishin ardhur delegatë e popull nga gjithë trevat. Nga Malësia, Kosova, Shkupi, Manastiri, Çamëria, Përmeti, Vlora etj. Eh sa më gufoi zemra… E dija që sot Prijësi, do me jepte nderin e kësaj dite… Do të shpalosja flamurin Shqipëtar! Flamurin e pavarur, flamurin arbëror me shkabë…pa kafaz. Ngado dëgjohej kënga, buçiste gërneta e sazeve përmetare… Ndjehej që larg aroma e mishit që piqej në hell. Dukej sikur ishte 1 maji dhe klasa punëtore festonte. Më afrohet pranë një gur-skalitësh nga anët tona. Kristo Dhaskali, biri i tij u bë vite më pas, skulptor me emër në “oborrin qeveritar” e më thotë:
-Kam sjellë ca dalta të mira nga Alemania, për të gdhendur firmat e delegatëve në shkëmb! Në fund të ceremonisë do nënshkruanim “Deklaratën e Pavarësisë”, dhe do ta gdhendnim tek shkëmbi i kalasë. Nënshkrim i përjetshëm me daltë e çekan. Merak e kam patur që atëherë! Sepse do vinte një vitë më vonë një i dërguar i djallit një kuqalosh nga Gjirokastra dhe do t’i “retushonte” një nga një, emrat e firmëtarëve në “gurin e deklaratës! “Brenda kalasë kishin sajuar një podium si ballkon. Zbukuruar me lule e dega dafine. Në ceremoni kishte ardhur edhe nipi i Hamzait, pasardhës spiunësh profesionistë, por s’piunonte për krahun tonë tani… Turku i kish ulur rrogën dhe nuk i jepte shpërblimet në fund të vitit! Vjen me galop, një korrier si Maratonaku, duke iu marrë fryma e më thotë:
-Ka ardhur një araba e zezë me targa Stambolli. Ka ca të dërguar të sulltanit, gjasme u digjet barku për atdheun, duan të ngrenë flamurë në Vlorë…
-E ngritën? – i thashë
-Jo! Nuk kalojnë dot urën e Mifolit, kanë frikë nga bandat që humbën floririn në piramidat e bimbashit… Eh shyqyr, thashë me vehte. Tani ishim pa rivalë e pa tradhëtarë… Filloi ceremonia Një nga një mbanin fjalim, delegatët e gjithë trevave shqiptare. Erdhi momenti që do ngrihej flamuri. Dëgjova emrin tim të thirrej! Më caktuan ta ngrija unë flamurin. U emocionova!
-Shpejt flamurin, moj Margaritë – thërrita Ajo e shkreta vrapoi sa u pengua dhe vrau gjurin, por s’e dha vehten. Buzëqeshte akoma. U ngjita lart në ballkon, isha bërë më i kuq e flakë se flamuri. E putha dhe e ngrita lart flamurin duke brohoritur:
-Për një Shqipëri të lirë e me shumë parti! Shpërthyen brohoritjet, kënga e vallet sa u tundën muret e kalasë. Aty nga mesi i turmës vura re një burrë kokë bardhë me një megafon në dorë dhe u bënte thirrje njerëzve:
-Ke sheshi, ke sheshi… Dikush më tha që është spiun dhe arkeolog por burrë i mirë.
-Ka ardhur për të shmangur ndonjë gjakderdhje. Festa vazhdonte. Shumë vajza patën fatin atë ditë! Bënë “parje” me djem dhe zunë “duart” për fejesë! Tamam si fshatarët, vite më pas në festën e 24 majit në Përmet! Se si rrodhi historia (e trilluar) më pas …do shkruaj herë tjetër, në përvjetorë të tjerë! Këtë radhë, le të festojmë! Gëzuar! Krujë më 28 nëntor 2018! 106 vjet më pas 28 Nanduerit 1912.