Jakup Gjoça: Qeveria dështoi me projektin e Rindërtimit

469
Sigal

Qeveria dështoi në projektin e Rindërtimit

 Jakup B. GJOÇA

Ndonëse kaluan më shumë se 2 muaj nga tërmeti i 26 nëntorit 2019, qeveria ende nuk ka marrë asnjë masë për të sistemuar banorët që mbetën pa shtëpi. Edhe premtimi i kryeministrit Rama, se banorët do të sistemohen në hotele deri në fund të prillit të 2020, nuk u mbajt. Edhe premtimi se qeveria do t’u japë banorëve të prekur nga tërmeti qiranë e shtëpisë për 2 vjet, sërish u vërtetua që ishte një blof, sepse banorët thonë që nuk kanë marrë asnjë qira. Qeveria ende nuk ka bërë ndonjë studim të hollësishëm, për të evidentuar dëmet, shkallën e dëmtimeve për çdo banesë, të nxjerrë koston financiare. E vetmja masë që ndërmori qeveria, është emërimi i Arben Ahmetaj si ministër i Rindërtimit, edhe pse Ahmetaj u shkarkua nga posti i ministrit të Financave, i akuzuar për shpërdorime fondesh. Vetë kryeministri Rama pohoi këto ditë, se dëmet nga tërmeti i 26 nëntorit 2019 arrin në 1 miliard euro, pa u bazuar në asnjë studim.

Bashkitë e Durrësit, Tiranës, kanë bërë me dije, se kanë paguar nga fondet e taksapaguesve, qindra mijëra euro, për vlerësimin që është bërë nga grupe të ekspertëve privatë, ndërkohë, që banorët e dëmtuar nuk kanë asnjë letër-vlerësimi për dëmet që kanë pësuar shtëpitë e tyre. Qëllimisht banorëve nuk u jepet proces-verbali i vlerësimit të shtëpive të tyre. Pa këtë proces-verbal, banorët nuk mundet të shkojnë dot as në kompanitë e sigurimit, as në banka, sepse nuk dëshmojnë dot sa është shkalla e dëmtimit të banesave. Bashkitë e qeveria nuk u japin banorëve këto proces-verbale të vlerësimit të dëmit, sepse janë të lidhur me interesat e ndërtuesve, për të fshehur përgjegjësitë e tyre penale.  Qeveria dje dëshmoi që ka dështuar totalisht me programin e rindërtimit, derisa bëri me dije, se u jep kohë banorëve të prekur nga tërmeti, që të bëjnë kërkesat e tyre on line pranë bashkive.  Ministri për Rindërtimin, Arben Ahmetaj, prezantoi platformën e aplikimit online për qytetarët që përfitojnë nga programet e rindërtimit. Sipas tij, qytetarët kanë afat 30 ditë për të dorëzuar dosjen, ndërsa platforma do të bazohet tek vetëdeklarimi i qytetarëve. Në çdo bashki, duke nisur nga e mërkura, 29 janar, do të duhet të ketë dy sportele të posaçëm. Ideja është që nuk do të vijnë qytetarët tek ju, por skuadrat tuaja t’i marrin qytetarët dhe t’i ndihmojnë për aplikimin online. Ndërkohë bëhet me dije, se qeveria nuk ka akorduar asnjë lloj fondi në ndihmë të të dëmtuarve nga tërmeti. Edhe ato donacione që ka mbledhur deri tani, janë derdhur në buxhetin e Shtetit, ndoshta përdoren për të paguar faturat e koncesioneve.  Ky fakt është provë e dështimit të programit qeveritar për Rindërtimin, pasi i bind gjithë shqiptarët, se deri tani qeveria nuk ka bërë asgjë, ndërkohë, që pret që banorët të shkojnë nëpër sportelet e bashkive, të sorollaten për 1 muaj, që të bëjnë ata deponimin e dëmeve, ngaqë qeveria, bashkitë deri tani bënë vetëm turizëm propagande para kamerave, kur shkonin para ndërtesave të rrëzuara nga tërmeti. Shumica e banorëve janë ende pa strehë, madje as çadër nuk kanë. Atëherë, si do të munden këta banorë të shkojnë nëpër sportelet e bashkisë e të bëjnë kërkesën për dëmet që pësuan, për të marrë ndihma financiare për të ndërtuar shtëpi të re? Banorët, shumica e tyre mund të kenë humbur çdo dokument zyrtar të pronësisë të shtëpisë, si do të dëshmojnë në sportelet e bashkisë se kanë pësuar dëme në shtëpi?  Përse atëherë, qeveria ngriti një ministri të posaçme për Rindërtimin, derisa banorët seriozë do të sorollaten nëpër sportelet e bashkive? Apo thjesht që Arben Ahmetaj, të ketë një portofol ministror? Këto vlerësime duhet t’i kishte bërë më kohë qeveria dhe bashkitë përkatëse, dhe banorëve, duhet t’u jepet çdo ndihmë pa zvarritje, pa burokraci, pa sorollatje nëpër sportele të bashkive.