Ja si do të vijë opozita në pushtet në 2013-n

505
Sigal

INTERVISTA/Prof. Dr. Skënder Gjinushi: “Shqipërisë i imponohet të bëjë zgjedhje me një qeveri që besueshmëria te respektimi i votës prej saj është afër zeros”

Prof. Dr. Skënder Gjinushi, Kryetari i PSD-së,  në intervistën për “Telegraf”, Rezolutën për Çështjen Çame, në fund të mandatit parlamentar, e cilëson demagogji të PDIU-së, për të justifikuar qenien e tyre në qeverisje. Zoti Gjinushi e shtron domosdoshmëri që fronti opozitar të përmbajë edhe forcat e djathta e të ndershme, që janë kundër qeverisjes “Berisha”.

– Zoti Gjinushi, a është momenti i duhur politik, që Parlamenti të miratojë Rezolutën Çame, pasi ende forcat politike hezitojnë të mbajnë qëndrim të hapur e të qartë?

– Kjo është një tentativë e dytë për të bërë një rezolutë për Çështjen Çame. Është një iniciativë  që ne ia kemi sugjeruar me kohë Shoqatës  Çamëria, që kur kam qenë kryetar i Kuvendit. Siç dihet, ajo rezolutë herën e parë dështoi, sepse  PS-ja u tërhoq, ndërsa Saliu nuk pati as kurajon që të vinte në parlament, kur u diskutua dhe u fsheh, ndonëse siç dihet, opozita (e asaj kohe e Saliut) e ka më “lehtë” të mbështesë rezoluta të caktuara, pra, të pozicionohet më qartë për çështje të tilla, sesa qeveria, që shpesh duhet të bëjë “diplomaci”.

A është zgjidhja e Çështjes Çame, Rezoluta?

– Tani kuptohet që Rezoluta nuk është zgjidhja e problemit, sepse në fund të fundit Rezoluta synon të sintetizojë qëndrimin e të gjitha forcave politike parlamentare për Çështjen Çame, kur në fakt të tëra partitë në programet e tyre janë shprehur njëlloj për këtë çështje. Pra, nuk është se mungon një qëndrim i unifikuar.

– Atëherë, çfarë mungon?

– Mungon qëndrimi e veprimi konkret i ekzekutivit. Qeveritë, gjithmonë, i kanë bërë bisht kësaj gjëje.

– Cilat mund të jenë arsyet, që qeveritë  tona i bëjnë bisht Çështjes Çame?

– Nga mungesa e kurajos, nga kompleksi, nga motive të ndryshme, ato nuk e kanë përballuar një debat të hapur dhe  shtrimin  realisht në tavolinë të një problemi të tillë me palën greke. Fakti, që pas 22 vjetësh demokraci, pas 7 vjetësh  qeverisje nga një qeveri, që tashmë ka në përbërje një parti që pretendon se mbron drejtpërdrejt Çështjen Çame, (PDIU-ja), katandiset, që në mbyllje të legjislaturës, të tentohet të bëhet formalisht një rezolutë, flet për mungesë vullneti e veprimi. Ndonëse Saliut, babai i ka folur që i vogël për çështjen kombëtare, ai as në mbyllje të jetës, s’po guxon as të shprehet në favor të saj në Kuvendin e Shqipërisë. Kuptohet, se ç’qëndrim mban, kur ka përballë palën greke.

– A mundet cilado qeveri jona, qoftë e djathtë, qoftë e majtë, të ndryshojë politikën e diplomacinë e jashtme, në përshtatje me këtë rezolutë për Çamërinë?

– Theksova më lart, se rezolutat s’japin zgjidhje, por janë instrumente politike, që unifikojnë qëndrimet e nxisin e mbështesin qeveritë, për të shtruar e zgjidhur problemin. Nga rezolutat fillon puna e jo mbaron. Të gjithë e panë lojën e shëmtuar të Saliut, që desh të kundërvinte çamët me Avni Rustemin, kur ky i fundit është një ndër simbolet e mbrojtjes së Shqipërisë së Jugut e Çamërisë nga sulmet greke, e si i tillë, gëzon vlerësimin e respektin e veçantë nga çdo shqiptar patriot, e sidomos nga Komuniteti Çam.  Ne si PSD,  kemi votuar rezolutën e parë, që fatkeqësisht nuk u miratua se s’mori votat e duhura. Ajo rezolutë do të kishte pasur efekt real mbi ekzekutivin e politikën për zgjidhjen e Çështjes Çame.

Profesor Gjinushi, ju ishit nga të vetmit, që qysh në fillim keni këmbëngulur që marrja e statusit do të lidhet me arritjen e standardeve demokratike dhe jo kaq thjesht me votimin e disa ligjeve. I qëndroni akoma se dështuam pikërisht se nuk plotësuam standardet demokratike europiane?

Ne jemi ndër të paktët, që thoshim të vërtetën para shqiptarëve e opinionit publik, të vërtetën e madhe e të thjeshtë, që status do të thotë gjendje, domethënë , ku ke arritur në nivelin e demokracisë, pra cila është gjendja e jetesës të shqiptarëve  dhe  lirive e të drejtave të tyre, në një periudhë të caktuar. Të arrish statusin kandidat, do të thotë t’i afrohesh standardeve të Europës në fushat kryesore e sidomos, në zhvillimin e zgjedhjeve, luftën ndaj korrupsionit e shtetin ligjor. Këto janë të shprehura qartë për tre vjet me radhë në raportet vjetore të BE-së e 12 rekomandimet e saj. E ndonëse janë 12 rekomandime, që lexohen për 5 minuta, çuditërisht opinionit publik, si nga qeveria,edhe nga disa politikëbërës shqiptarë e burokratë europianë i thuhen lloj -lloj përrallash për ligje e amendamente, gjoja të pavotuar nga opozita. Për të ardhur keq është se në vend të pyetet thjesht, se a është plotësuar kryerekomandimi për zgjedhje të standardeve, kur dihet se përgjigjja është jo, a është plotësuar kushti  për luftimin e korrupsionit e ndëshkueshmërinë e zyrtarëve të lartë kur dihet përsëri përgjigjja jo. A janë plotësuar kërkesat për një administratë civile, gjyqësor të pavarur e të drejtën e pronës, kur përgjigja është jo se jo.  Mashtruesit e delenxhinjtë pyesin po të votoheshin tre projekt ligjet, a do ta merrnim statusin? Pikërisht këtë politikë kemi denoncuar ne si PSD, kemi denoncuar lojën e atyre, që ndonëse e dinë, që s’janë plotësuar shumica kryesore e 12 rekomandimeve, ndonëse standardet për shqiptarët janë përkeqësuar,  përsëri përpiqen të sajojnë një status fallco për qeverinë. Statusi pa standarde nuk i shërben Shqipërisë, por qeverisjes. Ndaj, sot ka dy linja. E para, miqtë e Shqipërisë si zn.Klinton, z.Vvithers, qeveritë mike, vetë dokumentet zyrtare të institucioneve  europiane e shumë ambasadorë dhe ish, të cilët  kërkojnë qartazi standarde për shqiptarët, duke theksuar se shqiptarët meritojnë zgjedhje të lira e të ndershme, meritojnë një qeveri të pakompromentuar, meritojnë institucione të pavarura, meritojnë  të jetojnë si europianë. Pastaj, është linja e dytë, që  janë  qeveria dhe sekserët  brenda dhe jashtë dhe disa përfaqësues burokratë të Europës, si përfaqësuesi i OSBE-së në Shqipëri dhe misionarë të tjerë në Bruksel, të cilët, kërkojnë një  status fallco për qeverinë dhe, ndonëse realiteti e standardet shqiptare janë gjithmonë e më keq, ata  sajojnë kushte të tilla, si 3 p/ligjet,  apo 3/5.

– Debati që bëjnë tani PD-PS për t’i lënë fajin e dështimit njëra- tjetrës si qëndron?

Ish ambasadori danez, bënte një pyetje të thjeshtë, që në 2010, kur u refuzua për herë të parë statusi, dhe thoshte: “Zotërinj, jashtë çdo debati pyes: Shqipëria, pas  një viti, nga 2009-ta  në 2010-n, është më mirë, apo më keq? Standardet e lirive e të drejtave, janë më mirë, apo më keq?” Më keq- ishte përgjigja. Ky është shkaku pse nuk jepet statusi – përgjigjej ambasadori.   Tani ju pyes unë juve: Sot Shqipëria është më mirë, a më keq se një vit më parë? Përgjigja është më keq. Po kush e qeverisë këtë vend? PD-ja dhe S.Berisha. Atëherë, kush është fajtori e shkaktari i dështimit të vendit? Po të merrej statusi meritë e kujt do të ishte? Besoj, e dini përgjigjen.   Në rast se doni më konkretisht, atëherë, çdo shqiptar mund e duhet të pyes e t’i përgjigjet vetes: Përse nuk arrihen standardet zgjedhore? Sepse Saliu vjedh në mes të ditës mandatin e Tiranës,vazhdon të vjedhë mandatet në Fier, zanat i mësuar prej tij, që në ‘96-n. Përse s’luftohet korrupsioni? Sepse qeverisemi nga qeveria më e korruptuar në Europë.  Përse s’kemi sistem gjyqësor të pavarur? Sepse kemi një kryetar bande qeveritare, që s’lë gjykatës, prokuror e president pa sulmuar e shantazhuar. Përse s’kemi administratë publike? Sepse shefi qeverisë politizon e mercenarizon edhe fëmijët e shkollave. Përse nuk zgjidhet problemi pronave?  Sepse mafia qeverisëse  nuk është ngopur akoma për vete e Fazlliçët e saj.

– Po opozita ç’përgjegjesi ka këtu?

– Për ne, si PSD, opozita e opinioni ka përgjegjësinë e vetme që e ka toleruar këtë qeveri, që e ka duruar  mbi parametrat demokratike këtë qeveri. Për ne, socialdemokratët,  nuk është koha e gjetjes së përgjegjësive. Është koha e largimit sa më parë e përgjegjësve që janë qeveria, PD –LSI dhe emisarët e tyre.

Atëherë, përse partitë ngrenë tension politik për të gjetur fajtorin e dështimit?                                                                                

Kjo është një lojë e qeverisë, çka në fakt është e kuptueshme,  sepse s’ka të dështuar, që e mban fajin mbi vete. Qeverinë ne e kuptojmë, se Saliu këtë ka bërë tërë jetën, por ne nuk kuptojmë disa burokratë të Europës, të cilët fshehin të vërtetën para shqiptarëve e shefave te tyre. Shikoni sa qesharakë janë, në raportime e argumente, këta miq të qeverisë. Në dokumentin më serioz të Këshillit të Ministrave të BE-së, thuhet se Shqipëria ka plotësuar 4 nga 12 rekomandimet dhe kanë mbetur katër pa plotësuar. Po si u dalin vetëm 3, këtyre sekserëve europianë të Saliut? Ndërsa, në konkluzionet e po këtij dokumenti, ritheksohet se Shqipëria duhet të plotësojë standardet kryesore, si zgjedhjet, korrupsioni, pronat, sistemi gjyqësor,(pra të tëra), si dhe 12 rekomandimet? Pra, fillojmë nga e para. Ky është realiteti e këtu gjithkush e kupton se tre projektligjet ishin një lojë për të shpëtuar qeverinë nga  dështimi i saj.

– Mesazhin që ndërkombëtarët përcjellin për Shqipërinë, për domosdoshmërinë e zgjedhjeve të lira e të ndershme për 2013-n, a e kanë perceptuar politikisht palët politike?

–  Këtu Shvejku përdorte një shprehje: U çmendën të tërë njëherësh!” Çmenduria ka arritur deri atje, sa thuhet:  A janë kusht zgjedhjet e lira për Shqipërinë? Pra, në qoftë se  ka një demokraci që nuk ka kusht zgjedhjet e lira e të ndershme, atëherë, na rroftë diktatura. Zgjedhjet e lira janë parakushti, andej fillon demokracia! Por këta kanë arritur deri te absurdi, në qoftë se BE-ja kërkon vazhdimisht zgjedhje të lira e të ndershme, të cilat nuk bëhen, përfundimisht, Shqipëria nuk ka rëndësi për kë voton, rëndësi ka që të jetë në pushtet Sali Berisha. Ju e kini parë se ndonëse zgjedhjet kanë qenë e janë kushti numër një për marrjen e statusit, ndonëse kjo thuhet qartë në 12 rekomandimet e në konkluzionet e Këshillit të Ministrave, ndonëse zonja Klinton në Kuvend këtë ngriti si problem kryesor, përsëri qeveria e sekserët e saj përpiqen e kanë kurajon të thonë, se zgjedhjet s’janë më kusht. Kjo tregon edhe një herë se vullneti i kësaj qeverie nuk ka ndryshuar, kjo tregon atë që ne si PSD kemi thënë me kohë se s’ka reforma reale e as standarde me këtë qeveri të Berishës. Për ne, gabimi më i madh që bëhet ndaj shqiptarëve është t’i detyrosh për të katërtën herë të bëjnë zgjedhje me këtë qeveri. Vetëm në Shqipëri opozita pyetet në se do të ruajë votën. Kudo opozita punon si të fitojë votën e besimin e shumicës së popullit. Tek ne problem mbetet mbrojtja e votës. Në një vend ku dominon frika për votën, ku besimi tek vota është afër zeros, është i parashkelur standardi më thelbësor për zgjedhje te lira. Vetëm ky fakt do të mjaftonte për t’i siguruar shqiptarëve zgjedhje me një qeveri të paanshme e jo t’i lesh në vorbullën e zgjedhjeve me probleme e reforma  të pafund e pa efekt, paszgjedhore.

Retorika nacionaliste ndihmojnë në konsolidimin e shtetit shqiptar, në çështjen kombëtare, ndihmojnë në integrimin e shqiptarëve në familjen europiane?

Sharlatanët e bashkojnë Kombin me llafe. Patriotët  me vepra. Sharlatanët përdorin demagogjinë për të mashtruar popullin, për të rritur abuzivisht numrin e mbështetësve. Ata, jo vetëm mashtrojnë shqiptarët me llafe, ndërkohë, që me veprime bëjnë të kundërtën, por edhe komprometojnë çështjen kombëtare, sepse me termat e tyre në dukje ekstreme  nxitin reaksionin e kundërt. Konkretisht, për të fshehur dështimin e turpshëm dhe të qëllimshëm të integrimit të Shqipërisë, Berisha rihodhi në tregun politik letrën nacionaliste, pikërisht ai që, me fjalë  flet për troje shqiptare deri në Prevezë, ndërsa me vepra iu fal grekëve qindra km katror det, me fjalë flet për bashkim kombëtar, me qëndrime denigron sponsorizuesit kryesorë të bashkimit si: I.Qemalin, I.Boletinin, A.Frashërin, L.Gurakuqin, H.Prishtinën dhe glorifikon bashkëpunëtorët e serbëve, e armiqve të ekzistencës e mbijetesës së shqiptarëve, ata që kanë përçarë kombin dhe shitën Shqipërinë, si Ahmet Zogu. Me fjalë flet për bashkimin me Kosovën, me vepra  bëri gjithçka për të penguar pavarësinë e saj, me fjalë flet për trimërinë e kombit. me vepra mohon luftën nacionalçlirimtare e  nuk la vrer pa hedhur mbi luftën e UÇK-së  e drejtuesit e saj. Së fundi, Saliu deklaron se shqiptarët do të bashkohen nëpërmjet integrimit në Europë. Dhe, realisht, kontributi më i madh që mund të japësh për bashkimin real të shqiptarëve është konsolidimi e integrimi me standarde të dy shteteve shqiptare, Shqipërisë e Kosovës. E këtu, përsëri Berisha, si penguesi kryesor i integrimit të Shqipërisë, del se me vepra punon kundër platformës së bashkimit nëpërmjet integrimit.

Prof, ju thatë që edhe forca të djathta sot janë opozitare me qeverisjen “Berisha”. Por, vetë Edi Rama, pak përpiqet që t’i afrojë e t’i bashkojë këto forca opozitare  në një front të përbashkët opozitar. Kjo, ngaqë nuk ua ka nevojën elektorale?

Dallimi midis delenxhiut e të ndershmit, ky është. Berisha mund të bashkohet me gjithkënd dhe të tëra i quan të moralshme, madje edhe shumica e opinion-bërësve përpiqen t’i legjitimojnë dhe përpiqen që të gjejnë argumente për këtë veprim të pandershëm, se sa ta denoncojnë atë, duke filluar që nga paqja Nano-Berisha dhe deri te bashkëqeverisja PD-LSI. Ndërsa, Topi, pa u bashkuar me të majtën, akuzohet  se ka tendenca të bashkohet. Pra,LSI-së i lejohet të bashkëpunojë me PD-në, i lejohet të bashkëvjedhë me PD-në,  i lejohet të vrasë me të djathtën, e të quhet gjithmonë e majtë. Ndërsa, të djathtët e ndershëm, ende pa bashkëpunuar me PS-në, i cilësojnë të kompromentuar.

– Por, problemi është se vetë Rama nuk përpiqet t’i qasë.

–  A më pyete mua? Unë të përgjigjem. Jam shumë i bindur që po të bashkohen me të majtën FRD-ja, të gjitha ata që e kanë quajtur legjitime bashkimin LSI-PD, madje edhe sot, pasi doli që ishte një dështim total për integrimin e Shqipërisë, turren të flasin për imoralitetin, për pafytyrësinë e bashkëpunimit të së majtës me FRD-në. Kjo, nuk do të thotë që ne duhet të tutemi nga këta delenxhinj.

– Te vetë PS-ja deri tani mungon strategjia e aleancave elektorale, sepse, nga njëra anë disa drejtues të saj, sikurse Ruçi e Subashi deklarojnë që fitorja zgjedhore është e sigurt vetëm me aleancën PS-LSI, ndërsa këto ditë zoti Gjiknuri shtroi domosdoshmërinë e hapjes ideologjike të PS-së edhe me AK-në e FRD-në. Cili është opinioni juaj?

Në Shqipëri nuk kuptohet një gjë e madhe. Që kudo ka dy linja dhe dy platforma, ku dallohen forcat politike. Një, që ka të bëjë me konceptin mbi shtetin dhe tjetra ka të bëjë, pastaj, me platformën ekonomike. Pra, njëra është ideologjia institucionale, tjetra është ideologjia ekonomike. Përsa i përket për çfarë shteti je, ka forca demokratike, ka forca antidemokratike, ka forca që duan shtetin e së drejtës, ka forca që e duan shtetin në shërbim të interesave të tyre. Pikërisht, në platformën e dytë nuk ka dallime, të majtë e të djathtë. Ka të bëjë me dallime, të forcave progresive nga forcat regresive. PD-LSI janë forca që kanë punuar për shtetin e anti-ligjit, kanë punuar për anti-integrimin, janë super të korruptuara. Opozita, tradicionale, PS-PSD dhe e majtë dhe FRD- që janë  në opozitë me ata. Pra, fronti politik opozitar është i krijuar, fronti për rikthimin e votës së lirë, për një pushtet të dalë nga vota e lirë, për të rikthyer Shqipërinë në rrugën e integrimit. Këtu kuptohet qartë, që e vetmja forcë që nuk mund të ketë vend në frontin opozitar elektoral, është LSI-ja, sepse ajo është bashkëpërgjegjëse e keqqeverisjes, e gjithë dështimit 4-vjeçar të qeverisë aktuale. Fitorja e parë do të jetë e grupimit demokratik ndaj grupimit antidemokratik.

– Sa i lehtë është bashkimi i grupimit opozitar e demokratik ?

– Nuk është se nuk janë të bashkuar në planin e denoncimit të këtij realitetit, në planin të vënies të gishtit se kush është shkaktari i bllokimit të integrimit, ne jemi njëlloj në një front taktik.

– Ku është problemi?

– Vetë sistemi zgjedhor e optimizon votën në qoftë se bashkohesh në një front të përbashkët. Dhe futja bashkë, dhe thjesht për taktikë, nuk do të thotë që u bëre bashkë në programin ekonomik, apo në programin social. Por edhe në ekonomi janë njësuar forcat politike. Sepse ne jemi në fazën e rivendosjes së bazës ekonomike. Berisha e katandisi bazën ekonomike në mosfunksionim. Të gjitha privatizimet e madha janë dështimet spektakolare. Në planin taktik, për hir të sistemit zgjedhor, duhet parë fuqizimi i rezultatit opozitar dhe taktika nuk kompromenton ideologjitë e ndryshme, apo diferencat partiake. Kurse në kushtet e fitores  së pari, të kampit demokratik,  së dyti, fitores të së majtës, pastaj, termat e bashkëqeverisjes, baza e bashkëqeverisjes është objekt negocimi, kompromisi, i cili mund të mbetet një qeverisje e majtë, por patjetër, nuk përjashtohet ndonjë forcë që e gjen veten në një program të mesatarizuar, që nuk cenon parimet bazë të saj.

 Rotacioni politik në zgjedhjet e 2013-s

Nga opozita ka një eufori politike,  se me gjithë këto dështime nga maxhoranca e lodhur në këto 8 vjet, rotacioni politik është i sigurt, çfarëdo që të ndodhë. Vërtet, është kaq i sigurt rotacioni?

Me votë, kjo maxhorancë nuk ka qenë kurrë maxhorancë. Me gjithë gabimet e dështimet e së majtës, relative,  me gjithë çarjet brenda saj, me gjithë diversionet, me gjithë lojën anti të majtë tëLSI-së, në 2005 nën  flamurin anti-Nano e në 2009-n nën flamurin anti-Rama, përsëri   Saliu as në 2005- dhe as në 2009-n nuk e ka fituar votën popullore. Tani, jo vetëm të majtët historikë e tradicionalë, nuk  votojnë më për këtë qeveri, por edhe shumë të djathtë: të djathtët patriotë, të djathtët e zhgënjyer, të djathtët e vjedhur, të djathtët e qeverisur nga e majtaLSI-së e të hedhur në rrugë prej saj, të gjithë këta i janë bashkuar kampit opozitar. Kaq do të mjaftonte që në një demokraci, fitorja të ishte e sigurt. Por, në kushtet tona, kur vidhet e manipulohet vota, kur vriten qytetarët në mes të bulevardit. për të ruajtur korrupsionin, patjetër që opozita duhet të synojë një bashkim sa më të gjerë. Në momente krizash të thella e të gjithanshme, kur shteti është i kapur  nga një klan korruptiv e antidemokratik, kur vendi duhet të ringrejë demokracinë, duke filluar nga rivendosja e zgjedhjeve demokratike dhe e kushtetushmërisë, lypset që, krahas bashkimit opozitar të majtë si alternativ qeverisëse, të ketë edhe një front opozitar, për garantimin e zgjedhjeve dhe rivendosjen e demokracisë.

 – Ju faleminderit!