Krimi elektoral, dosja 184/ SPAK-u jep vendimin: Votat u vodhën në Dibër, por janë të pafajshëm!

338
Sigal

SPAK-u jep vendimin: Votat u vodhën në Dibër, por janë të pafajshëm! Jehona në Zërin e Amerikës: Ndërhyrjet në zgjedhjet e Peshkopisë u bënë në favor të PS-së, vetëm 4 nën akuzë. Reagojnë: Opozita: Drejtësia nuk bëri drejtësi! Bushati: Dosja 184, provë për Gjyqësorin

Në Shqipëri, Prokuroria e Dibrës mbylli hetimet për çështjen e ndërhyrjeve në zgjedhjet e parakohshme vendore për Bashkinë e qytetit në vitin 2016. Kjo çështje, e njohur në publik si “Dosja 184” shkaktoi zhurmë pas publikimit të një pjese të përgjimeve të realizuara nga ish Prokuroria e Krimeve të Rënda. Hetimi kishte përfshirë që nga drejtues të lartë socialistë, deri të ata të nivelit lokal dhe biznesmenë që rezultonin të angazhuar për të favorizuar kandidatin socialist. Prokuroria ka ngritur akuzë për të paktën 4 persona, ish- shefin e Komisariatit, Robert Aga, për shpërdorim detyre duke qenë se dyshohet të ketë angazhuar strukturat e policisë në favor të një subjekti politik, ish- drejtorin e Arsimit Drini Gjeçi, i cili dyshohet të ketë kanosur mësuesit që të votonin kandidatin e shumicës.

VOA:  E ashtuquajtura drejtësi pret të kalojë koha, të mos hetojë dhe të çlirojë nga akuza Edi Ramën dhe bandën e tij të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër

E njejta akuzë por dhe për kanosje të zgjedhësve është ngritur për dy administratorë të njësive vendore. Kalvari i gjatë që njohur dosja hetimore sa nga një prokurori te tjetra ka bërë që pjesa dërrmuese e personave të hetuar, biznesmeni Imer Lala, Robert Aga, Arben Keshi, Drini Gjeci, Afrim Miklia dhe Bekim Krashi, të shpëtojnë nga akuza e shitblerjes, e cila sipas prokurorisë rezulton e provuar, për shkak të parashkrimit të veprës penale. Ndërkohë që për ish ministrin socialist Damian Gjiknuri dhe dy zyrtarë të tjerë të majtë, nuk rezulton të jetë provuar që të kenë përgjegjësi penale. Nuk ka vonuar reagimi i opozitës. “Sot drejtësia nuk bëri drejtësi me ‘dosjen 184’ të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër. Ngritja e akuzave nga prokuroria vetëm për disa zyrtarë lokalë dhe përjashtimi nga përgjegjësia penale e organizatorëve, nxitësve dhe urdhëruesve të vërtetë të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër nuk është drejtësi. Loja e SPAK dhe ping – pongu me dosjen në segmentin Tiranë-Dibër, nuk është kurrë justifikim për mungesën e drejtësisë”, u shpreh në një deklaratë Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi. Sipas zotit Bardhi “Dosja 184”, “ku kryeministri Edi Rama, Ministri i Ekonomisë, Damian Gjiknuri, Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, deputetët Pjerin Ndreu, sot kryetar i Bashkisë Lezhë, Ulsi Manja, Xhemal Qefalia, Artan Gaçi janë dëgjuar nga shqiptarët duke urdhëruar dhe zbatuar vjedhjen e zgjedhjeve në Dibër bashkë me personazhë të krimit të organizuar. Në vend që të gjithë këta, bashkë me Ymer Lalën apo Dionis Imerajn të ishin sot para drejtësisë, të ndëshkuar për vjedhjen e zgjedhjeve, e ashtuquajtura drejtësi pret të kalojë koha, të mos hetojë dhe të çlirojë nga akuza Edi Ramën dhe bandën e tij të manipulimit të zgjedhjeve në Dibër”.