Ish-kompania e Ministrit: 28 tendera për 22 muaj dhe 11 milionë dollarë

513
Ilir Beqaj, është ministri që ka organizuar dhe dhënë koncensione dhe tendera më shumë se çdo ministri tjetër, gjatë 23 muajve të qeverisjes të PS. Edhe pse PS erdhi në qeverisje me premtimin e madh, për një shëndetësi falas, sot, jo vetëm që gjendja nuk ka ndryshuar aspak, ku në spitale publike nuk gjen as ilaçet më të lira, asnjë material për tu përdorur nga pacientët, por ministri i Shëndetësisë “u përkujdesua” që pothuajse të gjitha shërbimet shëndetësore publike t’ua jepte miqve të tij me koncensione dhe tendera.

Beqaj jep recetat eletronike për 5 milionë euro, si edhe kartelat elektronike për 40 milionë euro, të njëjtës kompani

Shumë kompani të huaja prodhimit të ilaçeve, që ishin në Shqipëri, janë larguar pas 2013, pikërisht, sepse Beqaj me ligje dhe urdhëresa të veçanta ua bëri të pandershme konkurrencën. Gjithashtu, shumë kompani të huaja, që ishin të interesuara të merrnin pjesë në tenderat dhe koncesionet e Ministrisë së Shëndetësisë, nuk mundën të merrnin pjesë, sepse ministri Beqaj tenderat i organizonte në atë mënyrë, që të favorizonte vetëm miqtë e tij. Madje, shumë kompani të huaja italiane kanë bërë protestat e tyre pranë ambasadës italiane për mostransparencën e tenderave. Një nga më të fundit është tenderi që u zhvillua për recetën elektronike, që kapte shumën 5 milionë euro, ku sipas informacioneve, kompania italiane ka protestuar për mënyrën jo transparente të procesit të tenderimit. Por ministri Beqaj, është përkujdesur që me procedura ligjore, t’i japë fituesit 5 milionë euro të tenderit të recetave elektronike edhe tenderin që do të zhvillohet më vonë, për kartelat elektronike, për shumën e 40 milionë euro, sepse ka fotografuar në ligj, kushte të atilla, që janë të favorizueshme vetëm për kompaninë që fitoi tenderin e recetave elektronike. 

Ish-kompania e Beqes fiton 28 tendera në 22 muaj, ose 15 tendera brenda 2015

Ministri Ilir Beqaj, ishte deputeti i PS, që iu hoq mandati pas zgjedhjeve të 2009, pikërisht sepse kompania e tij kishte fituar tendera publikë. Ndaj Beqaj, u detyrua që ta shesë këtë kompani. Mirëpo, në këto 22 muaj qeverisje të PS, ku Beqaj është ministër i Shëndetësisë, del se kjo ish-kompani e Beqaj, ka fituar 28 tendera. Bëhet fjalë për kompaninë Intech +, e cila brenda një kohe të shkurtër ka përfituar nga tenderimet publike një shumë rreth 11 milion dollarë. Sigurisht që suksesi i papritur i kësaj kompanie lidhet me emrin e ministrit të famshëm gjithashtu për tenderimet dhe koncesionet në ministrinë e tij, vetë zotin Ilir Beqaj. Ministri aktual i shëndetësisë ka qenë aksioner kryesor i kompanisë Intech +, por në momentin e zgjedhjes deputet, për të qenë formalisht në rregull me ligjin, Ilir Beqaj i ka shitur aksionet e tij tek një person tjetër. Likuidimi është bërë me një kontratë të veçantë që nuk është e publikuar në dokumentacionin në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit. Shumëkush e mban mend që Intech + ia dogji mandatin deputetit Ilir Beqajt në vitin 2011, pasi Gjykata Kushtetuese e quajti shkelje të ligjit faktin që kompania e deputetit socialist kishte përfituar fonde publike nga bashkia e Durrësit. Mirëpo joshja nga paratë publike qenka e madhe. Për të mos e djegur edhe mandatin e dytë, pasi Partia Socialiste erdhi në pushtet dhe ai u emërua ministër i Shëndetësisë, më 9 shtator 2013, Ilir Beqaj i shiti pra aksionet e tij, 51 për qind, në shumën e afërsisht 120 mijë eurove. Me këtë akt, kompania Intech + i kishte duart e lira të përfitonte nga tenderat publikë dhe ministri ishte formalisht në rregull. E ndërsa vetë Beqaj akuzohej thuajse çdo ditë për tenderime e koncesione skandaloze në ministrinë e tij, kompania Intech + lulëzonte në biznesin e saj me administratën e re të partisë së Ilir Beqajt. Me ose pa ndikimin e kryeministrit Rama, kompania ku kishte qenë pronar ministri i Shëndetësisë, e cila ka si objekt të aktivitetit të saj shërbime të ndryshme të sistemeve kompjuterike, gjatë vitit 2014 është shpallur fituese e 10 tenderave në shumën e afro 2 milion dollarëve nga institucione si bashkia Durrës, Albcontrol, Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit, Instituti i Sigurimeve Shoqërore, ministria e Financave, Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. Gjatë vitit 2015, Inthech + ka fituar deri tani plot 18 tendera në shumën e rreth 7 milionë dollarëve, ku institucioneve shtetërore të mësipërme u shtohen edhe OSSHE, Agjencia Kombëtare e Ushqimit, etj. Në total, për 22 muaj kompania që ishte në emër të ministrit Beqaj, ka marrë rreth 11 milionë dollarë nga 28 tenderat e fituar, në 10 prej të cilave është fituese e vetme, të tjerat në bashkëpunim me kompani të ndryshme. Midis tyre vihet re se shumat më të mëdha i ka përfituar nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit për portalin qeveritar “e albania”. Gjithsej rreth 3 milionë dollarë. Çfarë ndodhi që kompania, ku ministri nuk është më aksioner, brenda dy viteve u bë kaq e suksesshme? Mos vallë largimi i Beqajt e ndihmoi kompaninë të lulëzonte dhe ndërkohë kryeministri Rama ua bëri peshqesh shqiptarëve tek ministria e Shëndetësisë? 

Prokuroria të hetojë 

Nuk ka dyshim që këtu nuk bëhet fjalë për histori suksesi, por për një aferë të dyshimtë biznesi. Ku përsëri në qendër është ministri i gjatë i Edi Ramës, i cili duhet patjetër të hetohet nëse ka ushtruar ose jo ndikim në kundërshtim me ligjin për të favorizuar ish kompaninë e tij. Po kështu prokuroria duhet të zbulojë nëse Ilir Beqaj përfiton ose jo, në mënyrë indirekte nga biznesi i Intech +, të cilën e shiti 120 mijë euro por që në dy vjet ka fituar tendera në 10 milion euro. Fakti që kryeministri Edi Rama ka vendosur të mbajë me çdo kusht ministrat e tij, nuk do të thotë që shqiptarët të durojnë të zhvaten dyfish, edhe kur shkojnë për t’u kuruar edhe kur paratë e tyre shpërndahen në mënyrë korruptive. Derisa sa do të heshtë prokuroria? Përse nuk heton procedurat e tenderimit të Ministrisë së Shëndetësisë? Skandali i rimbursimit të ilaçeve, ku humbën 5 miliardë lekë, ende nuk ka mbaruar dhe nuk janë vënë përpara përgjegjësisë fajtorët, ku kryesori është vetë ministri Ilir Beqaj. Përse kryeministri Rama hesht ndaj këtyre skandaleve të vazhdueshme të ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj?
Sigal