INTERVISTA/ Erion Kristo: Ligji në Shqipëri është një gallatë, shteti është karton

724
Jakup B. GJOÇA

Ligji në Shqipëri është një gallatë, kurse shteti është karton. Sa të kemi njerëz syleshë që duartrokasin kot, këta ustallarët në krye, gjithmonë do të marrin zemër për zullume!
Populli për fat të keq ha çdo gjë që t’i japësh. Ai harron shpejt zullumet e së shkuarës me shpresën se diçka do ndryshojë. Në fakt nuk është faji i tij. Populli të jep besim, o politikan zgjebarak, dhe ti e shpërdoron
Jetojmë në Shqipëri në një realitet të gënjeshtërt, ku qeveria punon vetëm të manipulojë opinionin, ku nëpërmjet demagogjisë, ndez vetëm dritat e iluzioneve të rreme, ndërkohë, që mediat tremben kaq shumë nga terrori i qeverisë, sa nuk guxojnë dot të japin lajm, as protestën e aktivistëve kundër kryeministrit, ndërsa në 5 vitet e qeverisjes së Rilindjes Socialiste kanë braktisur Shqipërinë 350.000 shqiptarë, për t’u katandisur azilantë ekonomikë nëpër Evropë. Ndërkohë, qeveritarët tanë kanë pasuri miliona euroshe, si …pajë nga gratë e tyre. 

Erion Kristo, pedagog, gazetar, aktivist në intervistën për gazetën “Telegraf”, duke bërë skanerin e Shqipërisë sot, thotë se kemi një shtet sa ndan rrogat, dhe se shteti është prej letre. Duke shpresuar për reformën në drejtësi, zoti Kristo do të dëshironte që të shikonte keq ata (qeveritarë dhe politikanë) që na kanë bërë që ne të jetojmë keq. Sipas zotit Kristo, kryeministri Rama dënon të vegjëlit, që këta ta kenë frikë dhe ta votojnë sërisht për pushtetin e vet. Pyetjes: Sa shpresë kemi për të ardhmen? Zoti Kristo, me dozë ironie përgjigjet se “Sa të kemi njerëz syleshë që duartrokasin kot, këta ustallarët në krye gjithmonë do marrin zemër për zullume!”. 

– Zoti Kristo, Ju e keni hedhur vajin të ngrohet në tigan, për të skuqur “Peshkun e Madh”?
– Do të doja që t’i shikoja një herë keq këta që jetojnë shumë mirë, sepse na kanë bërë neve të jetojmë keq. Pra, unë pres që të ketë ndëshkime, të ketë goditje, qofshin dhe politike. Kjo do t’i shërbente në radhë të parë, afrimit me Evropën dhe në radhë të dytë ,do të rikthente shpresën te shqiptarët. Në fakt, unë nuk kënaqem nga spektakli i ndëshkimit. Megjithatë, them se burgu është pak për këta njerëz. Kanë vdekur me mijëra për shkak të keqqeverisjes. Ata nuk do kthehen më në jetë, kjo është e sigurt. Por duhet patjetër që t’u ikë buzëqeshja këtyre që na ngrinë buzëqeshjen. Duke i parë se si ulërasin, mendoj se po e ndiejnë hellin t’u afrohet.

– Si e shpjegoni, që çdo opozitë në Shqipëri premton në zgjedhje parlamentare, se prioriteti i qeverisjes së saj do të jetë lufta kundër korrupsionit, ndërsa në qeverisje të mëvonshme të saj, korrupsioni madhësohet me përmasa gjeometrike?
– Populli për fat të keq ha çdo gjë që t’i japësh. Ai harron shpejt zullumet e së shkuarës me shpresën se diçka do ndryshojë. Në fakt nuk është faji i tij. Populli të jep besim, o politikan zgjebarak, dhe ti e shpërdoron. Pastaj thua që është faji i popullit që nuk i përshtatet vizionit tënd kozmik. Populli duhet, jo vetëm të votojë, jo vetëm të ndëshkojë me votë, por dhe të kërkojë llogari mes dy votimeve.

– Në 27 vitet e tranzicionit, çfarë kanë “fituar” në të vërtetë shqiptarët?
– Një pjesë e mirë e shqiptarëve kanë fituar pasaporta të huaja, që nuk do t’i kishin fituar nëse gjërat do shkonin ndryshe. Një pjesë tjetër kanë fituar parajsën qiellore se kanë vdekur para kohe për 100 arsye. Një pjesë kanë fituar hasmëri që do zgjasin me shekuj dhe gjyqe që do zgjasin me dekada. Edhe ata që kanë fituar shumë para, në fakt nuk kanë fituar asgjë. Ata thithin të njëjtin ajër si ne.

– Sa liri kanë realisht shqiptarët sot në Shqipëri?
– Liria nuk ka kuptim pa mundësinë për të zgjedhur. Kam liri të flas me vete, po kjo nuk ndryshon gjë. Liria është paketë. Dhe çelësat e paketës nuk i kanë as pushtetarët e mëdhenj. Edhe ata vetë nuk janë të lirë.

– Ju, çfarë ndjeni, si qytetar, kur kryeministri përmend në mënyrë të përsëritur publikisht fjalën “burg”?
– Them se Kryeministri e di që nga fjala nuk vjen e keqja. Ky e përmend shpesh, po se ka idenë tamam. Le të nisë ligjin nga ai vetë. Ta provojë burgun një herë, se mbase ndryshon mendim. Unë vetë, as armiqtë e mi nuk i dua në burg. Mua për xhakete të më kapësh dhe më shembet bota, jo të më marrësh lirinë. Në një vend ku ka të varfër, liria është pasuria më e madhe.

– Sa shtet kemi sot?
– Sot kemi aq shtet, sa rroga ndajmë. Rrogat janë të ulëta, shteti është i ulët. Ne kemi një shtet prej letre. Shtet kartoni. Kemi një shtet që të gjobit rëndë për një makinë poshtë pallatit, por të rruan sqetullat, po boshatise bankën kombëtare, apo naftën kombëtare, apo lumenjtë kombëtarë. Sa të kemi njerëz syleshë që duartrokasin kot, këta ustallarët në krye gjithmonë do marrin zemër për zullume.

– Cili është Ligji në Shqipëri?
– Ligji në Shqipëri është një gallatë.

– Çfarë duam ne shqiptarët? Demokraci? Qetësi? Rehat? Punë? Apo… Mercedez?
– E vërteta është që duam demokraci, qetësi, rehat, punë, por edhe mercedez, se është makinë e mirë. Nuk është se nuk i duam këto gjëra. Thjesht nuk luftojmë për to. I duam afrofe.

– Sa të varfër janë dhe si jetojnë sot shqiptarët?
– Ka shqiptarë të varfër, madje ka dhe shumë të varfër. Por ka dhe shqiptarë që kanë bërë para. Merr bar dhe ktheje në para. Kjo ka ndodhur te ne. Ka plot njerëz që ia kanë hedhur fukarallëkut, duke bërë një mijë e një të zeza. Por dhe këta kaqola janë të rrezikuar. Parja e keqe nuk e ka shenjën e frenit, por vetëm gazin. Dhe një mjet që ngitet pa frena, të çon në humnerë. Atë që nuk e bëjmë dot këtu, se s’kemi drejtësi, e bën bota. Plot janë dënuar. 

– Sa vlerë mund të ketë Vetingu për gjyqtarët dhe prokurorët, përballë pasurimit marramendës të politikanëve tanë?
– Po u krijua drejtësia, vdes korrupsioni. Politikanët do qethen, se këta as që kanë marrë mundimin ta fshehin abuzimin. I kanë sheshit. SPAK-u do jetë dajaku.

– Ju, si mendoni? Ka mbetur ndonjë pasuri e Shqipërisë pa u dhënë ende me koncesion?
– Unë mendoj se fantazia e tyre e sëmurë mund të gjejë gjithmonë diçka të re për të grabitur. Shpirti i pangopur është shumë kreativ.

– Mund ta kishe imagjinuar në 2013-n, që kryetari i atëhershëm i opozitës, Rama si Kryeministër, në 2018 do të dhuronte Ujin e kripur Greqisë dhe Ujin e ëmbël Italisë, ndërkohë, që shqiptarëve, që nuk paguajnë faturat e ujit, i dënon me burg?
– Nuk ma ha mendja se do arrijë të bëjë dot asnjë nga këto. Ai dënon të vegjlit, që këta ta kenë frikë dhe ta votojnë prapë.

– Sa të sigurt duhet të ndjehen tashmë shqiptarët, që kryeministri Rama e ka i vetëm Timonin?
– Historikisht, personi që ka akumuluar më shumë pushtet, ka ikur për lesh. Marrim disa shembuj: Ahmet Zogu në kulmin e mbretërimit të vet, iku për lesh; Mehmet Shehu gjithashtu, Enver Hoxha idem. E njëjta gjë ndodhi kur Berisha i parë shembi në hu kundërshtarët; kur Fatos Nano fitoi kongresin 99%; kur Berisha i dytë foli me Zotin. Kur pushteti bie në një pikë tenton ta thyejë pikën.

– Tani pas 4-5 vjetëve qeverisje të Rilindjes Socialiste, sa ndershmëri ka taksimi progresiv që zbaton qeveria?
– Broçkulla financiare. Bjeru të gjithëve, por jo atyre që të mbajnë me lekë. Shante Berishën, po nga ana financiare ky është dizastër. Nuk çon dot asgjë deri në fund.

Nga Tepsia e Madhe e Qeverisë së Rilindjes, çfarë mbërrin te familjet e Shqiptarëve?
Kur Tepsia përdoret si dajre, zhurma vjen. Pra, vetëm hija e tepsisë. Ja mendoni vetëm kaq: Çfarë fitojnë shqiptarët nga nafta e vet? P.sh. zharrëzinjtë? Ose bulqizakët nga kromi?

Ju çfarë mendimi keni, për premtimin e Kryeministrit Rama se në qeverisjen e Dytë, do të hapen 350.000 vende të reja pune?
Ka gjëra që e kapërcejnë mendimin. Nuk mendoj dot gjëra të tilla.

– Përse në publik mungon debati se ku i shpenzon qeveria Taksat dhe Buxhetin e shtetit, derisa mungojnë investimet publike dhe ndihma sociale e qeverisë?
– Nuk mund të them se s’ka debat apo se nuk bëhet gjë. Po më shumë bëhet kakaka e kokoko se sa ndonjë vezë.

– Kur jeni ndodhur në protestat e organizuara jo nga partitë politike, dhe keni parë një pjesëmarrje të vogël, keni pyetur veten, përse qytetarët nuk protestojnë ndaj keqqeverisjes, ndaj shkeljes të së drejtave të tyre etj.?
– Jo, nuk e kam menduar. Se këtë e ka menduar Konica, vite më parë. Ose, le të themi që e mendoj tërë kohës. Njerëzit duartrokasin ata që ua shkasin. Po për veten e tyre nuk bërtasin. 

– Çfarë të keqe tjetër më të madhe mund t’i bëjë Edi Rama si kryeministër Shqipërisë, që shqiptarët, më në fund, të ngrihen nga karriget e kafeneve dhe të dalin në shesh e të protestojnë?
– Rama ka një zotësi të habitshme. Ai nuk e lëshon asnjëherë gjylen e madhe. Punon mirë me gjyle të vogla në shumë fronte. Shqiptarët nuk do dalin për protestë. Por, po i thirri partia, do dalin. 

– Përse në Shqipëri nuk ka Shoqëri Civile, aktive në shërbim të së Mirës së Shoqërisë?
– Ka. Pak. Po ka. Sytë dhe veshët e njerëzve janë të verbuar e të shurdhuar. E kanë mendjen vetëm të shohin ndonjë copë mishi të varur, ose ndonjë kokërr leku pa meritë, ose ndonjë ndeshje të shitur. Pushteti ka ditur mirë se si t’ua zërë zërin në grykë ca pak njerëzve. Me blerje e shitje, me presione dhe tensione. Ja kështu pak a shumë.

– Sa tregues demokratik është mburrja e kryeministrit Rama, se në Shqipëri nuk ka …sindikalizëm?
– Është e vërtetë e hidhur, por është e vërtetë. Ai nuk gënjen në këtë rast. Pak e vështirë të krijosh sindikalizëm në një vend, ku nuk ka punë. 

– Përse në Shqipëri nuk vijnë të huajt të investojnë, ndonëse krahu i punës është shumë i lirë?
– Krahu i punës është i lirë, po është i shtrenjtë krahu i qeverisjes dhe i mungesës së ligjit. Pa folur pastaj për krahun e rëndë të krimit.

– Jeni optimist, për të ardhmen e afërt më të mirë të Shqipërisë?
Besoj ju kujtohen intervistat e mia të vjetra, ku kam thënë se Shqipëria do shpëtojë nga inati i SHBA-së dhe Gjermanisë. Më duket se jemi në këtë ditë. Kam përshtypjen se Rama po përdoret për këtë ditë. Në këtë pikë nuk dua ta mohoj punën e tij. Instalimi i drejtësisë do jetë një dritë shprese. Kjo klasë politike do të bjerë. S’ka shpëtim.

– Faleminderit!
Sigal