Intervista e plotë e Presidenti Meta: Dorëheqja më ka kalitur, më ka bërë më të fortë

567
Në një studio të improvizuar në mjediset e “Korpusit Universitar”, me rastin e 20-vjetorit nga transmetimi i emisionit të parë ‘Opinion’, intervistën e parë Blendi Fevziu ka zgjedhur që ta bëjë me presidentin Ilir Meta.
Teksa u pyet lidhur me faktin se çfarë kishte ndryshuar në këtë emision ndër këto vite, ishte fakti se sipas Metës e vetmja që nuk ka ndryshuar është drejtuesi i këtij emisioni, Blendi Fevziu. Ky i fundit i ka kujtuar Metës momentin e parë të daljes së tij në emisionin Opinion, datë e cila, përkonte me një moment jo të mirë së karrierës politike tëtij.
Intervista e plotë Presidentit Ilir Meta për emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në TV KLAN:
Fevziu: 29 janari i vitit 2002 është një moment i hidhur për ju, jeni dorëhequr si kryeministër dhe keni qenë në emisionin tim. Ju ka ardhur keq atëherë që keni dhënë dorëheqje?
Meta: Absolutisht, dorëheqjet gjithmonë më kanë kalitur dhe më kanë rikthyer më të fortë…
Fevziu: Çfarë do të thotë ju kanë kthyer më të fortë? Keni qenë Kryeministër, Kryetar Kuvendi, tani President. Duket se i keni patur të gjitha postet. Çfarë kërkon më shumë njeriu?
Meta: Asnjëherë s’kam luftuar për postet dhe asnjëherë nuk i kam kërkuar ato me çdo kusht, aq më tepër me çdo çmim. Kanë ardhur në mënyrë të natyrshme. Por edhe kam bërë lëvizjet e duhura gjithmonë në interes të perspektivës së vendit.
Fevziu:Ju kanë ndihmuar ndryshimet e kohës? Ju kanë bërë ta ndërtoni karrierën më thjesht seç e kanë të rinjtë sot?
Meta: Më kujtohet libri që bëtë ju atëherë me Blushin, “Brezi 22”.
Fevziu: Nuk ke siklet me gjithë këto makina e me gjithë këta roje që të shoqërojnë? Ke qenë me sportiv përpara.
Meta: Jam sportiv dhe sot dhe përpiqem shumë për të evituar gjera të panevojshme dhe të tepërta.
Fevziu: Ju jeni President i Republikës, por e kishit menduar 20 vjet më parë për karrierën që do kishit?
Meta: Unë para 1990-ës kam patur si ëndërr që të bëhesha pedagog, në Fakultetin e Ekonomisë. Kaq ishte maksimumi për të ëndërruar në fund të viteve 80-të. Gjithçka është produkti i atyre i atyre zhvillimeve që nisën në dhjetor dhe që vazhdojnë edhe sot.
Fevziu:Në vitin 1990 kishit dëshirën të largoheshit nga Shqipëria fare? Është e vërtetë?
Meta: Kam një pyetje për ju, kush nuk do të donte të largohej në atë kohë nga brezi ynë, ashtu sikundër shumë u larguan në kushte të tmerrshme dhe rrezikuan jetën dhe humbën gjithçka.
Fevziu: Do ishe një emigrant i suksesshëm, por vendi do të kishte mbetur pa President sot?
Meta: Në çdo rast Shqipëria do kishte një President dhe unë do kisha një të ardhme.
Fevziu: Ku doje të ikje?
Meta: Nuk isha i qartë se ku doja të ikja. Kisha të qartë që doja të ikja për të vazhduar studimet jashtë. Pastaj një shoku im hyri në Ambasadën Gjermane dhe këtu ishte dilema ime më e fortë.
Fevziu: Doje të ikje ne Gjermani? Ndërkohë ke mbetur në Shqipëri dhe je bërë President i vendit. A nuk ju duket që jeni shumë i ri për këto poste?
Meta: Njeriu është aq i vjetër sa duket, dhe aq i ri sa ndihet. Për mua është e rëndësishme që çdo kontribut t’i shërbej vendit dhe t’i shërbej komunitetit dhe të jetë kontribut pozitiv, pastaj vlerësimi i takon atyre.
Fevziu: Kur jeni nervozuar ndonjëherë gjatë 20 viteve që s’më keni duruar fare në emision?
Meta: Me ju jo, por ndonjë kolegu juaj në studio mund ta ketë tepruar. Por që kur një kolegu juaj kritikoi rëndë Skënderbeun, e mora më me qetësi pastaj.
Fevziu: Lubonja? Pse?
Meta: Po thashë me vete kur Skënderbeu kritikohet kaq fortë, thashë pse ne të tjerët nuk duhet të kritikohemi.
Fevziu: Çfarë emisionesh sheh më shumë, ato që kanë femra të bukura, kuzhinë apo modë?
Meta: Nuk është se kam ndonjë kohë të jashtëzakonshme për të parë televizione dhe për të ndjekur mediat. Kohën e lirë që kam jashtë angazhimeve e shfrytëzoj të lexoj sa më shumë libra, është një pasion që më ndihmon dhe të relaksohem dhe të shkoj në një botë tjetër.
Fevziu: Çfarë sporti bën?
Meta: Aktualisht jam shumë mirë në ecje në malore.
Fevziu: Ku ecën në malore?
Meta: Rëndësi ka ta kërkosh maloren. Puna është mos t’i shmangesh.
Fevziu: Më thanë që keni sjell një dhuratë?
Meta: Po menduam që me vajzën time, Erën t’ju sjellim një dron që të filmoni edhe nga lart. Mund të ndihmojë dhe regjinë tuaj. Ju gjithmonë përpiqeni të na kapni befasisht është një aspekt tjetër, është lartësi e re për regjinë tuaj.


Sigal