Thjeshtohen procedurat për viza amerikane

2341
Keshillat dhe rregullat e reja, si të merrni vizën amerikane
Ambasada amerikane sqaron qytetarët shqiptarë lidhur me shqetësimet dhe pyetjet për pajisjen me leje udhëtimi, bashkim familjar, përfitimin nga “green card” dhe lotaria e përvitshme
1 – Nga shifrat që po dëgjojmë çdo ditë, aplikimi për vizë turistike në SHBA është shpenzim parash, kohe dhe energjish. Vërtet SHBA ofron mundësi reale për viza turistike? Refuzimi apo pranimi bëhet në bazë të cilave kritere? A janë këto kritere publike? 
Zyra konsullore: “Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni, ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/…/nonimmigrant…/si-te-aplikoni/. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visas/en/general/denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA. Aty ku ne dalin në përfundimin që një person ka lidhje të forta (punë, sociale, lidhje të tjera ekonomike, etj.), dhe që tejkalon prezumimin e qëllimit imigrues – të cilin ne jemi të detyruar me ligj që të prezumojmë çdo aplikant të kategorive jo-imigruese, atëherë ne jemi të lumtur dhe krenarë të lëshojmë këto viza, shpejt dhe me respekt. Për t’iu përgjigjur pyetjes tuaj, gjithçka varet posaçërisht nga situata juaj. Cilat janë qëllimet tuaja në SHBA? Sa kohë keni ndërmend të qëndroni? A do të punoni në SHBA? A keni lidhje të forta në Shqipëri dhe a keni në plan të ktheheni? Ju duhet të siguroheni që t’ia bëni vetes tuaj me ndershmëri këto pyetje (përpara se ju të aplikoni për vizë) dhe pastaj t’u përgjigjeni me sinqeritet gjatë intervistës tuaj, nëse ju aplikoni. Këshilla jonë më e mirë mbetet që të tregoheni të sinqertë dhe të vërtetë përpara oficerit konsullor rreth qëllimeve dhe kualifikimeve tuaja në sportelin e intervistës. Personat që duan të aplikojnë ta dinë që nuk na duhen të shikojmë gjithë ato dokumente – unë dua të bëj një bashkëbisedim me aplikantin e vizës në sportel, pa dokumente. Nëse akoma po kërkoni për më tepër informacion dhe udhëzim, do doja t’ju referoja tek faqja jonë e internetit: https://travel.state.gov/…/visas/en/general/denials.html”.
2 – Është e vërtetë që nuk duhet asnjë dokument, po si mundemi të vërtetojmë që ne kemi baza të forta për t’u kthyer në Shqipëri, pasi formulari kërkon vetëm pagën dhe jo çfarë të ardhurash të tjera mund të ketë individi? Ndjehesh vërtetë keq kur refuzohesh, pasi je një njeri i rregullt që nuk ke aspak ndër mend të shkelësh rregullat e një shteti.
Zyra konsullore: “Tek përshkrimi i punës i formularit DS-160 ti ke mundësinë të shtjellosh të gjitha të ardhurat e tua. Të uroj suksese në të ardhmen”.

3 – Dje kam aplikuar për një vizë turistike për vjehrrin dhe vjehrrën. Çdo gjë ishte OK deri në pikën që më erdhi dhe kodi i konfirmimit. Në sqarimin që jepet në sitin e ambasadës pas kësaj procedure duhet të regjistrohet secili në një “user account” që ta vazhdoj dhe hapet për pagesën online. Kam provuar, por nuk kam mundur dot, edhe pse kam klikuar atje ku thuhet “create new account. Dërgova dhe një email, por ishte një sqarim shumë i përgjithshëm dhe nuk kam lënë vend të sitit të ambasadës pa klikuar. Si të veproj?
Zyra konsullore: “Sapo ti ke krijuar një llogari të re, ty të vjen një email që të kërkon të klikosh tek linku për të aktivizuar llogarinë tënde. Pasi e ke bërë këtë hap, ti hyn përsëri tek llogaria jote dhe vazhdon me regjistrimin. Nëse përsëri po has vështirësi, lutem kontakto: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv/information/contact_us”.

4 – Kam aplikuar për vizë turistike në fillim të muajit gusht. Duke qenë student edhe këtë vit, në përfundim të tij mendova të aplikoj, por u zhgënjeva, sepse e njëjta përgjigje si një pjesë e mirë e njerëzve aty (refuzim). Nuk besoj që ka fakt më të madh për kthimin tim në Shqipëri se shkolla. Duke qenë se investon për vite me radhë, nuk mund ta lësh për 1 vit. Do provoj përsëri!
Zyra konsullore: “Ne nuk mund të diskutojmë çështje individuale mbi vizat në forume publike, pasi ligji nuk na e lejon këtë gjë. Gjithsesi, kjo nuk më pengon të flas mbi refuzimet në përgjithësi. Unë e kuptoj mërzitjen tuaj. Refuzimet për vizë janë gjithmonë zhgënjyese dhe të vështira për cilindo, madje edhe për ne! Unë besoj se ajo për të cilën ju jeni të mërzitur është që ligji i Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, kështu siç është, është shumë strikt. Si zyrtarë të Qeverisë së Shteteve të Bashkuara dhe si oficerë konsullorë, autoriteti ynë vendimmarrës mbi vizat – si për lëshimet, edhe për refuzimet – është tërësisht i lidhur me ligjin e Shteteve të Bashkuara mbi imigracionin, më saktësisht Akti i Imigracionit dhe Nënshtetësisë. Sipas Aktit të Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN), neve na duhet të konsiderojmë çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. Kjo është një pengesë ligjore e domosdoshme, tepër strikte, që duhet tejkaluar. Neve na duhet të shqyrtojmë çdo çështje për vizë individualisht. E thënë ndryshe, çdo person duhet të dëshmojë që ai ose ajo i plotëson kërkesat për kualifikim për për kategorinë e vizës dhe të ketë lidhje të forta me një rezidencë jashtë Shteteve të Bashkuara. Për shkak se secili person ka rrethanat e tij unike, ne nuk vijmë dot në të njëjtin konkluzion për çdo individ. Këshilla ime në përgjithësi për aplikantët (në të gjithë botën, jo vetëm në Shqipëri), të cilët janë refuzuar nën Seksionin 214b të AIN, është që të kuptojnë se refuzimi nuk është një paragjykim, apo kritikë, ndaj jush personalisht. Oficeri konsullor nuk po paragjykon zgjedhjen tuaj në jetë apo situatën tuaj jashtë Shteteve të Bashkuara. Ata thjesht po bëjnë një vlerësim të lidhjeve tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe nëse ju i përmbushni ose jo kriteret për kualifikim të përcaktuara tek AIN, të cilat janë shumë strikte. Dhe, mbani mend që refuzimet në Seksionin 214b të AIN nuk janë të përhershme. Lidhjet tuaja jashtë Shteteve të Bashkuara, si dhe kriteret e tjera për kualifikim për vizat jo-imigruese ndryshojnë përgjatë kohës, pasi edhe vetë jetët tona evoluojnë. Sigurisht, kjo lyp edhe pyetjen: “Kur mund të riaplikoj unë?” nëse dhe kur të aplikoni është tërësisht në zgjedhjen tuaj, por është e dobishme të mbani mend që nëse juve ju është refuzuar viza bazuar në lidhje jo të forta jashtë Shteteve të Bashkuara, do ishte më e udhës që të prisni derisa situata juaj të ndryshojë përpara se të aplikoni përsëri për vizë, ose t’i evidentoni sa më qartë këto lidhje dhe fakte tek formulari juaj i aplikimit DS-160. Shpresoj që kjo t’ju ndihmojë duke hedhur pak më shumë dritë mbi refuzimet 214b, në përgjithësi, dhe se si oficerëve konsullorë u kërkohet që të shqyrtojnë çështjet për vizë”.

5 – Po një e moshuar çfarë duhet të vërtetojë që do kthehet në Shqipëri?
Zyra konsullore: “Kini parasysh që nëse ju dëshironi të aplikoni ju mund ta bëni atë duke ndjekur hapat këtu: https://al.usembassy.gov/…/nonimmigrant…/si-te-aplikoni/. Vetëm oficeri konsullor që ju merr në intervistë pasi të ketë shqyrtuar çështjen tuaj dhe t’ju ketë intervistuar, ai do të marrë vendimin nëse gjendeni ose jo i kualifikueshëm. Gjithsesi, mbani parasysh që secili aplikant i vizës turistike duhet të tejkalojë prezumimin e qëllimit imigrues të aplikantit (https://travel.state.gov/…/visas/en/general/denials.html), pra që të dëshmojë që nuk është një imigrant i mundshëm, dhe që ka lidhje të forta ekonomike e familjare me Shqipërinë dhe që do të kthehet në Shqipëri pas një qëndrimi të shkurtër në SHBA”. 

6 – Jam me “green card”, por kam dëshirë të marr me vete dhe mbesën 3 vjeçe, e cila jeton me prindërit e saj në Itali për 3 muaj. Mundet?
Zyra konsullore: “Parashikuar që mbesa gjendet e kualifikuar për vizë, ju duhet të keni autorizimin nga prindërit e saj. Për vizë vizitori B1/B2 ju duhet të paraqisni vetëm pasaportën tuaj, një kopje të printuar të fletës së konfirmimit të aplikimit elektronik DS-160 dhe një foto me ngjyra 5cm X 5cm të nxjerrë kohët e fundit, e cila duhet të përmbushë të gjitha kërkesat”. 

7 – I solla të gjitha dokumentet në intervistë, por konsulli as që nuk i vërejti ato!
Zyra konsullore: “Procesi i vizës së vizitorit për në Shtetet e Bashkuara nuk varet nga dokumente mbështetëse. Për disa kategori vizash (si p.sh.: nëse ju po shkoni për trajtim mjekësor, apo nëse po shkoni për të studiuar në Shtetet e Bashkuara), ju duhet të sillni disa dokumente të caktuara. Gjithsesi, nuk kërkohet asnjë dokument për vizë vizitori (B1/B2). Përveç rasteve kur oficeri konsullor ka një pyetje specifike, ne nuk do ju kërkojmë për dokumente mbështetëse. Formulari ynë elektronik është shumë i detajuar dhe oficeri do të përdorë përgjigjet tuaja në fomularin e aplikimit dhe në intervistë për të përcaktuar nëse ju kualifikoheni për një vizë vizitori”.

8 – Jemi 4 veta në familje, jetojmë në Greqi. Do të doja të aplikoja për vizë turistike, por me të dëgjuar e kam se duhet të paguajmë 250 dollarë për person. Ne dëshirojmë të vizitojmë Amerikën dhe të rikthehemi prapë në Greqi. Si të vërtetoj unë që do rikthehem?
Zyra konsullore: “Ne këshillojmë që aplikanti të aplikojë në shtetin e rezidencës. Gjithsesi, nëse ju vendosni të aplikoni në Tiranë, lutemi gjeni këtu hapat se si të aplikoni: https://al.usembassy.gov/…/nonimmigrant…/si-te-aplikoni/ dhe këtu Pyetje të shtruara shpesh: https://ais.usvisa-info.com/sq-al/niv/information/faqs. Kini parasysh që tarifa e aplikimit për vizë është e parimbursueshme”.

9 – Rreth 200.000 lekë të vjetra këtu në Shqipëri është një rrogë mujore fabrike, kurse ju na e merrni për një intervistë dhe kur vjen fundi as vizë s’na jepni. E kam provuar disa herë, por pa sukses. Mos vallë e gjithë loja është të na rripni nga lekët e bukës së gojës?
Zyra konsullore: “Ne nuk mund të diskutojmë çështje individuale mbi vizat në forume publike, pasi ligji nuk na e lejon këtë gjë. Sipas Aktit të Imigracionit dhe Nënshtetësisë (AIN), neve na duhet të konsiderojmë çdo aplikant vizash jo-imigruese si një person që synon imigracionin në Shtetet e Bashkuara, pra si një imigrant të mundshëm, përveç rastit kur ata provojnë që nuk janë të tillë. Kjo është një pengesë ligjore e domosdoshme, tepër strikte, që duhet tejkaluar”.

10 – Po një fitues i “DV-Lottery” që është në pritje për datë interviste për vitin 2018, mund të aplikojë për vizë turistike?
Zyra konsullore: “Po, ka të drejtë të aplikojë. Kur je në proces për peticion emigrimi nuk ka bazë për një refuzim automatik të një vize jo-emigruese. Sigurohuni të përmendni që keni në proces një petiticion emigrimi në formularin e aplikimit. Kini parasysh se për një vizë turistike barra e provës bie mbi aplikantin ose aplikanten që të provojë se ai ose ajo ka lidhje madhore me vendin e tij ose të saj”.


Sigal