Do shkrihen 218 njësi administrative, mbeten vetëm 4 prefektura, 4 këshilla qarku dhe 40% e këshilltarëve

1734
Përparim HALILI
Dështon reforma territoriale “Rama-1”, bashkitë po harxhojnë 40% më tepër fonde për administratën, gati eksperimenti “Rama-2” për strukturën e re
Vetëm dy vjet pas zbatimit me aq bujë, Reforma Territoriale rezulton një “vrimë në ujë”. Burime pranë qeverisë, thonë se shkrirja e Ministrisë së Pushtetit Lokal, nuk u bë për shkak të kryerjes së misionit të ngarkuar, por për shkak të kryerjes së eksperimentit të dështuar për hartën e re të vendit me 61 bashki, duke futur brenda tyre territore me sipërfaqe e popullsi sa 1 rreth! Me strukturën territoriale, brenda bashkive u futën qytete e fshatra deri me distancë 30-50 kilometër larg qendër, 70 kilometër nga skaji në skaj e deri 100 kilometër larg prefekturave! Bashkë me territoret, u bashkuan edhe shumë problematika të ndryshme pronësore, vijash kufitare ndarëse midis qendrave të banuara, interesa kullotash, pyjesh, rezervuara e kanalesh vaditës, burimesh ujore e gjithçka që ka një zonë e banuar, deri në atë moment me “qeverisje” më të vogël në bashki e komuna me nga 1000-8000 banorë! Konstatimi, menaxhimi, trajtimi dhe zgjidhja e tyre, përveç interesave të pleksura me shumë grupe interesi, u faktua se vështirësohej edhe nga mos-përputhja e bazës ligjore ekzistuese, ndërkohë që struktura e re nuk u shoqërua me “paketë” të re ligjore, për të garantuar funksionimin normal të qeverisjes vendore! Mjafton një fakt: Mes banorëve të fshatrave dhe qyteteve ish-komuna e ish-bashki të vogla, të bashkuara në një bashki të vetme, ka konflikt interesash sociale-ekonomike, ka pamundësi fizike kontrolli të gjendjes në terren. Këtë situatë të rënduar e problematike që është krijuar me strukturën e re territoriale të qeverisjes vendore e deklarojnë edhe vetë drejtuesit e bashkive, të cilët kërkojnë ndërhyrje me mekanizma të tjerë efiçientë, për të qeverisur banorët! Reforma nuk ka zgjidhur, por ka koklavitur më tepër punët në qeverisjen e vendore dhe këtë realitet qeveria e di, ndaj dhe siç duket, ka vendosur të ndërhyjë. Reforma Territoriale e ideuar me urgjencë prej qeverisë “Rama-1” dhe e zbatuar po me urgjencë në zgjedhjet lokale të 21 qershorit 2015, tregoi se ishte një model i kopjuar nga vende të zhvilluara, që u zbatua në një vend si Shqipëria, ku shteti nuk di se sa banorë ka, ku i ka dhe ku punojnë. Nuk mund të zbatohej një reformë e tillë me njësi vendore të mëdha, duke e “stamposur” në mënyrë shabllone mbi territor, në një vend si Shqipëria ku nuk dihet; sa është numri i familjeve, sa është numri i sipërfaqeve dhe pronësia e trojeve, tokave e objekteve brenda hartës së çdo bashkie! Nuk mund të zbatohej një reformë territoriale vendore, në një vend si Shqipëria me fshatra të braktisur, me infrastrukturë rrugore, mjekësore e energjetike e hidrike të shkatërruar dhe të munguar, me varfëri ekstreme, me papunësi, me konflikte pronash, me 35% ndërtime informale mbi toka e troje të zaptuara dhe të grabitura dhunshëm e me dokumente të falsifikuara! Nuk mund të zbatohej një reformë tip qeverisjeje vendore si në Zvicër, Angli, Itali, Gjermani, Francë, Danimarkë, Suedi, Norvegji e shumë vende të BE-së, kur shteti jep vetëm fonde për pagat dhe 25% fonde për investime e shërbime komunitare, kur të ardhurat prej taksave e menaxhimit të pasurive vendore në 80% të bashkive të kategorisë së dytë e të tretë, janë aq minimale, sa nuk blihet dot as bojë printeri për zyrat e Gjendjes Civile dhe të Ndihmës Ekonomike! Kur u ideua reforma që tashmë po shpallet e dështuar, ekspertët deklaruan se ishte një reformë e dështuar, për vetë faktin se, qeveria dhe shteti, nuk kanë kontroll të plotë mbi territorin, nuk kanë financa për të “ushqyer” kërkesat që paraqesin bashkitë, për zgjidhjet komunitare që duan banorët e zonave në qendër të qyteteve e, sidomos, në qendrat e banuara periferike, ku nuk ka as rrugë për të çuar ndihma ushqimore në rast emergjencash! Këtë dështim të qeverisë “Rama-1”, thuhet se, ka vendosur ta korrigjojë qeveria “Rama-2”, e cila edhe vetë u reformua si numër, për shkak të dështimit në shumë sektorë! Është menduar, që 27 bashkitë me sipërfaqe e numër popullsie të madhe, të rindahen si territor në bashki të reja, përveç bashkisë së Tiranës e cila do të qëndrojë si “qeveri më vete” me këtë territor që ka! Sipas informacionit që disponojmë, thuhet se do të shkrihen 218 njësi vendore ish-komuna. në rang rajoni, do të mbeten vetëm 4 prefektura për 4 rajone të mëdha dhe 4 Këshilla Qarqesh, siç janë aktualisht Drejtoritë Rajonale të Rrugëve! Do të mbeten vetëm 4 prefektura dhe 3 qarqe, ndërkohë që nga riorganizimi do të ikin afro 60% e këshilltarëve nëpër bashki! Në çdo bashki, nuk do të ketë më aq njësi administrative sa kanë qenë ish-komuna, por ato do të grupohen sipas numrit të banorëve dhe qendrave të banimit të çdo bashkie aktuale. 
Statistikë nga struktura territoriale
1. Deri në datën 21 qershor 2015, Shqipëria kishte 12 Prefektura, 12 Këshilla Qarqesh, 308 komuna dhe 65 bashki.
2. Pas datës 21 qershor 2015 e deri sot, Shqipëria ka 12 Prefektura, 12 Këshilla Qarqesh dhe 61 bashki.
3. Në Shqipëri, 70 komuna kanë 1,498-1500 banorë 
4. Në Shqipëri, 34 komuna kanë nga 8000-850 banorë 
5. Në Shqipëri, 11 ish-komuna kanë nga 380-410 banorë
6. Në vitin 2014, rezultojnë 932 fshatra të braktisur 100%
7. Në vitin 2014, rezultojnë 1165 fshatra të boshatisur 50-70%
8. Në vitin 2014, rezultojnë 871 fshatra me 10-20% të banorëve
9. Afro 80% e bizneseve në zonat rurale dhe afro 40% e bizneseve në qytetet periferike e të vogla, nuk paguajnë taksa 
10. Afro 70% e tokave janë zënë me ndërtime ose janë braktisur
Ja sa këshilltarë do të kenë bashkitë, sipas numrit të banorëve
1. Bashkitë deri në 20.000 banorë: Nga 15 anëtarë, do të kenë 7 anëtarë 
2. Bashkitë nga 20.001, deri 50.000 banorë: Nga 21 anëtarë, do të kenë 9 anëtarë
3. Bashkitë nga 50.00, deri 100.000 banorë: Nga 31 anëtarë, do të kenë 15 anëtarë
4. Bashkitë nga 100.001, deri 200.000 banorë: Nga 41 anëtarë, do të kenë 21 anëtarë
5. Bashkitë nga 200.001 deri 400.000 banorë: Nga 51 anëtarë, do të kenë 23 anëtarë
6. Bashkitë mbi 400.000 banorë: Nga 61 anëtarë, do të kenë 31 anëtarë
Sigal