Intervista/ Dr. Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA dhe OB

965
Sigal

DASH e ka të qartë se kriza në Shqipëri po merr të përmasa të mëdha. Instalimi i një regjimi autokratik, rreziku i destabilizimit rajonal dhe zgjedhjet e reja. Faktori ndërkombëtar po ndërgjegjësohet, se Institucioni i Presidentit është garancia e fundit për demokracinë e brishtë shqiptare

Dr. Agim Nesho, ish-ambasador në SHBA dhe OKB

Ajo që është e rëndësishme është se faktori ndërkombëtar gjithmonë e më shumë po e kupton se Institucioni i Presidentit është garancia e fundit për demokracinë e brishtë shqiptare

Shqipëria po shkon drejt një zgjidhje politike

Jakup B. GJOÇA

Dr. Agim Nesho, ish ambasador në SHBA dhe OKB në intervistën për gazetën “Telegraf” shpjegon se “Departamenti i Shtetit e ka të qartë se kriza politike në Shqipëri, që po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha, si dhe instalimi i një regjimi autokratik jo-liberal mund të sjellë një destabilizim në rajon dhe një humbje të interesave Amerikane në afatgjatë”, prandaj edhe SHBA po shton interesimin për Shqipërinë, e në këtë këndvështrim ishte edhe vizita e drejtorit për Ballkanin Perëndimor në DASH Konstelancik në Tiranë. Zoti Nesho, përgjigjet edhe pse zyrtari i DASH nuk takoi Presidentin e Republikës, dhe e argumenton se SHBA ruan paanshmërinë, duke ditur se Parlamenti unë ka një hetim, por e dinë mirë rolin e drejtë dhe ekuilibrues të Presidentit Meta dhe se faktori ndërkombëtar gjithmonë e më shumë po e kupton se Institucioni i Presidentit është garancia e fundit për demokracinë e brishtë shqiptare. Zoti Nesho shton se “sa më shpejt të bëhet ndërhyrja kirurgjikale aq më shumë rriten shanset që demokracia e sëmurë shqiptare të mos lërë pasoja për të ardhmen. Zgjedhjet e reja janë e vetmja zgjidhje”.

Zoti Nesho, takimet e drejtorit të DASH Konstelancik në Tiranë me të gjithë krerët e palëve politike, ka të bëjë me një angazhim më të madh të Administratës së Presidentit Trump për krizën e thellë politike në Shqipëri?

– Për politikën amerikane faktori shqiptar ka një interes të madh si një nga popujt më pro-amerikanë në botë. Historia e ka farkëtuar këtë lidhje, dhe për më tepër që për Shqipërinë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë dhe do të mbeten partneri strategjik më i fuqishëm. Por nëse miqësia midis popujve mbetet e fortë, vëmendja për vende të vogla si Shqipëria nuk mbetet gjithmonë prioritare për një vend si fuqia më e madhe e botës. Duket se krizat e fundit në Ballkanin Perëndimor, problemet që lidhen me mosfunksionimin e demokracisë, regjimet autoritare dhe të korruptuara, duke u lidhur me rritjen e presionit nga fuqitë e tjera për zona influence në rajon, kanë rikthyer vëmendjen. Departamenti i Shtetit e ka të qartë se kriza politike në Shqipëri, që po merr përmasa gjithmonë e më të mëdha, si dhe instalimi i një regjimi autokratik jo-liberal mund të sjellë një destabilizim në rajon dhe një humbje të interesave Amerikane në afatgjatë. Shembulli i Filipineve, ku autokrati Duterete ndryshoi linjën tradicionale pro-Amerikane me pro-Kineze, e tregon qartë këtë fenomen. Regjimet autokratike për të siguruar pushtetin e tyre nuk kanë paragjykime të ndryshojnë kursin e orientimit politik në funksion të pushtetit të tyre personal. Është funksionimi i demokracisë që e mundëson në radhë të parë mos-prishjen e këtyre balancave. Shqipëria ka shkarë nga rruga demokratike dhe kjo ka sjellë vëmendjen e tyre. Sigurisht përpara se të vinte në Shqipëri, diplomatët e Departamentit Amerikan të Shtetit janë njohur me raportin e OSBE-ODHIR, i cili në thelb i delegjitimon zgjedhjet e 30 qershorit. Një pushtet demokratik i delegjitimuar në institucionet përfaqësuese të tij nuk mund të ekzistojë. Një zgjidhje politike është e nevojshme për vendin. Ata e kanë marrë mesazhin që populli masivisht abandonoi zgjedhjet e regjimit.

-Zoti Nesho, Drejtori për Ballkanin mori takim me përfaqësuesit politik dhe zyrtarët e shtetit. Mungoi një takim me Presidentin e Republikës. Si e komentoni?

– Diplomatët Amerikanë janë shumë institucionalë dhe nuk ndërhyjnë gjatë proceseve në vazhdim siç është rasti i hetimit nga parlamenti të veprimtarisë së Presidentit të Republikës. Kjo është një farsë presioni nga pushteti që i vetmi institucion i ligjshëm i shtetit në mbrojtje të demokracisë të mbyllë gojën, por ata mbrojnë atë sesi duhet të funksionojë shteti. SHBA e dinë mirë rolin e drejtë dhe ekuilibrues të Presidentit Meta; mbrojtjen e bërë nga ai për vendimin legjitim të Kongresit Amerikan në njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit kur qeveria Shqiptare u lëshua në prehrin e udhëheqësve islamikë; në ekuilibrimin e marrëdhënieve me Greqinë, një aleat i rëndësishëm i SHBA kur qeveria për interesa të panjohura i çoi marrëdhëniet në zero; të politikave të tij realiste për Ballkanin kur qeveria është futur në një lojë gjeopolitike që mund të prodhojë destabilitet dhe të kthejë konfliktin në Ballkan. Duke zbatuar detyrat institucionale ai në mbrojtje të parimeve demokratike mund të ketë qenë i ashpër në deklarata, gjë që jo gjithmonë mirëkuptohen nga aleatët. Ajo që është e rëndësishme është se faktori ndërkombëtar gjithmonë e më shumë po e kupton se Institucioni i Presidentit është garancia e fundit për demokracinë e brishtë shqiptare.

-Zoti Ambasador Nesho, si i shikoni zhvillimet në të ardhmen?

– Mendoj që kriza politike në Shqipëri ka arritur në një pikë kritike ku zgjidhja nuk është vetëm e nevojshme por dhe e domosdoshme. Ndryshimi i elitave është një proces normal, për më tepër kur këto elita nuk respektojnë shtetin ligjor dhe dëmtojnë demokracinë. Për stadin e zhvillimit të demokracisë në Shqipëri rol të rëndësishëm ka dhe faktori ndërkombëtar, për besimin që ka opinioni publik ndaj aleatëve perëndimorë. Prandaj sa më shpejt të bëhet ndërhyrja kirurgjikale aq më shumë rriten shanset që demokracia e sëmurë shqiptare të mos lërë pasoja për të ardhmen. Zgjedhjet e reja janë e vetmja zgjidhje.

-Faleminderit!