Ilir Meta: Në politikën e jashtme janë të rëndësishme rezultatet dhe jo retorika

409
Sigal

Gazeta Telegraf/


Fjala e Kryetarit të Kuvendit, z. Ilir Meta në
seancë plenare

Në fakt nuk doja
sot të flisja për vizitën në Greqi. E kisha lënë për nesër, por arsyeja ishte
vizita e Kryeparlamentares së Italisë, znj. Boldrini, e cila foli sot këtu. Dhe
duke dëgjuar edhe ‘Doktorin’ pak më parë që udhëtoi në histori, si dhe gjithë
debatet e sotme apo të djeshme, një pjesë, të nxitur edhe nga spekulimet,
keqinformimet, dezinformimet dhe mashtrimet lidhur me vizitën e një delegacioni
të Kuvendit të Shqipërisë në Greqi të kryesuar nga unë, jam detyruar që duke
marrë shkas nga fjala e znj. Boldrini, të flas për këtë çështje sot. Znj.
Boldrini në mesazhin e saj thoshte në mënyrë të qartë dhe ligjëratë të drejtë
se: “Evropa ka nevojë për Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në
stabilizimin e një rajoni që përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe
pështjellime nacionaliste”. Këto fjalë u thanë vetëm pak më parë në një
ligjëratë të drejtë nga një personalitet i Italisë dhe i Evropës këtu. Për
shkak edhe të përvojës sime politike në marrëdhëniet ndërkombëtare, por edhe të
brendshme, më duhet të them edhe pas kaq kohësh se gjëja kryesore për të cilën
Evropa, Amerika, NATO dhe bota demokratike ka nevojë për Shqipërinë është në
radhë të parë, shpresoj të mos jetë e vetmja, aftësia e saj për të qenë faktor
stabiliteti në këtë rajon të trazuar historikisht.

Mbështes politikën e “zero problemeve” me fqinjët

Unë e mbështes
politikën e “zero problemeve” me fqinjët si një tentim, sepse më duket e
pamundur që të mos kemi asnjë problem me fqinjët. Nuk pres të kemi probleme me
Zelandën e Re apo me Australinë. Natyrisht që edhe probleme do të kemi me
fqinjët, sepse kemi probleme edhe me Kosovën për tregtinë apo për çështje të
ndryshme, ku hyjnë interesa nga më të ndryshmet dhe që gjithnjë përpiqemi t’i
zgjidhim. Unë jam një politikan, i cili ka vetëm tre tabu: Stabilitetin e
Shqipërisë, integrimin evropian të vendit dhe Shqipërinë si faktor stabiliteti
në Rajon. Kjo do të thotë; marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe Shqipëria si
shembull për bashkëpunimin rajonal. Dhe besoj se të tre këto janë të lidhura
ngushtësisht me njëra-tjetrën. E prita me kënaqësi këtë vizitë në Greqi,
pavarësisht se nuk e kisha kërkuar, për arsye se Greqia ka qenë në një situatë
jo shumë të qëndrueshme ekonomike apo edhe politike. Parlamentet janë ndryshuar
në mënyrë të vazhdueshme dhe ishim të bindur se një vizitë zyrtare duhet bërë
në kohën kur edhe mikpritësit tanë do të kishin më shumë mundësi për të
diskutuar së bashku për të gjithë çështjet e bashkëpunimit të gjithanshëm. Dhe
jam shumë i kënaqur për këtë vizitë, e cila ka ndodhur në një moment pak si jo
shumë pozitiv në drejtim te atmosferës, të deklaratave, të kundërdeklaratave të
faktorëve të ndryshëm politikë, publikë e kështu me radhë. Dhe besoj, se ky
delegacion dhe unë si kryetar i këtij delegacioni parlamentar, kemi bërë më së
miri detyrën ndaj atyre qëllimeve që ka politika e jashtme e Shqipërisë.

Çështja e Çamërisë

Kam dëgjuar këtu
se nuk është ngritur çështja “çame”. Jo vetëm kaq, por këtu kam dëgjuar që
Kryeparlamentari ka thënë, se ka qasje të ndryshme me Ministrin e Jashtëm të
Shqipërisë, z. Bushati. Gjë që ka qenë një spekulim, sepse deklarata ime në
përgjigje të pyetjes së gazetares greke pas takimit me Ministrin e Jashtëm të
Greqisë ka qenë shumë e qartë: që për çështjen “çame” kemi qasje të ndryshme.
Në fakt ka qenë diplomatike si përgjigje, sepse qasjet ishit të kundërta. Po
kështu dua të shpreh keqardhjen time, që theksohet këtu se unë jam shprehur që
çështja “çame” është një çështje që i takon së shkuarës. Pra që nuk është një
çështje aktuale dhe si e tillë nuk është një çështje që duhet zgjidhur. Unë jam
shprehur në mënyrë shumë të qartë, se në historinë e vjetër të marrëdhënieve
mes dy popujve që dominohet nga bashkekzistenca dhe nga bashkëjetesa, ka edhe
disa plagë, të cilat dhembin edhe kur i përkëdhel, jo më kur i ngacmon ashtu
sikundër ndodh kjo edhe në trupin secilit prej nesh. Dhe e kam thënë në mënyrë
të qartë, që këto plagë duhet t’i kurojmë dhe t’i shërojmë me kujdes, me
qetësi, në mënyrë konstruktive, në mënyrë që të na dhembin sa më pak, dhe të
mos krijojmë plagë të reja. Sepse kjo është një sfidë shumë e madhe në
marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Greqisë dhe në marrëdhënien tonë me të gjithë
vendet në Rajon. Dhe jo vetëm kaq, por jam shprehur që çështja çame është plaga
më e thellë në historinë e marrëdhënieve midis Shqipërisë dhe Greqisë. Dhe si e
tillë sipas mendimit tim kërkon një klimë tjetër për të cilën duhet të punojmë
të gjithë në mënyrë konstruktive. Ne të gjithë e dimë, se një problem i
rëndësishëm për fat të keq, edhe pse sipas vlerësimit tim, ne nuk ndjejmë asnjë
rrezik nga Greqia, mbetet fakti që ligji i luftës është ende në fuqi. Kjo është
paradoksale, sepse ne jemi të dy vende anëtare të NATO-s dhe Greqia e ka
mbështetur anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kjo çështje, dhe çështje të
tjera, sikurse janë edhe të drejtat pronësore të shqiptarëve që kanë jetuar në
Greqi dhe që janë larguar me forcë nga Greqia, janë ngritur në mënyrë zyrtare
në çdo takim dhe në çdo bisedë. Për fat të mirë ka vullnet për të dëgjuar,
pavarësisht nga reagimi për ato çështje, të cilat janë diskutuar në mënyrë të
vazhdueshme edhe nga ministrat e jashtëm, pra në nivele diplomatike. Unë nuk
isha në Greqi për të bërë negociata për këtë çështje apo për çështje të tjera
te mbetura, kjo ka qenë një vizitë zyrtare.

Klima konstruktive mes dy vendeve

Ne kemi qenë në
radhë të parë për të krijuar një klimë konstruktive, sepse mund t’ua them me
bindje të plotë se ajo që ka penguar zgjidhjen e shumë çështjeve, të cilat në
mënyrë konfidenciale të dy palët i konsiderojnë si paradoksale shpesh, janë
fushatat elektorale në Greqi dhe në Shqipëri. Shpeshhere është klima që
krijohet për shkak të fushatave që vë në pozitë të vështirë qeveritë. Unë besoj
se qeveritë që do të vijnë në të ardhmen në Greqi ndoshta nuk do të jenë kaq të
disponuara pozitivisht për t’i shëruar më shpejt këto plagë. Kam vënë re një
vullnet shumë pozitiv tek qeveria aktuale për shumë çështje, sidomos në drejtim
të integrimit të emigrantëve. Hapa që nuk i ka bërë asnjë qeveri tjetër më
parë. Kam vënë re një vullnet konstruktiv për të avancuar në një mënyrë të
qëndrueshme drejt përmirësimit të marrëdhënieve midis dy vendeve tona. Ndaj
besoj se ajo që na duhet është një klimë konstruktive këtu me njëri-tjetrin për
çështje të cilat kanë të bëjnë në marrëdhëniet me fqinjët përfshirë edhe
Greqinë dhe të heqim dorë nga përpjekjet për të kthyer çështje të tilla në
çështje të fushatës së ardhshme elektorale. Unë personalisht nuk kam ndërmend
ta bëj këtë gjë dhe më duket krejtësisht e padobishme, sepse unë mendoj që për
të gjithë shqiptarët, dhe në mënyrë të veçantë për komunitetin çam që jeton
këtu në mënyrë të veçantë e që u janë mohuar dhunshëm të drejtat e tyre, më e
rëndësishmja është rivendosja e këtyre të drejtave, që janë të drejta themelore
të njeriut. Besoj që ne duhet të ecim në një mënyrë të mençur edhe për këtë
çështje, si çështja më e vështirë, për të cilën deri tani unë nuk kam parë
ndonjë forcë politike në Greqi që të jetë e gatshme për ta diskutuar.

Nuk jam takuar me Agimin e Artë

Përveç ndoshta
Agimit të Artë, me të cilët as jam takuar e as nuk kam ndërmend të takohem si
Kryetar i Kuvendit. Ndaj besoj se në këtë drejtim ne duhet që marrëdhëniet me
fqinjët dhe jo vetëm me Greqinë t’i trajtojmë me më shumë përgjegjshmëri ashtu
sikurse i trajton shpesh Komisioni i Politikës së Jashtme në mënyrë të veçantë
kur nuk ka media. Nuk duhet ta harrojmë edhe një herë mesazhin që dha znj.
Boldrini sot këtu në Parlament vetëm pak orë më parë: “Evropa ka nevojë për
Shqipërinë si një partnere e rëndësishme në stabilizimin e një rajoni që
përshkohet nga tensione të rrezikshme dhe pështjellime nacionaliste”. Nuk kemi
asnjë interes të mos sillemi në mënyrë evropiane edhe kur vende anëtare të
Bashkimit Evropian mund të mos e bëjnë këtë gjë, sepse ne për të zgjidhur
çështje të tilla na duhet mbështetja e Bashkimit Evropian dhe gjithë partnerëve
të tjerë ndërkombëtarë dhe ata këtë gjë do të na japin kur të shohin se ne i
ngremë problemet në mënyrë konstruktive. Nuk mjafton vetëm të kesh një të
drejtë, por ka shumë rëndësi si e parashtron kërkesën për këtë të drejtë. Dhe
unë besoj se në raport me Greqinë, dhe në raport me vende të tjera, është shumë
e rëndësishme të sillemi në një mënyrë evropiane. Ta paraqesim drejt këtë
çështje, jo si një sfidë ndaj Greqisë, jo me një retorikë për të demaskuar
Greqinë, se kjo nuk na ndihmon, sepse kjo nuk e zgjidh këtë çështje! Kjo nuk
zgjidhet në mënyrë të njëanshme se ndryshe do e kishim zgjidhur me kohë! Kjo
çështje kërkon dialog, mirëkuptim dhe mirëbesim, që duhet të ndërtohet çdo ditë
dhe jo të vritet. Qoftë edhe pa dashje. Qoftë dhe nga padurimi me të drejtë të
shumë prej përfaqësuesve të këtij komuniteti të jashtëzakonshëm dhe me shumë
vlera. Qoftë për shkak të patriotizmit të gjithë ne të tjerëve që kemi një
origjinë tjetër. Nuk kemi origjinë Çame, por jemi nga Skrapari, nga Tirana e
kështu me radhë. Sepse nuk duhet të harrojmë se marrëdhëniet me Greqinë janë
jetike, dhe duhet të jenë edhe vitale. Edhe Enver Hoxha, diktatori i Shqipërisë
që e izoloi vendin nga e gjithë bota dhe që luftoi me grekët në 1949, në fund
fare la një libër “Dy popuj miq”. Prandaj unë mendoj që të gjithë në këtë sallë
duhet të ngrihemi në një nivel më të lartë dhe duhet të tregojmë se të drejtat
që duhet t’i fitojmë, nuk duhet t’i shpërdorojmë. Nuk duhet të sillemi në një
mënyrë revanshiste. Kush të ketë dëshirë, le të merret me mua, kjo nuk më
shqetëson fare! Unë u takova me Djukanoviçin në 1997 dhe u sulmova se takova
njeriun e Millosheviçit, dhe jam krenar me atë që kam bërë më pas me të për
marrëdhëniet midis Shqipërisë dhe Malit të Zi. E ndihmova UÇK-në dhe nuk kam
kërkuar asnjëherë medalje, lavdërime. Madje kur kanë dashur të më japin
medalje, nuk e kam pranuar se e kam patur për detyrë. Por pasi u çlirua Kosova
kam bërë gjithçka për përmirësimin e marrëdhënieve Shqipëri-Serbi dhe
Kosovë-Serbi, edhe pse jam sulmuar.

Akuzat për vizitën në Serbi

Jam akuzuar pse
kam hequr në mënyrë të njëanshme vizat me Serbinë. Se ishte një marrëzi që ata
nuk donin t’i hiqnin, ndërkohë që pas 6 muajsh ne do të përfitonim nga
liberalizimi i vizave. Ne atë e bëmë, sepse treguam që jemi një hap përpara.
Jam akuzuar, pse kam shkuar në Preshevë i shoqëruar nga një ministër serb dhe
s’e kam patur shqetësim, sepse ka qenë diçka shumë pozitive, me qëllim që tani
shqiptarët të shkojnë atje të pashoqëruar nga askush. Por dua t’ju them të
gjithëve se në qoftë se në politikën e brendshme secilit prej nesh i lejohet
ose mund t’i pranohet një gabim, sepse është një gabim që i kushton secilit
personalisht ose i kushton një grupimi të caktuar politik, në politikën e
jashtme, gabimet, emocionet, vetërrëmbimet, dëshirat për të bërë patjetër një
lajm, qoftë edhe të momentit apo akoma më keq për të tërhequr vëmendjen nga një
çështje dhe për të kaluar në një çështje tjetër, aq më tepër kur është me
karakter patriotik, mund të sjellin pasoja të gjata, të cilat përsëri i vuajnë
qytetarët dhe i vuajnë njerëzit, i vuajnë popujt dhe shumë pak politikanët.
Ndaj unë mendoj që këto gjëra t’i kemi në konsideratë. Unë kam respekt për
mendimin e secilit, për opinionin e secilit. Kam dëgjuar këtu marrëzi të
papara, deri sa mora vesh se edhe Arta Dade ishte “greke” përveç z. Dule, z.
Tavo dhe z. Angjeli, madje dhe shumë pjesëtare të tjerë të delegacionit. Nuk
habitemi. Këto janë reminishenca që vijnë nga e kaluara. Por unë mendoj, që ne
duhet t’i drejtohemi të ardhmes, duhet t’i drejtohemi njëri-tjetrit në mënyrë
konstruktive dhe njëkohësisht në këtë mënyrë t’i drejtohemi edhe fqinjëve dhe
kështu do të kemi mbështetjen e fortë dhe të vendosur të NATO-s, të BE, me
mirëkuptimin e të gjithëve që t’i fitojmë ato të drejta që na takojnë dhe unë
besoj, se vetëm në këtë mënyrë ne mund t’i fitojmë ato.