Holanda i heq vizën Shqipërisë/ Parlamenti holandez me 108 vota pro dhe 42 kundër për rikthimin e vizave për shqiptarët. Pas reagimit të politikës shqiptare, qytetarët dhe emigrantët kritika të ashpra ndaj kryemnistrit Rama: E more Shqipërinë pa kufij me Evropën, po e dorëzon të rrethuar me tela me gjemba, duke na rikthyer radhët në ambasada

366

Qytetarët kritikë kryeministrit Rama: E more Shqipërinë pa kufi, e dorëzon të rrethuar me tela e gjemba

Holanda voton pro mocionit për rikthimin e vizave për Shqipërinë

Jakup B. GJOÇA

Shqipëria po bëhet vendi i parë në Evropë, që mund t’i rikthehen Vizat dhe të përjashtohet nga zona ‘Shengen’, kur ndërkohë, shtetet e tjera të Evropës, sikurse Kosova po integrohen dhe së shpejti do të liberalizohet edhe për Kosovën lëvizja e lirë në Zonën ‘Shengen’. Nëse, përfundimisht, Shqipërisë i vendosen vizat për të lëvizur edhe në Zonën ‘Shengen,’ kjo do të thotë, se realisht Shqipëria po bën regres të madh në ecurinë drejt integrimit për në Bashkimin Evropian dhe konsolidimin e demokracisë.

Holanda voton kundër Shqipërisë

Parlamenti holandez ka votuar me 108 vota pro dhe 42 kundër për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët, për shkak të kriminalitetit të lartë me origjinë shqiptare që ka shkaktuar një problematikë të madhe në vendin e tyre. Kërkesa është bërë nga 5 parti, që kanë 92 vende nga 150 në Kuvend. Projektvendimi u miratua, gjë që detyron qeverinë t’i drejtohet KE-së për rikthimin e vizave. Parlamenti Holandez,  ka votuar dje ‘PRO’  kërkesës së 5 grupeve parlamentare, VVD, CDA, SP, CU dhe PVV, kjo e fundit parti e ekstremit, që detyrojnë qeverinë t’i kërkojë Komisionit Evropian rikthimin e vizave për Shqipërinë.  Arsyeja kryesore është rritja e kriminalitetit nga mafia shqiptare. 5 partitë që kërkuan rikthimin e vizave në total kanë 92 deputetë, ndërsa ky vendim mund të miratohej edhe me shumicë të thjeshtë, thënë ndryshe me 76 vota nga 150 që ka në total Parlamenti i Holandës. Partia VVD, CDA dhe CU janë 3 nga 4 partitë qeverisëse. Ministri i Jashtëm Holandez vjen nga Partia VVD, ndërsa Ministri Grapperhaus (që ishte në Shqipëri) vjen nga Partia CDA. Vota pro rikthimit ditën e djeshme, detyron Holandën të bëjë kërkesë në Komisionin Evropian, për rikthimin e vizave. Po ashtu një votë e tillë, do të thotë një ‘JO’ e fortë për hapjen e negociatave në qershor.

Rritja e kriminalitetit, faktori pengues i Shqipërisë

Në dokumentin e Parlamentit Holandez, midis të tjerave, argumentohej vota për vendosjen e vizave për Shqipërinë. “Dhoma, pas dëgjimit të diskutimit, duke vënë në dukje se ka pasur një rritje të ndjeshme të kriminalitetit nga mafia shqiptare në Holandë; këto organizata kriminale keqpërdorin mundësia për të udhëtuar pa viza përmes Evropës dhe me të, të zgjerojë më tej rrjetin e kontrabandës; duke vënë në dukje se pezullimi i viza për Shqipërinë u detyrua nga kushte të ndryshme, duke përfshirë parandalimin e krimit ndërkufitar; i kërkojmë qeverisë të paraqesë kërkesën në Komisionin Evropian për të filluar procedurën e frenimit emergjent për liberalizimin e vizave. Sillni përkohësisht Shqipërinë dhe informoni Shtëpinë për progres dhe vazhdojmë me rendin e ditës”.

Qytetarët kryqëzojnë kryeministrin Rama

“Viktimat” e vendosjes së vizave për Shqipërinë, natyrisht do të jenë qytetarët, të cilët do të detyrohen të mos lëvizin më lirshëm në Evropë, ndërkohë që politikanët, zyrtarët e lartë kanë pasaporta diplomatike. Sa u bë e ditur ky lajm, qytetarët kryqëzuan kryeministrin Rama në rrjetet sociale, duke i kujtuar kryeministrit se në 2013-n e mori Shqipërinë pa kufij, në zonën ‘Shengen’, ndërsa tani, po e dorëzon Shqipërinë të rrethuar ne tela e gjemba, duke i kujtuar regjimin komunist, kur Shqipëria ishte e izoluar nga Bota brenda telave me gjemba të regjimit. Shqiptarët, nëse rikthehet sistemi i vizave edhe në zonën e ‘Shengenit’, nuk do të kenë më mundësi të shkojnë në vendet e BE-së për të punuar përkohësisht, siç bëjnë deri tani, e kjo do të thotë më shumë papunësi dhe mjerim për shqiptarët.

Reagimet politike në Shqipëri

Presidenti Meta: Është një kambanë alarmi

Akti i parlamentit holandez është i paprecedentë, sepse në dijeninë time nuk ka ndodhur më parë që të ketë një mocion të tillë për Ballkanin Perëndimor dhe vendin tonë. Sigurisht dhe ne na duhet të japim mesazhe më të forta për krimin e organizuar që nuk është një shqetësim jo vetëm për Holandën por edhe me vende të tjerë, siç mund të jetë Britania e Madhe. Së dyti duhet të punojmë sa me ngushtë me Komisionin Evropian që të mos keni më një situatë që mund të krijonte një perceptim negativ për Shqipërinë. Kjo na tregon që janë disa arritje që mund të jenë të cenueshme për vendin tonë. Kjo kërkon një reflektim dhe angazhim të fortë. Përderisa kjo ndodhi në Holandë, kjo nuk përjashtohet të ndodhë edhe në një vend tjetër, E rëndësishme është të reagojmë në mënyrë të përgjegjshme edhe ndaj qytetarëve tanë edhe ndaj partnerëve ndërkombëtarë.

Ish-kryeministri Berisha: Të shporrim një minutë e më pare kalbësirën e narko-shtetit dhe kreun e tij, Edvinin!

Ish-kryeministri Sali Berisha ka reaguar ashpër pas vendimit të Parlamentit të Holandës që votoi për kthim të vizave për shqiptarët. Kjo është dhurata e Edvin Kristaq Krimit për shqiptarët! Parlamenti i Mbretërisë së Holandës votoi sot me 2/3 e votave për kthim të vizave për shqiptarët. Shqipëria bëhet vendi i parë në Evropë dhe në botë, për të cilin një vend anëtar i BE voton për rivendosjen e vizave për zonën e ‘Shengenit’. Kjo është dhurata e Edvin Kristaq Drogës dhe narkoshtetit të tij që nxijnë çdo ditë emrin e Shqipërisë si eksportues i madh i krimit dhe drogës në Evropë. Ky vendim dëshmon se jo negociatat që nuk do hapen por po ecet drejt rikthimit të vizave për shqiptarët dhe është një apel për çdo qytetar të këtij vendi të marrim fatin në duart tona dhe të shporrim një minutë e më pare kalbësirën e narko-shtetit dhe kreun e tij, Edvinin. sb

Ish-ministri Vasili: Ka vetëm një fajtor, është kriminalizimi i qeverisë së Ramës

Nënkryetari i LSI-së, Petrit Vasili, ka reaguar lidhur me vendimin e Parlamentit holandez për rikthimin e regjimit të vizave për shqiptarët. Vasili shkruan se për shkak të kriminalizimit të qeverisë dhe kryeministrit dënohen shqiptarët.  “Petrit Vasili: Lajm shumë i hidhur, Holanda, Parlamenti i saj votoi sot, që shqiptarëve t’u vendosen vizat. Shqiptarët për shkak të kriminalizimit të qeverisë dhe kryeministrit dënohen që t’u vendosen sërish vizat. Kryeministri dhe qeveria nuk e luftojnë krimin, por mbështeten tek ai dhe përdoren prej tij. Opozita po kërkon me forcë largimin e kryeministrit, sepse çdo ditë që ai rri në karrige është ditë e zezë për shqiptarët. Sot shqiptarët morën lajmin më të keq që mund të mendohej. Ka vetëm një fajtor, ai është kryeministri që po çon vendin drejt greminës. Asnjë hap pas për largimin e tij si shpëtimin e vetëm të Shqipërisë nga të tjera mynxyra dhe nga të tjera lajme të zeza.

Ish-ministrja e Integrimit Gjosha: Cakaj të mos merret me targat e konsujve, por të dialogojë me holandezët

I bëj thirrje Ministrit të Jashtëm, të komanduar në mënyrë antikushtetuese të mos merret më me targat dhe pasaportat diplomatike, por në mënyrë urgjente të kërkojë dialog me palën holandeze për të frenuar këtë fenomen, që mund të marrë përmasa të papërshkrueshme në debatin e ardhshëm të Këshillit, pra të vendeve anëtare. I bëj thirrje Ministrit të Brendshëm të ndalë menjëherë arrestimet e qytetarëve që protestojnë paqësisht në të drejtën e tyre, dhe të merret seriozisht me të gjitha instancat që ai drejton, për të luftuar krimin e organizuar që nuk ka destabilizuar tashmë, jo vetëm Shqipërinë, por është prezent përtej kufijve tanë.

Nënkryetari i PD-së, Paloka: Dhuratë e një qeverie që po shkatërron të ardhmen

Çdo ditë vetëm lajme të këqija për shqiptaret, dhuratë e një qeverie dhe një kryeministri që jo vetëm po shkatërron të ardhmen, por po na kthen mbrapa në kohët më të errëta.