Hetimet për Habilajt dhe ish-ministrin Tahiri, ambasadori italian flet nga Shkodra

155

Teksa na ndajnë vetëm tre javë nga vendimi i vendeve anëtare të Bashkimit Europian për negociatat me Shqipërinë, ambasadori italian në vendin tonë Alberto Cutillo u bën apel palëve politike që të jenë solidarë për Europën. Nga Shkodra ku mori pjesë në festën e Italisë, ambasadori italian tha se janë të pakta vendet që kanë dyshime për çeljen e negociatave, dhe në këtë moment është radha e qeverisë dhe popullit shqiptar t’u ndryshojnë mendje skeptikëve.

“Mazhoranca dhe opozita është normale të mos jenë dakord, ndodh kudo. Për Europën duhet më shumë solidaritet. Pjesa më e madhe e vendeve janë mbështetëse të hapjes së negociatave. Ato pak që janë në dyshim, mund të ndërrojnë mendje. E di që ka sforco, por jam besimplotë se mund të bëni këtë hap të fundit për të marrë një përgjigje pozitive”, tha ai.

Ambasadori Cutillo komentoi procesin gjyqësor që po zhvillohet në Katania për grupin Habilaj, duke theksuar faktin se ky proces nuk është i lidhur direkt me ish-ministrin Saimir Tahiri. Pak ditë më parë, dy prokurorët e Krimeve të Rënda, Besim Hajdarmataj dhe Vladimir Mara ishin në shtetin fqinj, ku morën në pyetje tre anëtarë të grupit Habilaj, për të siguruar prova të reja fajësie për ish-ministrin Tahiri. Por ambasadori italian tha se nuk ka dijeni për ecurinë e procesit.

“Di që në Katania është një proces që po ecën përpara, që nuk është direkt për ministrin Tahiri, por di atë që dini ju”, tha Cutillo.

Diplomati italian vlerësoi reformën në drejtësi, ndërsa tha se e shqetëson fakti që Gjykata Kushtetuese mbetet ende e paplotësuar.

“Besoj se reforma e drejtësisë që po bën Shqipëria nuk ka precedent në historinë europiane, ndoshta s’ka askund. Më shqetëson më shumë fakti i akuzave se mazhoranca po kontrollon drejtësinë, që nuk më rezulton se i përket realitetit”, tha ambasadori.

Teksa foli për formimin e qeverisë së re në Itali, ambasadori Cutillo shprehu bindjen se nuk do të ketë asnjë ndryshim në marrëdhëniet me jashtë.

Çelja e negociatave?
Mendoj që po, pasi pjesa më e madhe e vendeve janë mbështetese të hapjes së negociatave. Ato pak që janë në dyshim, mund të ndërrojnë mendje, por varet nga qeveria dhe qytetaret për këtë periudhë të mbetur që tu ndryshojnë mendje skeptikeve. E di që ka sforco, por jam besimplotë se mund të bëni këtë hap të fundit për të marrë një përgjigje pozitiv këtë fund qershori.

Mazhoranca dhe opozita, klima tensionuar?
Mazhoranca dhe opozita është normale të mos jenë dakort, ndodh kudo. E rendesishme dhe besoj që ka ndodhur deri tani, që raportet të mbesin korrekte. Por Europën duhet më shumë solidaritet.

Reforma në drejtësi?
Besoj se reforma e drejtësisë që po bën Shqipëria nuk ka precedent në historinë Europiane, ndoshta s’ka askund. Eshtë reforme e thelle dhe vendimtare, por që has në vështirësi në fazën aktuale fillestare. Më shqetëson më shumë fakti i akuzave se mazhoranca po kontrollon drejtësinë, që nuk me rezulton se i përket realitetit, por ajo që më shqeteson është fakti i mos-kompletimit të gjykatës kushtetuese, që janë të paralizuar për një periudhe kohe deri në zgjedhjen e kandidateve të ri, që kalojnë në vetting. Por natyrshëm ky është cmim që duhet paguar për një reformë kaq të thellë.

Çështja “Tahiri”?
Di që në Katania është një proces që po ecen përpara, që nuk është direkt për ministrin Tahiri, por di atë që dini ju.

Qeveria e re?
Qeveria re lind në bazë të një akordi mes forcave politike, që nuk bën të mendosh asnjë ndryshim në maredheniet me jashtë. Edhe figura e ministrit të jashtëm ma jep këtë garanci të vazhdimësi të politikës jashtme.

Klandestinët?
Për atë që kam lexuar, fenomeni është ende i limituar. Sa herë mbyllet një rrugë hapet një e re. Është një lojë që duhet ndjekur hap pas hapi. Autoritetet shqiptare po e ndjekin sic duhet dhe Italia do të jetë e gatshme t’iu ndihmojë nëse është e nevojshme.