Gjysma e ish-kryekomunarëve drejt …Prokurorisë

431
Zgjerimi i Bashkisë së madhe të Elbasanit, shkrirja e ish-komunave duket se i ka hapur rrugën vendosjes së drejtësisë, për faktin se KLSH muajt e fundit ka zbuluar shkelje ligjore dhe abuzime financiare që akuzojnë ish-kryekomunarët dhe stafin e tyre. Bëhet fjalë për mjaft komuna që janë drejtuar për 1 deri 3 mandate nga ish-kryetarët e tyre, të cilët kanë kryer shkelje ligjore, si me tenderat, apo me përvetësimet flagrante me fondet e investimeve.
Ishkomunaët, abuzim me paratë e shtetit
Burime nga Bashkia e re e Elbasanit thanë për “Telegraf” se “Kryetari i bashkisë së re të Elbasanit, Qazim Sejdini është i vendosur të dërgojë para ligjit dhe drejtësisë çdo zyrtar dhe ish-drejtues komune që ka abuzuar me detyrën dhe paratë e shtetit, asnjë tolerancë ndaj atyre që kanë luajtur kumar me paratë e taksapaguesve në vite”. 
Shpërdorim të fondeve në ishkomunat e Labinot Mal, Gjinarit, Bradashesh, etj
KLSH ishte e para që ka zbuluar pas kontrolleve shkeljet dhe abuzimet në ish-komunën e Labinotit Mal, Gjinarit, dhe mjaft ish-komunave të tjera, dhe është ndalur dhe ka propozuar masa konkrete ndaj personave përgjegjës. KLSH pritet të ndalet në kontrollet e veta edhe në komunën e Bradasheshit, një njësi vendore e cila duhej të kishte marrë masa rradikale ndaj KURUM, pasi gjeografikisht ajo e ka administruar territorin e ish-kombinatit Metalurgjik, dhe ka vjelë taksa të kënaqshme nga gjithë operatorët atje.
Në listën e të hetuarve edhe ish juristët, ish anëtarëqt e KRRT
Të propozuar për masa ligjore janë jo vetëm ish-kryetarët por edhe stafet e tyre duke nisur nga ish-anëtarët e KRRT-ve, për lejet e paligjshme, ish-anëtarët e Këshillave të Komunave, ish-juristët, dhe mbledhësit e taksave. Abuzime ka patur nga ish-kryekomunarët edhe në zbatimin dhe përfundimin e dhjetra akseve rrugore që lidhin akset nacionale dhe ato mes fshatrave. KLSH dhe organet hetimore do të merren edhe me abuzimet dhe pasuritë e pothuajse të gjithë ish-kryekomunarëve, për të vënë para ligjit ata që e kanë vënë atë me rrugë të paligjshme. Premtimi dhe betimi që kryebashkiaku i bashkisë së re të Elbasanit, Qazim Sejdini bëri gjatë fushatës se “Nuk bëj asnjë kompromis në kurriz të ligjit dhe shtetit ligjor”, duket se ka gjetur terrenin e duhur, duke patur rastin që organet kompetente të kryejnë detyrën e tyre. Në javët në vazhdim (e shumta deri në shtator) do të ketë një raport të detajuar të Prokurorisë mbi masën e abuzimeve, (bazuar mbi raportet dhe rekomandimet e KLSH) shkeljet ligjore dhe akuzat mbi të cilat do të nisë hetimi ndaj ish-krerëve të komunave dhe zyrtarëve të atyre njësive vendore. 
Sigal