Gjosha: Një shtet që nuk njeh ligjin dhe Kushtetutën quhet Diktaturë!

441
Sigal

Nga Klajda Gjosha

Kjo që po ndodh në Shqipëri, është jo vetëm e paprecedentë, por duket se ne po shkojmë drejt një shteti të marrë peng nga një grup individësh që kërkojnë me çdo kusht rrënimin e demokracisë dhe të të drejtave të njeriut!

Në vend që dialogu të ishte kryefjalë e këtij momenti kyç për Shqipërinë europiane, fatkeqësisht duket sikur politika është zhytyr në një marrëzi anti institucionale dhe anti ligjore!

Shqiptarëve cdo ditë e më shumë po i mungon qeverisja, përkujdesja, siguria, liria dhe respekti ndaj të drejtave themelore si qytetarë të këtij vendi.

Sot vendi është përcarë në parcela politike ku Kryeministri flet me ‘Ne dhe Ata’, ku është absurde të mendosh se luftën e bën me shqiptarët e thjeshtë, ndërkohë që lufta e vërtetë duhet të ishte me varfërinë, krimin, korrupsionin e padrejtësinë!

Përfaqësuesit e institucioneve të pavarura marrin urdhëra partiakë, si të ishim në një diktaturë të egër të shumë viteve më parë. Parlamenti funksionon në ilegjitimitet dhe paturpësisht prodhon rezoluta të sforcuara që po njollosin vendin.

Ndërkohë që marrëzia vazhdon më tej me organizimin e zgjedhjeve imagjinare, në shkelje të Kushtetutës, duke injoruar zërin e shqiptarëve që janë ende në kërkim të votës së lirë!

Dhe për të mos u ndalur këtu, cmëndina politike vazhdon më tej me vendime të Këshillit të Ministrave për të ndryshur hartën territoriale të Bashkive që është një çështje ligjore në thelbin e saj dhe jo vendim që merret qorrazi nga një kabinet qeveritar!

Jam e keqardhur që shteti ka dalë nga shinat e kornizës ligjore dhe kushtetuese. Sepse një shtet që nuk njeh ligjin dhe Kushtetutën quhet Diktaturë!