Gjet Ndoj: “Me Ramën nuk kemi biseduar ende për postet qeveritare për aleatët”

501
Sigal

Në intervistën për “Telegraf” koordinatori i Ramës me aleatët, Gjet Ndoj, pohon se, deri tani nuk kanë biseduar ende me Kryeministrin Rama për postet që do t’u jepen aleatëve, madje, koordinatori ende nuk ka biseduar as me Gjinushin.

– Zoti Ndoj, në cilin stad janë bisedimet e aleatëve me Kryeministrin e zgjedhur, për ndarjen e posteve qeveritare, si shpërblim i kontributit të dhënë në rezultatin zgjedhor?

– Që në 25 korrik, ku unë u caktova  nga Kryeministri Rama, në rolin e koordinatorit midis PS-së dhe aleatëve, kam filluar dhe vazhdoj takimet pa reshtur me krerët e partive aleate, të cilat vazhdojnë ende.

– Cilat janë kërkesat e aleatëve, që ju kanë parashtruar juve, për t’ja përcjellë Edi Ramës?

– Është për t’u vlerësuar qëndrimi racional dhe i arsyeshëm i krerëve të partive aleatëve, e cila ka referencë problematikën që lidhet me zbatimin e marrëveshjes të nënshkruar nga secili prej tyre dhe kryeministri. Çdo parti aleate do të ketë përfaqësim në qeverisje, aq sa elektorati i ka besuar. Zbatimi i kësaj marrëveshjeje do të jetë kohezioni që do të ruajë vazhdimësinë e koalicionit.

– Konkretisht, krerët e partive ju kanë paraqitur juve çfarë posti pretendojnë?

– Secila nga partitë, kanë përcjellë kërkesat e tyre, në saj të marrëveshjes dhe votave që kanë marrë. PDS-ja e Milos, ka 8 qarqe, si edhe PSD-ja dhe PBDNJ-shi, e më pak, AP-ja, etj..

– Aleatët në fillim, kanë shprehur edhe pakënaqësi, që, edhe pse morën mandat deputeti, nuk u përfaqësuan në qeveri me ministër. Këto pakënaqësi u japë përcjellë juve?

Problemi i PBDNJ-shit dhePKD-së, që nuk u përfaqësuan me ministra në qeveri, ka qenë i tejkaluar në momentin që unë u zgjodha koordinator dhe nuk kam njohuritë se si janë zhvilluar bisedimet. Kanë qenë komunikimi i tyre i drejtpërdrejtë me kryeministrin e zgjedhur.

– Partitë e Gjinushit e Milos kanë më shumë vota se PDBJ-shi e PKD-ja, që kanë mandat në Kuvend. Cili kriter do të përcaktojë postet për këto parti?

– Do të kenë përfaqësim në qeverisje në raport me votat që kanë fituar.

– Keni biseduar me Kryeministrin për kohën, kur mund të bëhet plotësimi i gjithë strukturës qeveritare, me zv/ministrat e drejtorët e përgjithshëm, për të cilat shpresojnë edhe aleatët?

– Me kryeministrin e zgjedhur, për këto çështje akoma nuk kemi biseduar, por edhe koha nuk ka kaluar. Pasi edhe vetë kryeministri i ri nuk e ka marrë zyrtarisht mandatin. S’ka vend për ngutje dhe për alarme nga askush, se nuk po zbatohet marrëveshja. Vetë kjo marrëveshje do të implementohet me terma konkretë, kur mandatohet Kryeministri i ri, sepse ka edhe fuqinë  kushtetuese për ta realizuar. Bisedimet janë të mbara dhe unë besoj dhe mesazhi që ka dhënë Rama është shpresëdhënës.

Bën përshtypje heshtja e deritanishme e Gjinushit, të cilën shumë e deshifrojnë si një farë pakënaqësie të hapur që ai demonstron ndaj Ramës. Ju me Gjinushin keni biseduar?

– Patjetër që zoti Gjinushi është pjesë e negociatave, por ju mund të pyesni vetë zotin Gjinushi, nëse ka qejfmbetje. Unë nuk di asgjë në raportet e marrëdhënieve që ai ka me Kryeministrin e ri.

– Gjinushi, ju ka dhënë kërkesat e tij, që t’ja përcillni kryeministrit të zgjedhur?

– Me zotin Gjinushi, nesër ose pasnesër do të kem kontaktin e radhës, pasi ka qenë deri tani me pushime. Nuk di gjë, nëse ka dërguar në mënyrë të drejtpërdrejtë kërkesat te zoti Rama. Zoti Gjinushi është personaliteti i së Majtës dhe nuk mund të anashkalohet.

– Zoti Ndoj, është thënë që zgjedhja e një koordinatori të kryeministrit Rama, i cili do të jetë ndërmjetësi i tij me aleatët, njëfarësoj është anashkalimi i kontakteve të drejtpërdrejta të zotit Rama me aleatët. Te ju është ndjesi kjo kritikë?

– Ata që e lexojnë kështu misionin e koordinatorit, nuk lexojnë realitetin. Realiteti është se koordinatori i Kryeministrit dhe i aleatëve nuk ka lidhje me krijimin e pengesave të komunikimit të drejtpërdrejtë të krerëve të partive aleate me kryeministrin e zgjedhur. Por është faktor që krijon klimën e duhur, për të shpejtuar zbatimin e marrëveshjes.

– Ju si koordinator, do të jeni sa të formohet qeveria, apo në gjithë mandatin qeverisës?

– Sipas nevojës, është diçka që do ta çmojë vetë zoti Rama.

– Ju keni rol koordinatori, edhe midis Metës dhe aleatëve?

– Jo, Meta është jashtë këtij sistemi koordinimi për të cilin diskutojmë. Meta, për shkak të votave që ka, komunikon drejtpërdrejt me Ramën. Ne nuk kemi bisedime me Metën, por me zotin Rama.

– Ditë më parë, ish-koordinatori Preç Zogaj, u bëri thirrje aleatëve të së Majtës, që të formojnë një grupim të tyre politik, sepse po zhgënjehen nga PS-ja. Cili është qëndrimi juaj?

– Nuk e njoh dhe nuk ka dijeni për këtë prononcim të Zogajt. Zbatimi i marrëveshjes do të jetë themeli që do të garantojë vazhdimësinë e këtij koalicioni.

– Faleminderit!