Sahit Dollapi i lë “bombën me sahat” PS-së

605
Sigal

Për muajin gusht 2013, CEZ-i u dërgon qytetarëve shumë  ZERO të kilovatorëve, që ta paguajnë dyfish në shtator

Për muajin gusht 2013, CEZ-i me administrator Sahit Dollapin, u ka dërguar qytetarëve faturat e harxhimit të kilovatorëve me shumën zero.

Abuzimi i Dollapit me metodat e çekëve

Shqipëria është i vendi vend në Europë, që ka nivelin më të ulët të shumës së energjisë elektrike për konsum familjar, që u ka caktuar konsumatorëve për  të paguar me çmimin më të ulët 77 lekë/kvv pa tvsh, e cila është 300 kvv. Ndërkohë, kur Greqia e ka 800 kvv. Mbi këtë kuotë, çdo kilovatë e harxhuar, konsumatori shqiptar e paguan me dyfishin e çmimit. Kjo është një tjetër vjedhje, e ligjëruar në ligj. Mirëpo, CEZ-i, si ai çek, por edhe Dollapi, kanë gjetur metoda që të abuzojnë dhe vjedhin konsumatorët shqiptarë. Kështu, CEZ-i i administruar nga Dollapi, gjatë muajin gusht, ka nisur faturat e pagimit të energjisë elektrike qytetarëve, me shumën zero, por nuk ka harruar që të detyrojë qytetarët që të paguajnë 340 lekë të reja, të cilat janë shërbimi i CEZ-it, dhe pagesa për RTSH-në. Faturat e dërguara, me kuotën ZERO të kilovatorëve, nuk janë as gabim i matësve dhe as ndonjë gabim i faturues-shkruesve në administratën e CEZ-it. Kjo është politika e vjedhjes dhe e abuzimeve, që Dollapi zbaton ndaj konsumatorëve shqiptarë. CEZ-i u dërgon konsumatorëve për 2-3 muaj fatura me shumë ZERO të kilovatëve, ose me shumë nën 200 kilovatë, por më vonë, në muajt në vazhdim  u dërgon fatura të ngarkuara me shumën mbi 500 kilovatë, duke i penalizuar konsumatorët shqiptarë, që të paguajnë shumën mbi 300 kilovatë me dyfishin e çmimit.

ERE hesht, sepse është ortak i vjedhjeve e abuzimeve të CEZ-it

Me mijëra ishin prononcimet e konsumatorëve ndaj kësaj metode vjedhjeje e abuzimi nga CEZ-i, ku edhe ERE, pas 4 vjetësh, u detyrua që të hiqte licencën CEZ-it çek. Mirëpo, ERE, në abuzimet dhe vjedhjet e CEZ-it të Dollapit hesht dhe nuk vepron. Në fakt, cila ERE të veprojë? ERE ku kishte kryetar Sokol Ramadanin, i cili u shërben interesave të caktuara të individëve? Ramadani si kryetari i ERE-s, pasi privilegjoi kompani private, braktis detyrën e Kryetarit të ERE-s, për t’u punësuar në atë  kompani energjetike private.

CEZ-i nuk derdh te RTSH-ja lekët që mbledh nga konsumatorët

Edhe pse faturat  e konsumit që dërgon CEZ-i për muajin gusht 2013, janë me kuotë ZERO, CEZ-i detyron qytetarët që të paguajnë shërbimin ndaj CEZ-it dhe pagesën ndaj RTSH-së. Mirëpo, CEZ-i lekët që u merr konsumatorëve për RTSH-në, nuk e paguan kurrë RTSH-së, por e mban për llogari të tij. Kështu, drejtori i përgjithshëm i RTSH-së, Petrit Beci, në komisionin parlamentar të  Medias, në shkurt të 2013-s, deklaron që CEZ-i i jep vetëm 25 % të shumës që vjel nga pagesat e qytetarëve. Kjo është një tjetër vjedhje që CEZ-i këtu vjedh institucionet publike, vjedh miliardat lekë që qytetarët paguajnë për RTSH-në!

Dollapi falsifikon statistikat

Para disa ditësh, administratori i CEZ-it, Sahit Dollapi deklaroi se, CEZ-i ka përmirësuar treguesit financiarë, ka zvogëluar humbjet. Dhe ka rritur të ardhurat, pa dhënë asnjë shifër. Mirëpo, CEZ-i me Dollapin administrator, nuk ka investuar asnjë lekë që të përmirësojë rrjetin e shpërndarjes të energjisë elektrike, shpërndan fatura me deklarim ZERO të kilovatëve për muaj të tërë, CEZ-i nuk ka bërë asgjë, që zona të tëra nuk paguajnë kurrë asnjë kilovat, duke detyruar qytetarët që paguajnë rregullisht, të paguajnë edhe pjesën e vjedhur të energjisë elektrike. Atëherë, si janë përmirësuar treguesit e CEZ-it? Ja, pra, fakti që Dollapi falsifikon statistikat, duke fshehur realitetin.

CEZ-i vazhdimisht ndërpret energjinë elektrike

Të përditshme dhe sistematike janë ndërprerjet e energjisë elektrike në shumë zona të vendit. CEZ-i është kthyer në një zyrë lajmërimi, ku njofton për çdo ditë, se cilat do të jenë qytetarët, fshatrat ku për orë të tëra do të ndërpritet energjia elektrike, duke u justifikuar “për shkak të një dëmtimi në rrjetin elektrik”! Pra, CEZ-i duke mos bërë asnjë investim për përmirësimin e rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, shkakton ndërprerje sistematike të energjisë elektrike, në zona të tëra të territorit dhe për orë të tëra, ndërsa ndaj CEZ-it nuk vepron ligji, për të dëmshpërblyer konsumatorët për dëmet e shkaktuara nga ndërprerja e energjisë elektrike, sipas kontratës.

Dollapi i lë PS-së, CEZ-in, si faturën e ‘minës me sahat’

Administrimi i CEZ-it nga Dollapi po përkeqësohet dita-ditës, edhe pse Dollapi shpërblehet me 5.000 dollarë në muaj. Në shtator, kur maxhoranca e re do të qeverisë, CEZ-i do të jetë një minë me sahat. Sepse, të gjitha kusuret e keqadministrimit të CEZ-it nga Dollapi, do t’i duhet maxhorancës së re të përballet me ankesat e pafundme të qytetarëve, për vjedhjet dhe abuzimet e CEZ-it, në matje, në mbifaturime, në deklarime ZERO e pastaj në pagimin e shumës me çmimin e dyfishuar, etj.. Por, mbi të gjitha, Dollapi e lë CEZ-in me detyrime buxhetore, që janë shumë të vështira të shlyhen, dhe këto do të shtojnë edhe më shumë borxhin publik.

Detyra e parë e maxhorancës: Hetimi dhe …burg për Sahit Dollapin

Prokuroria, për arsye të pashpjegueshme, sërish ka bllokuar të gjitha paditë penale që kanë ngritur qytetarët ndaj CEZ-it dhe administratorit Dollapi. Gjithashtu, Dollapi, si administratori shtetëror i CEZ-it, nuk rishikoi, nuk shqyrtoi asnjë ankesë të qytetarëve që kishin bërë ndaj CEZ-it, edhe pse ky ishte premtimi kryesor i Dollapit, në marrjen e detyrës. Por, Dollapi, vazhdoi të njëjtat abuzime dhe vjedhje në CEZ ndaj qytetarëve shqiptarë, me bekimin e ERE-s të Sokol Ramadanit. Ndaj maxhoranca e re, premtimet për Rilindje duhet t’i fillojë nga vënia përballë përgjegjësive edhe të administratorit të CEZ-it, Sahit Dollapit, me të njëjtat akuza që përcolli heqjen e licencës të çekëve. Dollapi ka shpërdoruar dhe ka abuzuar me detyrën, duke vjedhë konsumatorët e energjisë elektrike, i ka shkaktuar buxhetit të shtetit miliona euro humbje, akuza të mjaftueshme që drejtësia t’i tregojë Sahit Dollapit, derën e qelisë së burgut.

Flet për “Telegraf”

Altin Goxhaj, drejtori ekzekutiv i ZMK-së

CEZ-i dëm të qëllimshëm ndaj konsumatorëve

ZMK-ja konsideron një dëm të qëllimshëm ndaj konsumatorëve nga CEZ ardhjen e faturave me 0 lekë të cilat u rëndojnë konsumatorëve faturat në muajt në vijim, pasi i digjet fashoja me çmim të reduktuar, duke ua rritur kështu artificialisht çmimin e energjisë në 200% dhe kjo është një praktikë e cila dënohet nga Kodi Penal si vjedhje me anë të mashtrimit. ZMK-ja i bën thirrje CEZ-it korigjimin e menjëhershem të të gjithë praktikës faturuese me 0 në mënyrë që konsumatorët të mos rëndohen në muajt e ardhshëm pa të drejtë.

 Ja cilat duhet të jenë prioritetet në Sektorin e Energjisë Elektrike

Gjergji Simaku – Ekspert Energjie

Sot, për shkak të Ligjit aktual të vjetruar të Sektorit të Energjisë Elektrike dhe Modelit të Tregut në fuqi, Shqipëria është një prej Palëve Kontraktuese në Komunitetin e Energjisë që është më larg nga përputhshmëria me kërkesat e BE-së. Mangësi të shumta janë adresuar nga Komuniteti i Energjisë në draftin për një ligj të ri për Sektorin e Energjisë. Por cilat duhet të jenë prioritetet në Sektorin e Energjisë Elektrike?

1.    Miratimi i Ligjit të ri të Energjisë Elektrike me ndryshime themelore, sidomos për Modelin e Tregut, në drejtim të rritjes së përgjegjësisë së institucionit të pavarur rregullator (ERE) të cilat duhet t’i japin prioritet më të lartë eliminimit të gjendjes së mos-pajtueshmërisë mes operatorëve në treg dhe konsumatorëve.

2.    Eliminimin e modelit të deritanishëm te furnizuesit me shumicë dhe dhënien e aksesit për furnizuesit në sistemin vendas si kërkesë kryesore për të zhvilluar sistemin energjetik. Ligji i ri do të shkaktojnë ndryshime thelbësore në legjislacionin sekondar që miratohet nga ERE.

3.    Reduktimin e humbjeve në sistemin e shpërndarjes, reduktimin maksimal të konsumit të energjisë elektrike për shkak të lidhjeve të paligjshme dhe mospagesave të faturave të energjisë elektrike, probleme të trashëguara të cilat duhet të adresohen menjëherë tek CEZ Shpërndarje dheMETE.

4.    Futja e mekanizmit balancues të propozuar nga ERE lidhur me përgjegjësinë e një bilanci transparent që reflekton investimet dhe plotësimin e kushteve që duhet të jenë plotësuar nga ana e lojtarëve të tregut për të përmbushur detyrimet e tyre sipas modelit të ri të tregut. Me krijimin e një tregu balancues, kostot e shkaktuara nga furnizuesi publik me pakicë për shkak të pabarazive duhet të trajtohen në mënyrë adekuate me qëllim reflektimin e metodologjisë për llogaritjen e tarifave të energjisë elektrike për konsumatorët fundore. Rregullimi i tarifave, bazuar mbi kostot reale të aktorëve të tregut, është mjeti për të përfituar një çmim real të energjisë elektrike në konsumatorin fundor.

5.    Operatori i sistemit të transmetimit OST-ja duhet të zbatojë plotësisht rregullat për alokimin e kapaciteteve në përputhje me legjislacionin dhe anëtarësinë në ECRB (Bordi Rregullator i Komuniteti i Energjisë – Energy Community Regulatory Board) te EREs.

Në lidhje me sigurinë e furnizimit me energji elektrike, Shqipëria, pasi të ketë zyrtarisht një bilanc energjetik, duhet të japë një deklaratë të rinovuar pranë Komunitetit të Energjisë të Evropës Juglindore (ECSEE), e cila të marrë në konsideratë kapacitetet gjeneruese shtesë, si edhe të konfirmojë kufizimet aktuale në interkoneksionet lidhur me diversifikimin e furnizimit me energji elektrike (importet).

Ligji i ri për Sektorin e energjisë, Modeli i ri i tregut dhe Strategjia Kombëtare e Energjisë duhet të jenë dokumentet bazë që duhet të mbulojnë dispozitat themelore për sigurinë e furnizimit me energji elektrike.

Shqipëria si një anëtar i Komunitetit të Energjisë me status “palë e kontraktuar”, nuk ka ligj të integruar të energjisë. Sektorë të ndryshëm të energjisë janë të rregulluar me ligje të veçanta. Strategjia Kombëtare e Energjisë e deritanishme nuk është në përputhje me kërkesat (acquis) e BE-së. Një Strategji e Re Kombëtare e Energjisë duhet përfunduar në përputhje me zhvillimet brenda Komunitetit të Energjisë.