Gjermeni në Pukë: Do ndërtohen 24 banesa sociale për të pastrehët

493
Ministrja e Zhvillimit Urban, Eglantina Gjermeni, ishte sot në Pukë, ku bashkia në vitet 2014–2016 ka përfituar 3 projekte investim i Fondit të Zhvillimit të Rajoneve, me vlerë afro 150 mln lekë, nga ku tha se në këtë qytet do të ndërtohen 24 banesa sociale në truall të bashkisë.
“Krahas Rilindjes Urbane bashkëpunimi me bashkinë e Pukës do të vazhdojë. Unë shpreh angazhimin tim si Ministre e Zhvillimit Urban, sa i përket ndërtimit të banesave me kosto të ulët. Projekti mes Entit Kombëtar të Banesave dhe bashkisë së Pukës ka vlerën e 40 milion lekëve dhe së shpejti niset marrëveshja dhe fillon puna”, bëri me dije Ministrja Gjermeni.
Ministrja, e shoqëruar nga kryebashkiaku Gjon Gjonaj inspektoi punimet për sistemimin e lagjes pas pallatit të kulturës, projekt i cili ka një vlerë prej 28 mln lekësh dhe është miratuar në thirrjen e parë të FZHR për vitin 2016.
“Pas gati 30 vitesh po investohet në Pukë, për t’i dhënë një fizionomi tjetër këtij qyteti, për ta bërë më tërheqës për qytetarët dhe vizitorët, për shfrytëzimin e potencialeve të turizmit apo agroturizmit. Rilindja Urbane ka ardhur në Pukë me dy projekte të mëdha në vitin 2016. Ndërkohë që tjetër projekt, ai i sistemimit të fasadave në rrugën hyrëse (vlera 5 mln lekë) është zbatuar në vitin 2014. Për këto vite, 2014 – 2016, në Pukë nga Fondi i Zhvillimit të Rajoneve janë investuar rreth 150 mln lekë dhe unë them që është fillim shumë i mbarë. Projektet e paraqitura në këto vite në FZHR nga bashkia Pukë kanë qenë cilësore. Më vjen mirë që, projekti I parë për vitin 2016 ( Sistemimi i lagjes pranë Pallatit të Kulturës, me vlerë 28 milion lekë) po ecën me ritme intensive. Po ndërhyhet në pallate të ndërtuara prej gati 50 vitesh e nga ku përfiton një komunitet i gjerë qytetarësh, pasi do të kenë gjelbërim, rrugë të sistemuara, park autobuzash. Edhe projekti i dytë (Rigjenerim i shëtitores Qëndrore), me një vlerë më të madhe financiare, 114 mln lekë është në proces prokurimi dhe kryebashkiaku u angazhua, që punimet për dy projektet përfundojnë brenda këtij viti”, tha Ministrja Gjermeni.
Sigal