Gafa e kryeministrit/ Publikon hartë ku Kosova është e Serbisë: Reagimet nga Prishtina: Rama të shpallet “Non Grata”

130

Kryeministri i Shqipërisë shokon: Publikon hartën ku Kosova është e Serbisë, reagon historiani Jusuf Buxhovi

 

Rama duhet të shpallet ‘non grata’ në Kosovë

 

Dje kryeministri Edi Rama ka shokuar të gjithë kombin shqiptar. Ka postuar në rrjetin e vet social një hartë, ku Kosova është pjesë e territorit të Serbisë. Ndoshta nuk është lajthitje mëngjesore nga kryeministri Rama, po të kemi parasysh “betimin” që dha në Ohër para disa ditësh, në takimin me Presidentin Vuçiç dhe kryeministrin maqedoas Zaev, ku u shpreh, se do të bëjë gjithçka që të konkretizohet ideja e “Minishengenit Ballkanik”, ose siç e quajnë Jugosllavia e Re, ndërkohë që kritikoi përpara Vuçiçit se Kosova po vetizolohet nga ky projekt “madhor”. Mbase kryeministri Rama me publikimin e hartës, ku Kosova është pjesë e territorit serb, donte që të testonte reagimin mbarëshqiptar. Shfaqja e postimit të kryeministrit Rama krijoi një reagim edhe në Kosovë ku mediat e cilësuan një skandal me hartën e Kosovës. Për këtë “skandal” ka shkruar edhe media serbe “B92”, e cila i vendos titullin “Prishtina në shok”, Rama poston hartën e Kosovës brenda Serbisë. Më vonë, kryeministri Rama, i detyruar nga reagimet e shumta, e ndryshoi hartën, e më vonë e fshiu, duke e zëvendësuar me video.

 

Historiani Jusuf Buxhovi: Të mbrojmë Kosovën nga atentati i Ramës

Veprimi më i ri i Ramës, duhet parë si pjesë e komplotit politik kundër shtetit të Kosovës për interesat serbo-ruse në Rajon, që nga politika e Kosovës duhet ndalur sa më parë dhe me të gjitha mjetet pa përjashtuar mundësinë që ai të shpallet persona ‘non grata. Përpjekjet e Ramës u panë gjatë vitit të fundit, me ç’rast, i ashtuquajturi “pajtim historik shqiptar-serb” për gjoja normalizimin e raporteve midis Prishtinës dhe Beogradit mbi parimin e njohjeve të ndërsjella si shtete të pavarura, u instrumentalizua për ndarjen e Kosovës me Serbinë, që nuk paraqet tjetër, pos përpjekje për krijimin e Serbisë së Madhe në dëm të çështjes shqiptare. Është për keqardhje që në këto pazare është përfshirë edhe presidenti i Kosovës, i cili është dashtë të ndalet politikisht dhe penalisht nga kjo tregti me shtetin e Kosovës. Ky veprim, po ashtu, duhet ta sjellte një mobilizim i gjithmbarshëm në Kosovë në planin shoqëror, politik dhe intelektual, për mbrojtjen e shtetit të Kosovës nga atentatet që po i përgatiten nga jashtë dhe nga brenda dhe në përputhje me këtë ta rishqyrtojë edhe diskursin e deritanishëm të bashkimit kombëtar si ideologji e shekullit të kaluat drejt transformimit te unioni i shteteve shqiptare në BE, me çka u mbyllet udha mundësive që Tirana dhe Beogradi ta qesin në pazar shtetin e Kosovës.

 

Zyrtari i LDK: E di Rama që Kosova është shtet sovran dhe i pavarur?!

Ismet Beqiraj, nga LDK shkruan se, Kosova është shtet nga 17 shkurti i vitit 2008, ndërsa postimin e Edi Ramës e quan turpi i radhës.

Ismet Beqiraj: Për ata që “nuk e dinë”, për Edin e Shqipërisë, Kosova shtet i Pavarur e sovran është shpallur, më 17 shkurt 2008, me hartën dhe kufijtë e saj. Nuk habitem me turpin e tij të radhës.